Ky 250-vjetor i Amerikës është një mundësi e përkryer për t’u thelluar në historinë tonë të vërtetë


Nga: Johanna Neuman / New York Post (titulli: The left has tried its best to tarnish our national story. But America’s 250th is the perfect opportunity to dig into our real history)
Përkthimi: Telegrafi.com
Teksa vendosnin nënshkrimet e tyre në Deklaratën e Pavarësisë, 250 vjet më parë, etërit themelues e dinin se po rrezikonin gjithçka. Kundërshtimi i mbretit përbënte tradhti të lartë, të dënueshme me vdekje.
Në një letër drejtuar John Adamsit në vitin 1811, Dr. Benjamin Rush, mjeku më i shquar i Filadelfias, kujtonte “heshtjen e rëndë dhe solemne që mbizotëronte në sallë, kur u thirrëm njëri pas tjetrit për të nënshkruar atë që, në atë kohë, shumë prej nesh e besonin se ishte urdhri i vdekjes sonë.”
Thirrjet e fuqishme të Deklaratës - se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se të drejtat tona nuk burojnë nga njeriu apo qeveria, por nga Krijuesi ynë, dhe se qeveritë nuk mund të ekzistojnë pa pëlqimin e të qeverisurve - vazhdojnë të frymëzojnë edhe sot.
- Lexo po ashtu: Jeffersoni ndryshoi rrjedhën e historisë
Megjithatë, më shumë se një shekull sulmesh nga kritikët e majtë kanë njollosur figurën e themeluesve dhe vetë aktin e themelimit të shtetit. Në vitin 1913, historiani Charles Austin Beard nisi këtë valë kritikash me librin An Economic Interpretation of the Constitution of the United States [Një Interpretim Ekonomik i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara], duke argumentuar se etërit themelues nuk udhëhiqeshin nga dëshira për liri, por nga lakmia ekonomike. Brezat pasues i shtuan akuzat për racizëm dhe mizogjini. Historianë të ndryshëm arritën në përfundimin se revolucioni amerikan nuk ishte një revolucion i mirëfilltë - si ai i përgjakshmi në Francë - por, thjesht një korrigjim kursi.
Por, çdo lexim i rrënjëve ideologjike të Revolucionit Amerikan tregon se koncepti i vetëqeverisjes diskutohej gjerësisht në të gjitha shtresat e shoqërisë. Libri i Edward Gibbonit, History of the Decline and Fall of the Roman Empire [Historia e rënies dhe shkatërrimit të Perandorisë Romake], ishte një bestseller në Amerikë, duke përhapur idetë iluministe mbi virtytin qytetar. Historia e Romës së lashtë u bë udhërrëfyes për të ardhmen në ngjitje të Amerikës.
Nëse vepra e Gibbonit ndikoi drejtpërdrejt te etërit themelues, atëherë Common Sense [Arsyeja e shëndoshë] i Tom Paineit ndezi flakën e revolucionit te publiku i gjerë.
George Washingtoni - i emëruar komandant i Ushtrisë Kontinentale edhe përpara Deklaratës së Pavarësisë - kërkoi që libri t'u lexohej trupave të tij. Kongresi, teksa shqyrtonte çështjen e pavarësisë, e përpiu atë. Edhe kritikët, që u tkurrën nga gjuha e ethshme të Paineit, e pranuan ndikimin e tij.
Në një kohë kur shumë banorë të Amerikës Britanike ishin ende besnikë të Kurorës, ndërsa të tjerët kërkonin vetëm të drejtat qytetare që mund t’u siguronte një vend në Parlament, Painei e hodhi poshtë konceptin e së drejtës hyjnore të mbretërve. “Çështja e Amerikës është, në një masë të madhe, çështja e mbarë njerëzimit,” shkroi ai. “Ka ardhur koha të ndahemi.” Dhe, në fund, thirrja parafundore: “Ne kemi në dorë ta fillojmë botën nga e para ... Ditëlindja e një bote të re është pranë.”
Përballë kësaj historie krenare, e majta ka promovuar një narrativë kundërshtuese mashtruese. Udhëhequr nga Nikole Hannah-Jones, një autore e shtyrë nga një agjendë e caktuar, dhe i promovuar nga The New York Times në klasat mësimore në mbarë vendin, 1619 Project [Projekti 1619] pretendon se etërit themelues erdhën në Amerikë jo për lirinë fetare, por për të përjetësuar skllavërinë. Puritanët do të kishin mendim krejt tjetër.
