LAJMI I FUNDIT:

Qyteti dhe dëshmitë kulturore e historike?!

Qyteti dhe dëshmitë kulturore e historike?!

Nga: Gjergj Kristo Frashëri

Jo vetëm si historian i arkeologjisë qytetare dhe njëkohësisht inxhinier restaurator i monumenteve të kulturës, me aktivitet tashmë gjysmëshekullor të ushtruar brenda dhe jashtë vendit, por edhe si shqiptar, i rritur në një familje të vendosur në Tiranë prej kohës së Nolit (1924), e ndiej të domosdoshme të shpreh disa vëzhgime, dështime, dyshime, hidhërime dhe jo pak meditime që kërkojnë përgjigje – mbi fatin e monumenteve të kulturës dhe të pasurisë arkeologjike në kryeqytetin tonë. Sepse kjo ka të bëjë me zbulimin dhe studimin, me ruajtjen dhe mbrojtjen e identitetit kombëtar kulturor historik të Shqiptarisë, por edhe për qytetin, lagjen, rrugën ku ke jetuar dhe ku jeton në viset shqiptare.

Aq më tepër tani, që jemi në një fazë pa perspektivë të një beteje të ashpër midis politikës së 7501-shit dhe qytetarit atdhetar, betejë që po e fiton politika, po e fiton interesi privat në dëm të interesit të përgjithshëm qytetar. Sepse kjo betejë, përveç të tjerave, po zhvillohet në një terren të varfër dhe të plagosur rëndë për nga morali kombëtar, ku ruajtja dhe mbrojtja e identitetit kombëtar është në rrezik të madh. U mbushën tashmë dekada që prej asaj dite, kur u shfaqën definicione spekulative teknike duke i ndarë monumentet e kulturës bashkë me mjediset arkeologjike në kategori të parë dhe në kategori të dytë.

Sipas përvojës sime, ky dallim përbën një klasifikim jo vetëm të pasaktë, por edhe të dëmshëm në veprimtarinë për ruajtjen dhe mbrojtjen e monumenteve të kulturës, njëlloj edhe për mjediset arkeologjike. Një objekt ndërtimor, arkitektonik, arkeologjik etj. përzgjidhet dhe shpallet monument kulture, ruhet me ligje, si dhe mbrohet nga shteti, për vlerat dokumentare historiko-kulturore që mbart, të cilat i përcakton një institucion i specializuar. Shpallja “monument kulture” i një objekti të trashëgimisë kulturore, bëhet pasi vërtetohet shkencërisht, se ai përbën dëshmi dokumentare origjinale për të ilustruar një fakt karakteristik, një traditë tipike etj., të historisë kulturore të vendit.

Një monument kulture, si p.sh., Kështjella e Krujës, shpallet e tillë, sepse është dëshmi që ilustron një epope luftërash të qëndresës së popullit shqiptar në shek. XV, përmes një ndërtimi të fortifikuar të sprovuar strategjik të ndërtuar nga trashëgimia ndërtimore shqiptare. Po ashtu, edhe një banesë në qytet apo fshat shpallet monument kulture, kur përbën një dokument me vlera tipologjike autentike që dëshmon mbi jetesën në vendin dhe kohën e ndërtimit të saj, etj. Pra, secili monument ka rëndësinë e vet dokumentare të pazëvendësueshme dhe të pakrahasueshme dhe nuk ka pse njëri të quhet i kategorisë së parë dhe tjetri i kategorisë së dytë.

Secili monument kulture ka individualitetin dhe rëndësinë dokumentare historike të pakrahasueshëm më njëri tjetrin. Monumenti ruhet fizikisht me ligj dhe mbrohet shkencërisht nga dëmtimet në kohë prej institucionit të posaçëm shtetëror përmes restaurimit, që monumenti të vazhdojë të jetojë me gjenerata në mes të shoqërisë. E bëra këtë shpjegim, sepse personalisht nuk e pranoj që monumentet e kulturës të ndahen, të dallohen dhe të diferencohen në kategori. Pasi kështu rrjedhin vetvetiu qëndrime paragjykuese – sikur monumenti i kategorisë së parë nuk duhet të prishet, ndërsa një tjetër monument i kategorisë së dytë edhe mund të prishet në ndonjë rast, domethënë të zhduket, sikur ai nuk përmban vlera aq të rëndësishme në krahasim me të parin.

