Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka zhvilluar sot një mbledhje elektronike, ku ka miratuar dy vendime me rëndësi në fushën e mbrojtjes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Në këtë mbledhje, është miratuar vendimi për të kërkuar nga Presidentja e Republikës dhënien e autorizimit për nënshkrimin e Marrëveshjes Kornizë për Bashkëpunim në Fushën e Mbrojtjes ndërmjet Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Mbrojtjes, dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga Departamenti i Mbrojtjes.


Gjithashtu, Qeveria ka miratuar vendimin për ofrimin e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme për pesëdhjetë (50) persona, në kuadër të bashkëpunimit me SHBA-të. Gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, këta persona do të veprojnë në përputhje me ligjet në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat e garantuara nga legjislacioni i Republikës së Kosovës.

Para marrjes së vendimit, Qeveria kishte shprehur gatishmëri për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu ka thënë për Telegrafin se “Në përgjigje të kërkesës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës lidhur me pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme të shtetasve të vendeve të treta, ne kemi shprehur gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara në trajtimin e kësaj çështjeje, në përputhje me kushtet e përcaktuara”.

E lidhur me këtë gatishmëri të Qeverisë në detyrë, ambasada e SHBA-së në Kosovë ka thënë se e mirëpresin këtë bashkëpunim.

“Jemi mirënjohës ndaj partneres sonë, Kosovës, për pranimin e shtetasve të vendeve të treta të larguar nga Shtetet e Bashkuara dhe për lehtësimin e kthimit të sigurt të këtyre të huajve në vendet e tyre të origjinës. Ne mirëpresim bashkëpunimin në këtë përparësi kyçe të Administratës Trump”, ka thënë për Telegrafin një zëdhënës i ambasadës.

Propozimi për ngritjen e qendrave të kthimit është pjesë e një strategjie më të gjerë të Mbretërisë së Bashkuar për të adresuar numrit në rritje të emigrantëve që mbërrijnë në ishullin anglez përmes rrugëve të paligjshme.

Megjithatë, organizata ndërkombëtare Human Rights Watch ka shprehur shqetësimin se përdorimi i vendeve të Ballkanit si vende pritëse për emigrantët mund të shkelë të drejtat e tyre dhe të krijojë sfida të reja për vendet pritëse.

Në një marrëveshje të ngjashme që po ashtu kishte nxitur kritika, në vitin 2022, Kosova dhe Danimarka u pajtuan për dhënien me qira të 300 qelive burgu në Institucionin Korrektues në Gjilan për të strehuar të burgosur të huaj që pritet të dëbohen nga Danimarka pas përfundimit të dënimit.

Në këmbim, Kosova do të përfitojë mbi 200 milionë euro, të cilat do të investohen në Shërbimin Korrektues dhe në projekte të energjisë së ripërtëritshme.

Kjo marrëveshje kishte ngjallur reagime nga organizatat ndërkombëtare dhe shoqëria civile, të cilat kanë shprehur shqetësime për mundësinë e shkeljes së të drejtave të njeriut dhe për sfidat që mund të sjellë menaxhimi i të burgosurve të huaj në Kosovë.

Më parë, Kosova kishte strehuar edhe rreth 1.900 shtetas afganë, që ishin evakuuar nga Afganistani pas rikthimit të talibanëve në pushtet në vitin 2021. /Telegrafi/