LAJMI I FUNDIT:

Qeveria përmbushi vetëm 26% të kritereve nga BE

Qeveria përmbushi vetëm 26% të kritereve nga BE

Përderisa Marrëveshja e Stabilizim Asoocimit(MSA) është marrëveshja e parë kontraktuale midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian, dhe është konsideruar si mjaft e rëndësishme për vendin tonë, Qeveria e Kosovës ka realizuar vetëm 26 për qind të kritereve të kërkuara nga BE, edhe pse kjo marrëveshje ka hyrë në fuqi prej 1 prillit 2016.

Me monitorimin që i ka bërë Grupi për Studime Juridike dhe Politike(GSJP), planit të veprimit të kësaj marrëveshje, nuk ka arritje të implementimit në tërësi për kriteret e MSA-së, ngase sipas hulumtueses në organizatën GSJP, Albana Merja, marrëveshja për MSA është shumë komplekse.


“MSA është marrëveshja shumë komplekse dhe nuk pritet të ketë arritje kaq shpejt, por të paktën edhe ato që janë nënshkruar dhe ato që vet Qeveria i ka marrë përsipër për ti bërë brenda këtij viti nuk janë realizuar dhe kjo është e keqja më e madhe, sepse janë marrë përsipër për t’u bërë një sërë çështjesh të përshkruara në vet Qeveria dhe vet institucionet e Kosovës dhe nga këto vetëm në gjashtë mujorin e parë janë realizuar vetëm 26-27 për qind që është shumë pak”, tha Merja.

Ndërsa, zëvendësministrja e Integrimeve Evropiane, Anila Statovci, tha se është vështirë të raportohet për masa konkrete.

“Rrjedhimisht meqenëse po flasim për ndryshime të mëdha, për reforma të ligjeve që është vështirë të maten, dhe vështirë të raportohen në masa konkrete se çka realisht është realizuar dhe çka është ka del nga kjo”, tha Statovci.

Ndër fushat më komplekse sipas saj, hyjnë transpozimi dhe adoptimi nga ana e Kosovës të standardeve të tregut të brendshëm, shërbimeve, politikat e konkurrencës dhe ndihmës shtetërore si dhe aspektet që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë.

“Si e para çka dëshirohet të arrihet me MSA-në është që të përafrohen kushtet e tregut të brendshëm të Kosovës që të mund të konkurroi me tregun ose bashkohet me tregun e Bashkimit Evropian. Rrjedhimisht, duke forcuar tregun e brendshëm, pastaj të krijohet mundësia e lëvizjes së mallrave në tregun e Bashkimit Evropian e tërheqjes së investimeve brenda Republikës së Kosovës”, theksoi Statovci.

Kurse, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, tha për KosovaPress se dikaster më i komplikuar dhe sfidues mbetet infrastruktura e cilësisë, në veçanti dikasteri i metrologjisë, për shkak të natyrës shumë specifike të sektorit dhe numrit të vogël të zyrtarëve që punojnë në agjencinë e metrologjisë në raport me kërkesat e tregut dhe portfolion që mbulon agjencia, por edhe mungesës së vetëdijes së bizneseve për t’i përdorur mekanizmat e infrastrukturës së cilësisë.

Ajo tha se Qeveria ka hartuar planin e implementimit me objektiva deri në vitin 2020 dhe me masa konkrete të cilat përditësohen çdo vit. Bajrami tha se tani kanë hartuar draftin e aktiviteteve të cilat do te realizohen në zbatim të këtij plani në vitin 2017, ndërsa aktualisht janë duke e zbatuar planin e vitit 2016, i cili ishte aprovuar në Qeveri në fillim të këtij viti.

Sipas saj, fusha e lëvizjes së lirë të mallrave legjislacioni primar për akreditim, metrologji, standardizim dhe vlerësim të konformitetit është duke u përputhur edhe më tej.

“Kosova ka arritur progres në aspektin e legjislacionit në fushën e të Drejtave të Pronësisë industriale. Ligjet mbi Patenta, Marka tregtare, Dizajn Industrial dhe Tregues Gjeografik dhe emërtimet e origjinës, janë miratuar dhe janë në përputhje të plotë me ‘acquic”, tha ministrja Bajrami.
Ndërsa, ministri i Financave, Avdullah Hoti tha për KosovaPress se për vitin 2016 janë rreth 50 milionë euro më pak të hyra për shkak të politikave fiskale dhe të marrëveshjes së implementuar të MSA-së.

“Kemi pasur minus 25 milionë euro si rezultat i zbatimit të MSA-së nga data 1 prill e këtij viti. Pra në total kemi 48 milionë euro më pak për shkak të politikave fiskale dhe MSA-së”, tha Hoti.

Ndryshe, në një ceremoni zyrtare në Doganën e Kosovës kur nisi zbatimi i MSA-së më 1 prill, ishte quajtur kjo marrëveshje nga zyrtarë të lartë të shtetit historike për Kosovën. Nga kjo datë janë hequr tarifat doganore nga 10 për qind në zero për qind. /Telegrafi/