LAJMI I FUNDIT:

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar bëhet me pajisje të reja

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar bëhet me pajisje të reja

Ministria e Punëve të Brendshme, konkretisht Qendra Kombëtare për Menaxhimin Kufitar dhe Programi për Kontrollin e Eksportit dhe Sigurisë Kufitare sot ka shpalosur programin përmes të cilit do mundësohet menaxhimi më i mirë i kufijve, dhe luftimi i krimit në Kosovë.

Ky sistem i cili u demonstrua sot është donacion i Ambasadës Amerikane, ku i pranishëm ishte edhe ministri i Punëve të Brendshme Ekrem Mustafa, sipas të cilit me këtë qendër do mburret Kosova.


Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Isa Xhemajlaj tha se përmes këtyre pajisjeve të reja u krijua një formë e re në Kosovë për lajmërimin e krimit të organizuar, korrupsionit dhe dukurive tjera të paligjshme.

“Është qendra më e zhvilluar duke u mundësuar edhe shteteve fqinje që të ndaj ata përvojën. Pra, është një aset i ministrisë së Punëve të Brendshme. Kemi një formë për lajmërimin e krimit të organizuar, korrupsionin dhe formave të tjera të paligjshme ku të gjithë qytetarët mund t’i drejtohen këtij numri dhe do marrin informata me shpejtësi. Po ashtu edhe gjithë zyrtarët policor që janë çoftë duke kryer detyrën në terren, çoftë nëpër pika statike do jemi në gjendje që në një afat prej pak minutash t’i informojmë mbi të dhënat edhe të personave, edhe të automjetit edhe të lokacionit se ku ka ndodhur ngjarja. Pra, është një e arritur e madhe” ,tha Xhemajlaj.

George Rick Clark këshilltar Regjional të Programit e Menaxhimit Kufitar dhe Programi për Kontrollin e Eksportit dhe Sigurinë e Kufijve(EXBS) duke shprehur i kënaqur që ky program tashmë është aktiv në Kosovës tha se kjo qendër u ndihmon qytetarëve të raportojnë për krimin kudo që ndodh.

Teksa e ka shpjeguar këtë program Clark u shpreh se kjo qendër do ta lehtësojë dhe do të ndihmojë edhe oficerët.

“Ekzistojnë dy pjesë të sistemit njëherë e kemi një sistem të menaxhimit përmes zërit apo VOIP, ky sistem ndërlidhet me 16 data baza të tjera po ashtu ka mundësinë që të ndërveprojë me bazat e Bashkimit Evropian dhe të Amerikës, dhe kjo do ndodh në të ardhmen kur Kosova do të bëhet anëtare e EUROPOL, INTERPOL, dhe disa bazave tjera në Amerikë. Sa i përketë VOIP-së dhe menaxhimit të rasteve qytetarët e Kosovës mund të thërrasin këtë qendër dhe të raportojnë çfarëdo krimi ose tentative të krimit jo vetëm nëpër kufijtë e Kosovës por kudo brenda saj, munden të raportojnë korrupsionin, ndërsa pjesa e tretë e sistemit ka të bëjë me atë që të gjithë oficerët apo zyrtarët në terren mund të thërrasin qendrën dhe të kërkojnë ndihmë mund të verifikojnë targat e veturave, nëse persona ka qenë i arrestuar, mund të shikojnë nëse është i kërkuar apo jo, mund të kërkojnë numrin e letërnjoftimit, numr in e pasaportës”, u shpreh Clark.

Alan Willson këshilltari i lartë për Menaxhimin e Integruar të Kufirit në EULEX tha se përmes këtij sistemi Kosova po fillon një epokë të re në menaxhimin e kufijve, dhe në këtë aspekt mbetet shembull për vendet e rajonit.

Sipas tij kjo qendër tashmë ka edhe planin e saj të veprimit për menaxhim të kufijve, ndjekjen e krimit të organizuar, migrim ilegal.

“Kemi një plan veprimi me gjashtë pika i cili së fundmi është aprovuar nga zëvendësministri këtu i cili në bashkëveprim edhe me trajnimet që do ofrohen nga Doganat e Mbretërisë së Bashkuar do mundësojnë në lëvizjen para të kësaj qendre. Ekziston një perspektiv kredibile e zgjerimit për një angazhim të shtuar të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor. Ka gjashtë pika është ajo që merret me fuqizimin dhe me ri fuqizimin e sigurisë, kjo përfshinë menaxhimin e kufijve, ndjekjen e krimit të organizuar, ndjekjen e migrimit ilegal dhe elementi më i rëndësishëm është se kërkon se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të krijojnë një qendër të tillë të ngjashme të menaxhimit të kufijve” tha ai.

MPB përmes mekanizmit të QKMK-së i inkurajon qytetarët që të shfrytëzojnë numrat pa pagesë 080050095 po ashtu me sms në numrin 50095, në të cilët mund të raportojnë çdo dukuri negative që vërejnë në kufi dhe në brendi të vendit që ndërlidhen me sigurinë kufitare, evazionin fiskal, shëndetin publik, etj./