LAJMI I FUNDIT:

Qeveria Kurti nuk parasheh ndërtimin e autostradës së Dukagjinit por vetëm zgjerim të rrugëve

Qeveria Kurti nuk parasheh ndërtimin e autostradës së Dukagjinit por vetëm zgjerim të rrugëve

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, ka publikuar programin qeverisës, ku prioritet është menaxhimi i pandemisë COVID-19 dhe ringjallja ekonomike.

Sa i përket infrastrukturës, Qeveria zotohet se do të angazhohet për krijimin e sistemit të integruar për transportin rrugor, hekurudhor dhe ajror, në funksion të zhvillim ekonomik, transmeton Telegrafi.


Po ashtu, në plan janë përmendur edhe disa projekte infrastrukturore, por që nuk është paraparë edhe ndërtimi i autostradës së Dukagjinit.

“Krijimi i sistemit të integruar për transportin rrugor mundëson lidhje më të mirë dhe më të shpejtë mes rajoneve brenda vendit dhe jashtë saj. Për të arritur këtë, do të përfundojmë projektet ekzistuese infrastrukturore, si ndërtimin e segmentit të autostradës Besi-Merdare dhe autostradës Prishtinë – Gjilan, zgjerimi i rrjetit ekzistues rrugor Prishtinë-Mitrovicë dhe autoudhën Kijev-Zahaq, do të zbatojmë projektet e reja si zgjerimi i rrugëve nacionale Istog- Pejë- Deçan – Gjakovë – Prizren, përfshirë rrugët qarkore, rehabilitimin e rrugëve kombëtare Qafë Duhël – Shtime- Ferizaj, që lidhet me autostradën Prishtinë – Shkup, si dhe ndërtimi i rrugëve kufitare Deçan-Plavë, Prizren-Tetovë dhe Gjilan – Kumanovë”, thuhet në planin e Qeverisë.

Më tej, Qeveria thotë se “vëmendje të veçantë do t’i kushtojmë rehabilitimit të rrjetit ekzistues si dhe ndërtimit të rrugëve të reja, si dhe ndërtimit të unazës së jashtme të Prishtinës”. /Telegrafi/