Por, si mund të zhduket një ndërtesë apo kishë, apo xhami, apo një mulli, apo edhe një kështjellë e klasifikuar arbitrarisht në kategori të dytë (!), kur ai është përzgjedhur për të dëshmuar një aspekt dokumentar historik, me të njëjtin qëllim si edhe ai kategorisë së parë? Le të marrim si shembull Kështjellën e Tiranës. Në vitin 2007-2008, studioja ime në Gjermani kreu me leje të posaçme sondazhe arkeologjike dhe punime gjurmimi për restaurime brenda dhe jashtë kështjellës me shpenzimet e veta. Përgatiti edhe një projekt restaurimi të mureve rrethuese të kështjellës, të ndërtesave historike dhe të konservimit të substancës arkeologjike në brendinë e saj, të gjitha këto për qëllime muzeore vizitueshmërie.

Nga kjo punë rezultoi se Kështjella e Tiranës i kishte të gjitha burimet dokumentare për t’u kthyer në dokument-muze të historisë së kryeqytetit prej shek. 17 deri më sot. Projekti u aprovua në parim në Ministrinë e Kulturës, madje u paraqit edhe në Bashkinë e Tiranës. Fatkeqësisht, Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Delegacionin Evropian, duke dashur së pari ta përvetësonin hapur punën tonë, e shfrytëzuan atë në mënyrë të pasjellshme për projektin e tyre që përgatitën me një studio greke, i cili i dëmtoi vlerat e kështjellës së Tiranës, siç duken qartë edhe sot.

Interesat e ngushta të privatizimit të saj u mbivunë mbi vlerat historike-kulturore të monumentit. Administrata në këtë vend jeton ende në fazën se shitja e një qofteje sjell më shumë fitim se një biletë muzeu profesional që ndriçon historinë e një kryeqyteti. Kështjella e Tiranës përfundoi si shembulli i Kalasë së Petrelës, e cila ishte kthyer më parë pa pikë respekti qytetarie ndaj dokumentit historik, në qofteri. Në vend të sjellim vlerat kulturore dokumentare mbi historinë e Tiranës përmes kështjellës së saj, ne demonstrojmë gjeste antituristike përpara vizitorëve vendas dhe të huaj, shfaqje të mendësisë së pakualifikuar qytetare.

Po pse u zhdukën objektet që Kështjella ka pasur të ndërtuara dhe të rindërtuara në kohë brenda mureve të saj – është kundërpyetja jonë? Atë vlerë që kanë muret rrethuese fortifikuese të Kështjellës së Tiranës, e kanë edhe objektet që ndodhen në brendinë urbane të saj, sepse ato përbëjnë një unitet funksional urban, arkitektonik dhe arkeologjik qysh në kohën e ndërtimit të tyre dhe deri në ditët e sotme. E kemi fjalën se nuk mund të cilësohen në kategorinë e parë muret rrethuese të një kështjelle, ndërsa mjedisi urban brenda tyre të trajtohet me mospërfillje në një kategori tjetër më të ulët. Konkretisht, ndërsa muret rrethuese të kështjellës ruhen të patjetërsuara, hapësira urbane brenda tyre është kthyer në një mjedis me restorante, pijetore, qofteri etj., ndërtime të reja këto, të cilat nuk kanë ekzistuar kurrë në historinë urbane të Kështjellës së Tiranës.

Të gjitha këto objekte qesharake kanë hedhur themelet mbi substancën arkeologjike, e cila nuk u zbulua, por u injorua. Brendia urbane e kështjellës, si pjesë e pandashme e dokumentit historik duhej të konsiderohej pjesë e pandashme e monumentit të kulturës. Ajo duhej të zbulohej dhe konservohej nga pikëpamja arkeologjike, të restauroheshin objektet arkitektonike dhe brendia e kështjellës të kthehej në mjedis muzeor; përveçse duhej të publikoheshin edhe rezultatet e gjurmimeve historike, që qytetarët të mësojnë rreth historisë së qytetit të tyre. Pra, këtu pati dy kategori qëndrimesh të diferencuara – njëra për muret rrethuese të kështjellës që të ruheshin, tjetra për brendinë urbane të kështjellës që është transformuar duke dhunuar vlerat historike të monumentit – pra të Kështjellës së Tiranës si dokument historik. Shembuj të tjerë ka plot, midis tyre edhe ajo që ndodhi me Hotel “Dajtin”.

