Qytetarët janë të ndarë lidhur me njohurinë e tyre me punën e Kuvendit, tregojnë rezultatet nga anketa në terren për perceptimet e qytetarëve për punën e Kuvendit për periudhën qershor 2018 – prill 2019, të zbatuar nga Instituti për demokraci “Societas Civilis” (IDSCS) në periudhën 12-16 maj të këtij viti në 1.000 të anketuar.

Siç theksoi në takimin e së premtes me gazetarë Vlora Reçica, menaxhere projektuese në IDSCS, pothuajse gjysma ose 49 përqind nga të anketuarit janë prononcuar se pjesërisht ose tërësisht janë të njoftuara me punën e Kuvendit, ndërsa 50 përqind janë përgjigjur se pak ose aspak nuk janë të njoftuar me punën e tij.

“Nga temat të cilat janë diskutuar, qytetarët më së shumti janë njoftuar me ndryshimet kushtetuese dhe me diskutimin për Marrëveshjen e Prespës, ndërsa më së paku me debatet të cilat kanë ndodhur në Kuvend në periudhën e caktuar. Në pyetjen nëse vlerësojnë se Kuvendi është i hapur, për fat të keq, vetëm një e treta nga të anketuarit vlerëson se Kuvendi është i hapur për opinionin. Vlerësimi ndërkaq, të cilin Instituti çdo vit e jep për Kuvendin, e i cili del nga perceptimet e qytetarëve nga shkalla prej 1 deri 5, ku 5 është më së miri, këtë vit është 2.9, që është rritje nga viti 2018”, thotë Reçica.

Ajo shtoi se me këtë rast, pothuajse dy të tretat ose 59 për qind nga të anketuarit janë përgjigjur se më së shpeshti informohen përmes televizionit, 15 përqind informohen nga interneti përmes mediumeve sociale, nëntë për qind informatat i marrin përmes internet portaleve për lajme, vetëm tre për qind janë përgjigjur se informatat i marrin nga anali i Kuvendit, ndërsa asnjë nuk informohet nga web faqja e Kuvendit.

Nga të anketuarit nëntë për qind janë përgjigjur se nuk dëshirojnë të informohen për punën e Kuvendit, respektivisht se nuk u intereson.

Perceptimi i qytetarëve është edhe, thotë Reçica, se deputetët çdoherë i përfaqësojnë interesat personale, partiake ose të biznesit në miratimin e ligjeve. Në të vërtetë, mbi të dy të tretat (72%) nga të anketuarit vlerësojnë se deputetët në Kuvend çdoherë i përfaqësojnë interesat e partive politike dhe interesave të tyre personale (78%). Pothuaj gjysma e të anketuarve (46%) vlerësojnë se deputetët asnjëherë nuk i përfaqësojnë interesat e qytetarëve.

Nga të anketuarit, 62 për qind vlerësojnë se Qeveria ka kontroll ndaj Kuvendit, 17 për qind se Kuvendi ka kontroll ndaj Qeverisë (Siç është paraparë sipas Kushtetutës), ndërsa 20 për qind nga të anketuarit nuk kanë mendim lidhur me këtë çështje./Telegrafi/