LAJMI I FUNDIT:

Qeveria hyn në huamarrje për financimin e projekteve të paplanifikuara mirë

Qeveria hyn në huamarrje për financimin e projekteve të paplanifikuara mirë

Zyra Kombëtare e Auditimit, për për herë të parë ka nxjerrë një raport auditimi për menaxhimin e borxheve publike. Qeveria në periudhën kohore 2009-2017 ka respektuar të tërësi kufirin e lejuar për marrjen e borxheve publike dhe niveli i borxhit nuk paraqet ndonjë kërcënim për stabilitetin financiar të shtetit.

Borxhi publik është përdorur për financimin e deficitit të buxhetit dhe financimin e projekteve investuese të cilat vlerësohen të jenë me interes kombëtar.

Borxhi ndërkombëtar dhe i brendshëm, ka një trend të rritjes ku në vitin 2009 borxhi i përgjithshëm ishte 6.12 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto, ndërsa në vitin 2017 është rritur në 16.63 për qind.

Derisa cilësia menaxhuese me borxhet publike është vlerësuar shumë e mirë, shqetësuese është aftësia e dobët e organizatave zbatuese të projekteve në shfrytëzimin me kohë të këtyre fondeve. Në mungesë të përgatitjeve të duhura për fillimin e ekzekutimit të projekteve, 295,809,378 euro janë mjete të cilat nuk janë tërhequr/shpenzuar sipas marrëveshjeve të arritura me institucionet financiare ndërkombëtare, edhe pse kanë qenë në dispozicion për t’u përdorur”, thuhet në njoftimin e Zyrës Kombëtare e Auditimit të Kosovës, përcjell Telegrafi.

Si pasojë e mospërputhjes së dinamikës kohore në mes të alokimit të kredive dhe realizimit të projekteve, vlera e paguar e tarifave të zotimit për mjetet e kredive të pa tërhequra nga huamarrësit arrin kuotën prej 890 mijë euro.

Është vërejtur se nga gjashtë projekte kapitale të planifikuara në Ligjin e buxhetit sipas viteve 2014, 2015, 2016 dhe 2017 dhe projeksioneve dy vjeçare të përfshira edhe në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve, realizimi është shumë i ulët, ndërsa në tre prej tyre vlera e realizimit apo tërheqjes së kredive është zero për qind.

“Vonesat e tilla janë rezultat i një studimi të dobët të fizibilitetit të projekteve, si dhe mangësitë në krijimin e parakushteve të nevojshme për eliminimin e të gjitha pengesave infrastrukturore dhe ligjore në realizimin e këtyre projekteve, për çka Qeveria duhet të ketë një mbikëqyrje të shtuar. Në anën tjetër, trendi i rritjes së borxheve të brendshme, e sidomos shtimi i përdorimit të fletë obligacioneve dhe zvogëlimi i bonove të thesarit, ndikon në rritjen e normave të interesit (kostos së borxhit)”, vijon njoftimi.

Në fund, Auditori i Përgjithshëm ka rekomanduar Qeverinë që para se të filloj procesi i huamarrjeve, të bëhen analiza dhe planifikime të hollësishme që fondet e huamarrjes të shfrytëzohen me kohë, në mënyrë efikase, efektive dhe ekonomike, derisa për borxhin aktual Qeveria duhet të ketë një mbikëqyrje të shtuar në mënyrë që të rritet dinamika e përdorimit të fondeve në dispozicion. /Telegrafi/