Ky objekt ishte shpallur dhe mbrohej si ndërtesë historike, për të tria vlerat që ajo mbarte si monument kulture: si njësi arkitektonike në ansamblin urbanistik themelues të Tiranës evropiane (bulevardit “Dëshmorët e Kombit”); së dyti, të ruhej me funksionin e saj origjinal si hotel me vlera historike, përfshirë këtu pajisjet e brendshme statike të ndërtesës dhe mobilierinë origjinale të hotelit; së treti, të mbrohej vlera shtesë historike e tij, si dëshmitari i ngjarjeve dhe i personaliteteve që e kishin vizituar atë gjatë historisë së kryeqytetit (muze simbolik).

Por, rezultati ishte se hotel “Dajti” u shpall një ditë, pa kurrfarë kuptimi, monument kulture i kategorisë së dytë. Tashmë po transformohet në zyra, duke ia shkulur kështu ndërtesës memorien historike, pra, duke e zhvleftësuar nga monument kulture. Loja me kategorizime monumentesh kulture në këtë vend është shpikur dhe mbahet gjallë vetëm prej interesit të pushtetit. Për specialistët e fushës, ajo përbën armë vrasëse ndaj monumenteve të kulturës. 2. Mbi historinë, mbrojtjen dhe restaurimin e monumenteve të kulturës së Tiranës kam përjetuar vetë dy periudha zhvillimi. Ajo prej fillimit të viteve ‘70 dhe deri në fund të viteve ‘80 të shekullit të kaluar, kur jo vetëm është bërë shumë, por me rezultate pozitive themeluese, në gjurmimin, studimin, vlerësimin, shpalljen ligjore dhe mbrojtjen (restaurimin) e monumenteve të kulturës së kryeqytetit.

Dhe kjo tashmë e tri dekadave të fundit, kur është harxhuar shumë e më shumë energji në fushën e monumenteve dhe të arkeologjisë, por jo për ruajtjen dhe mbrojtjen, por në rrënimin grotesk të tyre. Ajo që i dallon në përmasa dramatike të dyja këto periudha është pra – fati i monumenteve të kulturës dhe i pasurisë arkeologjike anembanë vendit, e dukshme kjo edhe në Tiranë. Nuk ka ndodhur vetëm humbja fizike e monumenteve, por edhe tjetërsimi i pjesës më të madhe të mjediseve kulturore historike të kryeqytetit tonë, prej vrullit të papërmbajtshëm të ndërtimeve të reja që e ka mbërthyer Tiranën, të cilat e kanë shpërfytyruar identitetin e historisë së kryeqytetit.

Nuk është as fjala pse kryeqyteti po rritet me ndërtime të reja, as edhe pse po themelohen lagje të reja, ku nuk ka pasur më parë mjedise urbane. Fjala është, pse në emër të tyre janë goditur mjediset dokumentare të zhvillimit historik së Tiranës, njëherazi si ato me prejardhje tradicionale rurale prej antikitetit dhe mesjetës, pastaj mjediset urbane dhe objektet dëshmi të periudhës së formimit të Tiranës si kryeqytet (prej 1920), pastaj dëshmitë e ngritjes së Tiranës me tipare evropiane në vitet ‘20-‘30 të shekullit të kaluar, më tej edhe objektet dhe mjediset urbane tipike të periudhës së socializmit (përfshirë edhe ato të arkitekturës së ashtuquajtur staliniste apo ruse), të cilat duam apo nuk duam janë dëshmi të një realiteti historik të përjetuar etj.

Mjafton t’u hedhësh një sy shifrave të dhëna nga INSTAT që të shihet “energjia e papërmbajtshme e ndërtimeve të reja në kryeqytet”, një pjesë e mirë e të cilave kanë goditur për vdekje zemrën historike të kryeqytetit, duke filluar nga Kështjella e Tiranës e sipërpërshkruar dhe deri te vdekja klinike urbanistike dhe arkitektonike e Kullës së Sahatit, nga zhdukja e Teatrit Kombëtar dhe deri te ndërtimi i “Mjedisit Toptani-Plaza” mbi themelet urbane të themelimit të qytetit të Tiranës, e shumë të tjera – madje kur mëson nga këto statistika, se vetëm përgjatë vitit 2020 janë miratuar 961 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, ndërsa vetëm në tremujorin e parë 2021 janë miratuar gjithsej 251 leje ndërtimi etj.