Kjo është ajo që u është mësuar fëmijëve tanë - dhe pikërisht këtë presidenti Trump duket i vendosur ta korrigjojë përmes kremtimit të tij madhështor dhe plot krenari të 250-vjetorit të vendit tonë. Nën syrin e një ndërtuesi, Uashingtoni po i nënshtrohet një pastrimi të plotë - ujërat e mbuluara me alga të Pellgun e Baticës [Tidal Basin] së shpejti do të shkëlqejnë me të kaltrën e flamurit amerikan. Ndërkohë, heronjtë që u rrëzuan nga revizionistët po ngrihen sërish në këmbë.
Në Sheshin e Lirisë [Freedom Square], pranë kryqëzimit të Rrugës së 14-të me Avenynë e Pensilvanisë, Caesar Rodney po rikthehet. I sëmurë rëndë me kancer të lëkurës dhe duke vuajtur vazhdimisht nga dhimbjet, Rodney përshkoi 80 milje mes një stuhie për të hedhur votën e Delauerit në favor të Pavarësisë, duke siguruar që secila prej 13 kolonive të kishte të paktën një delegat që votonte pro saj. Statuja e tij mbi kalë, e rrëzuar gjatë trazirave të vitit 2020, është ngritur sërish.
Ndërsa Trumpi promovon patriotizmin, demokratët radikalë protestojnë kundër eksperimentit amerikan ku, siç u shpreh së fundmi sekretari i Shtetit Marco Rubio, “nuk je i kufizuar nga rrethanat e lindjes, nga ngjyra e lëkurës apo nga përkatësia etnike.”
Në Nju-Jork, kryetari i bashkisë, Zohran Mamdani, ka ndaluar grumbullimet me më shumë se 20 persona gjatë festimeve, të cilat do të shënohen me zbritjen tradicionale të topit në Sheshin Skuer [Times Square] në çastin kur 3 korriku i lë vendin 4 korrikut.
Ndërkohë, në Filadelfia, qyteti ku lindën si Deklarata e Pavarësisë ashtu edhe Kushtetuta, muzeu me emrin e qytetit ka hapur një ekspozitë të re që lexohet si një apologji për historinë amerikane. Tema e saj është se skllevërit e ndërtuan vendin, ndërsa kolonët e bardhë e kolonizuan atë. Për më tepër, fraza “Të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë” nuk vlente për të gjithë.
Por, në atë kohë, fjalët e Jeffersonit patën jehonë. Skllevërit, indianët dhe gratë - të gjithë e dëgjuan atë thirrje. John Adamsi shqetësohej se etërit themelues po hapnin Kutinë e Pandorës.
“Nuk do të ketë fund të kësaj,” shkroi ai.
“Do të lindin kërkesa të reja; gratë do të kërkojnë të drejtën e votës; të rinjtë nga dymbëdhjetë deri në njëzet e një vjeç do të mendojnë se të drejtave të tyre nuk u është kushtuar vëmendja e duhur; dhe, çdo njeri që nuk ka asnjë qindarkë do të kërkojë të ketë një zë të barabartë me cilindo tjetër.”
Në versionin e tij fillestar të Deklaratës, Jeffersoni përfshiu edhe një ankesë që do t'i befasonte kritikët e tij të shekullit XXI. Aty thuhej se mbreti George “ka zhvilluar një luftë mizore kundër vetë natyrës njerëzore, duke shkelur të drejtat e saj më të shenjta për jetën dhe lirinë ndaj një populli të largët” përmes skllavërisë. Lufta kundër ushtrisë më të fuqishme në botë - me një ushtri të çrregullt, ushtarët e së cilës shpesh marshonin zbathur - nuk mund të fitohej nëse Karolina e Jugut, Karolina e Veriut, Xhorxhia dhe Virxhinia do të largoheshin nga bashkimi. Ato do të ngriheshin ose do të binin së bashku. /Telegrafi/

































