LAJMI I FUNDIT:

Qeveria: Ligjin për Trepçën nuk mund ta kontestojë asnjë gjyqtar 

Qeveria: Ligjin për Trepçën nuk mund ta kontestojë asnjë gjyqtar 

“Ligji për Trepçën nuk mund të kontestohet për kah ana Kushtetuese nga ndonjë gjyqtar Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme”, ka deklaruar Besnik Berisha, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.


Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Berisha ka thënë se i vetmi institucion kompetent për interpretimin e përshtatshmërisë së një ligji apo akti nënligjor është Gjykata Kushtetuese.

“Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se Ligji për Trepçën është në përshtatshmëri të plotë kushtetuese dhe i njëjti nuk cenon asnjë të drejtë siç pretendohet në këtë komunikatë”, ka deklaruar Berisha.

Dhoma e Posaçme, ka shtuar ai, nuk ka autoritetin për të vlerësuar kushtetutshmërinë dhe i nënshtrohet interpretimeve të Gjykatës Kushtetuese.

“Prandaj pretendimi i një gjyqtari apo kushdo qofshin ata, mund të jetë një opinion personal që mund të shkaktojë një konfuzion, por asesi nuk mund të ndryshon statusin e Ligjit për Trepçën”, ka thënë Berisha.

Reagimi i tij ka pasuar një komunikatë të lëshuar nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, ku thuhet se një gjyqtar i Supremes nga EULEX-it konstaton se Ligji për Trepçën është antikushtetues. /Telegrafi/