Të them të drejtën, me ardhjen e Bashkisë Veliaj pata besim në deklaratat e tij premtuese-paravotuese, se ai do t’i kufizonte apo do t’i ndalonte ndërtimet e reja në kryeqytet si të panevojshme, por ndodhi e kundërta, i hodhi më shumë karburant makinave për ndërtime të reja. Tirana ka gati katër shekuj që është themeluar si qytet nga Sulejman Bargjini në vitin 1614, me ndërtimin prej tij të ansamblit urban të Kullës së Xhamisë së Vjetër, aty ku sot gjendet Monumenti i Partizanit të Panjohur. Çfarë ka mbetur sot nga dëshmitë e Tiranës si qytet i zhvilluar në shek. 18-20? Pothuajse asgjë nga qendra e vjetër historike. As gjurmë të Pazarit të Vjetër në vendin ku ndodhet sot Pallati i Kulturës, asnjë shenjë prej “Rrugës së Barrikadave” – dëshmi kjo e urbanizimit qytetërues para themelimit të saj si kryeqytet më 1920.

Nuk kanë mbetur as edhe ndërtesat e shek. 17, të cilat u zhdukën përfundimisht pa kërkime arkeologjike dhe dokumentacion aty ku sot është ngritur “Mjedisi Toptani-Plaza”, apo përgjatë “Rrugës së Postës” deri te “Sheshi Avni Rustemi” etj. Sot po i jepet goditja e fundit edhe atyre pak dëshmive të mbetura nga shekulli 19, si Sarajet e rrugës “Abdi Toptani” dhe ato të familjes feudale të Toptanëve brenda Kështjellës së Tiranës (për ironi të fatit, të dyja këto monumente kanë shërbyer si ish-Ndërtesa të vetë Institutit të Monumenteve të Kulturës). Pak javë më parë, njërës prej tyre iu vu zjarri si paralajmërim për ta zhdukur brutalisht nga faqja e dheut.

Tjetër ide origjinale kjo e “traditës vendase”, natyrisht ndjeshëm më e sinqertë prej asaj administrative pa përvojë të aplikuar për zhdukjen e Teatrit Kombëtar para disa muajsh. Por kujdes dashamirës të monumenteve të kulturës së Tiranës! Tashmë mbërriti edhe përvoja e “zjarrvënies së pyjeve” në paletën e strategjive të pushtetit për zhdukje monumentesh kulture, madje deri edhe në zemrën historike me monumente kulture të kryeqytetit. 3. Pa dyshim, monumentet e kulturës gëzojnë njohjen dhe respektin e shoqërisë njerëzore si dëshmi të identitetit historik. Ky respekt dhe detyrimi ynë për t’i mbrojtur ato nuk ka lidhje me vjetërsinë e tyre, por me vlerën dokumentare si dëshmi historike. Masakrën më të madhe ndaj trashëgimisë kulturore që i është bërë kryeqytetit tonë në tri dekadat e fundit, e dëshmojnë mjediset urbane dhe arkitektonike që e pajisën atë me fytyrë evropiane (pas pesë shekujsh nën Perandorinë Osmane) të ndërtuara me planifikim urbanistik në vitet ‘20-‘30 të shekullit të kaluar, pasi Tirana u shpall kryeqytet.

Midis tyre dallohen dy blloqet me vila, të ndara prej bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, njëra që mbyllet me Rrugën e Elbasanit dhe blloku tjetër i ngjashëm në simetri me atë, në krahun perëndimor të bulevardit “Dëshmorët e Kombit” (i ashtuquajtur Blloku i Udhëheqjes në kohën e Socializmit). Është interesant të vërehet se të dyja këto blloqe (ashtu si edhe të tjerat në drejtim të Malit të Dajtit) u ngritën në troje të lira ndërtimi, pa e prekur, por duke e respektuar urbanistikën e Tiranës së Vjetër. Këto ansamble urbanistike të mbushura krejtësisht me vila familjare dhe rezidenciale, me rrugë të gjëra të parashikuara për qarkullimin e makinave dhe trotuare anësuar me pemë, e pajisën Tiranën e Paraluftës me urbanistikën më moderne perëndimore të kohës.

