Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka mirëpritur të gjitha masat e ndërmarra deri më tani nga Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) për parandalimin e përhapjes së COVID-19, megjithatë thuhet se për shkak të ndjeshmërisë në këto institucione këto masa nuk janë të mjaftueshme për zbutjen e situatës, respektivisht parandalimin e përhapjes së pandemisë apo ndonjë pakënaqësie që mund të rezultojë me ndonjë pasojë më të rëndë nga radhët e të dënuarve apo stafit korrektues.

QKRMT thekson se shumica e shteteve qoftë në rajon, Evropë apo edhe më gjerë kanë shfrytëzuar mundësitë ligjore ekzistuese, apo kanë vepruar përmes akteve të reja/ndryshimeve në legjislacionin përkatës duke adresuar këtë nevojë, ashtu që numër i madh i të dënuarve kanë përfituar nga lirimi nga dënimit, pezullimi i dënimit, falja, amnistia etj.

Duke ditur se legjislacioni aktual që rregullon këtë kornizë në Kosovë nuk ofron ndonjë mundësi për veprime të tilla, si zgjidhje e vetme mbetet mundësia që përmes ndonjë nisme për ndryshime ligjore të Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale (LESP) apo me akt të veçantë (Ligj për Amnisti etj.) të adresohet kjo çështje në mënyrë që një numër i të dënuarve të mund të përfitojnë dhe kështu të adresohet kjo problematikë edhe në institucionet korrektuese në Kosovë në kushtet e pandemisë.

QKRMT i është drejtuar Këshillit Gjyqësor dhe Gjykatave Themelore për ndërmarrjen e disa masave. /Telegrafi/