Qysh në fund të viteve ‘80 të shekullit të kaluar kemi shfaqur propozimin, që ato të shpalleshin monumente kulture, si dokumente urbane përfaqësuese të formësimit të Tiranës kryeqytet. Por ndodhi e kundërta. Veçanërisht prej vitit 2000, vilat më të shumta të tyre janë zhdukur. Në vendin e tyre ngrihen sot ndërtime deri 12-kateshe, që e kanë shpërfytyruar, madje dhunuar unitetin urbanistik dhe arkitektonik të tyre. Pra, nuk është se kemi të bëjmë me ndonjë strategji inteligjente bashkëkohore urbanistike apo “korrigjime të vonuara” arkitektonike tradicionale nga urbanistët apo arkitektët tanë të sotëm. Tirana ka pasur përherë shumë hapësirë të lirë për të ngritur lagje të tëra me ndërtesa dhe pallate me sistem bashkëkohor urbanistik, për t’i kursyer ndërhyrjet dhunuese në ansamble të tilla autentike historike (në vend që këto të restauroheshin).

Por politika e tre dekadave të fundit ka treguar tjetër mentalitet në “ruajtjen” e historisë dhe trashëgimisë së kryeqytetit – rezultatin e Epokës së Virusit vendas 7501. 4. Kohë-pas-kohe i kam bërë pyetjen vetes – Pse duhet të prishen monumentet historike në Tiranë? Për dikë që ka punuar me monumentet në të dyja periudhat që dalluam më sipër, vjen vetvetiu përgjigjja – se po të ishte pushteti i interesuar për ruajtjen e lëndës arkeologjike të nëntokës dhe të monumenteve të kulturës së kryeqytetit, kjo nuk do të ndodhte. Pushteti i epokës së Ligjit 7501 në Shqipëri kërkon të privatizojë tokën e këtij vendi, e cila dikur ishte pronë private (para 1944) dhe më pas u deklarua shtetërore (deri më 1991).

Tani po privatizohet përsëri në duart e një pakice njerëzish, të cilët nuk e kanë pasur kurrë më parë. Ky privatizim po bëhet nëpërmjet stimulimit të ndërtimeve të reja, ose më saktë histerisë pa ndonjë domethënie të ndërtimeve të reja. Kjo është pa dyshim një histori e komplikuar, por pa perspektivë të mirë për këtë popull, për mendimin tim. Ajo që mua më dhëmb në këtë mes nuk është rezultati se kush po e përfiton këtë pasuri kombëtare, në xhepin e kujt privati shkon ajo, por shkatërrimi i pasurisë historike kombëtare shqiptare në nëntokën arkeologjike dhe të monumenteve të kulturës që ndodhen mbi tokë. Rezulton, pra, që institucionet përgjegjëse për shpalljen, ruajtjen, mbrojtjen dhe restaurimin e monumenteve të kulturës janë pajisur me struktura administrative të përkulshme përpara pushtetit dhe qeverisë.

Ato janë ndërtuar me kujdes të veçantë, që t’i përgjigjen vullnetit dhe strategjisë së tij. Jo vetëm drejtuesit janë të mirëzgjedhur për t’i shërbyer kësaj detyre, por edhe punonjësit teknikë nuk kanë shumë hapësirë të veprojnë ndryshe. Ai që nuk i përgjigjet kësaj “detyre” konsiderohet i paaftë dhe largohet. Vjen ai që e bën dhe bindet, për shumë arsye … Për shembull, ekipi i specialistëve të mi arkeologë dhe restauratorë ka tri dekada që kryen dhe publikon projekte nga më të mëdha në qendër të Evropës, ndërsa në Shqipëri është shpallur i padëshirueshëm, sepse kërkon të bëjë punën me ndershmëri profesionale, jo të zhdukë apo të vjedhë substancën arkeologjike, apo të shpërfytyrojë identitetin e një kishe apo faltoreje duke e “restauruar” sipas dëshirave të agjenturave që bredhin sot me para në dorë nëpër vendin tonë, natyrisht përfshi edhe Tiranën…

Po ashtu, si shembull, edhe unë vetë që e kam nisur jetën time profesionale në Institutin e Monumenteve të Kulturës me restaurimin e Xhamisë së Tiranës qysh në vitin 1973/74, të ndjekur në kryerjen e projekteve arkeologjike dhe restaurimi të panumërt përfshirë edhe ato në qendër, të Evropës, sot nuk jam më i pyetur nga Ministria e Kulturës, përfshirë edhe për fatin e monumenteve të kulturës së kryeqytetit, sepse në vendin tonë nuk kërkohet më si dikur apo gjetkë, mendimi bashkëkohor, përvoja dhe dora e kualifikuar…