Me nisma sikur Panairi i Grave Ndërmarrëse, me mbështetje të drejtpërdrejtë që ministria e bën për bizneset e grave, promovimin dhe ngritjen e vetëdijes te të gjithë qytetarët për rëndësinë e blerjes së produkteve vendore, synohet që të fuqizojmë ekonominë e vendit.

Kështu ka thënë ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila gjatë hapjes së Panairit “Gratë në Biznes”, i cili ka hapur dyert sot në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.


Në hapjen e panairit mori pjesë edhe, e cila tha se ka pasur një ngritje të numrit të punësuar të grave në vend përgjatë mandatit të kaluar të Qeverisë së Republikës së Kosovës, por ky numër nuk është ende në stadin e duhur.

“Qeveria e Republikës së Kosovës intensivisht gjatë mandatit të kaluar ka punuar në fuqizimin ekonomik të grave. Nga numri i tërësishëm i të punësuarve sa ishin në vitin 2019, 303 mijë, numri zyrtar i të punësuarve në Republikën e Kosovës është rritur në 410 mijë. Prej tyre mbi 53 mijë janë gra dhe vajza të reja që kanë hyrë në tregun e punës. Thënë këtë, prapë numri total i grave në tregun e punës nuk është aty ku duam ta kemi. Vetëm 30% e grave, të cilat janë aktive për tregun e punës, gra dhe vajza, sot aplikojnë apo kërkojnë punë, dhe synimi ynë është që ky numër të rritet derisa të arrijë barazinë e plotë të djemve dhe burrave në tregun e punës.” tha ajo.

Ministrja në detyrë premtoi se do të vazhdojnë të krijojnë kushte më të mira për gratë në biznes.

“Me nisma sikur kjo për Panairin e Grave Ndërmarrëse, me mbështetje të drejtpërdrejtë që ministria e bën për bizneset e grave, me promovimin dhe ngritjen e vetëdijes te të gjithë qytetarët për rëndësinë e blerjes së produkteve vendore, synojmë që të fuqizojmë ekonominë e vendit, të rrisim prodhimin vendor, e gjithashtu edhe të fuqizojmë gratë dhe vajzat në tregun e punës”, tha ajo.

Kusari-Lila nuk e la pa përmendur rëndësinë e platformave online për promovim të bizneseve. Ajo u shpreh se në këtë mënyrë kalon promovimi i produkteve në nivel ndërkombëtarë, duke e theksuar se ministria që ajo drejton po e bën në vazhdimësi po këtë.

“Nuk do të ndalemi, e dimë se ka shumë punë për t'u bërë, e gjithashtu edhe shumë rëndësi të krijojmë platforma në të cilat gratë dhe vajzat plasojnë produktet e tyre, prandaj prej platformave online e deri tek vendet e përcaktuara për shitjen e produkteve në tërë territorin e Republikës së Kosovës, do të vazhdojmë t'i krijojmë këto mundësi, si dhe promovimin e këtyre produkteve jashtë vendit përmes mbështetjes së panaireve të cilin ministria që drejtoj e bën në vazhdimësi. Andaj, ju uroj punë të mbarë, shpresoj që prej sot e tre ditët në vijim, do të keni edhe qytetarë, e vizitorë, e diasporë që vijnë, blejnë, dëshirojnë produktet e juaja, e gjithmonë mund të llogarisni në mbështetjen dhe përkrahjen tonë të parezervë.” përfundoi ministrja në detyrë.

Në anën tjetër gratë me idenë e promovimit të bizneseve të tyre, u shprehën se nuk kanë marrë ndonjë lloj mbështetje.

Gyltene Jakaj nga Ferizaj, kur u pyet se a ka marrë ndonjë mbështetje nga ministria, u shpreh se përgjatë këtyre dy viteve nuk është se iu janë ofruar ndihmesa apo përkrahje nga shteti.

“Merrem me biznes që dy vite, me studio grafike dhe gift shop, Akil Design...Nuk na ka përkrahur shteti aspak, vetëm me mundësitë tona...Po, kemi pasur punë, jemi mirë me dizajn, reklama. Kemi pasur punë, tash sezona, edhe patëm qejf me marrë pjesë edhe në panair.” tha Jakaj.

Ndërsa, pronarja e firmës “99 Lule”, Havushe Bunjaku tha se po të mos ishte përkrahja nga organizatat ndërkombëtare, biznesi i saj nuk do të kishte suksesin që e ka. Ajo tregoi dhe se si ishte fillimi i një biznesi në vitin 2010 dhe se si i ndihmoi pjesëmarrja në panaire.

“Nga 2010 e kemi filluar biznesin 99 Lule, kryesisht me bimë mjekësore dhe aromatike. Pastaj 2012 e kemi regjistruar, 2013 e kemi marrë licencën, dhe nga viti 2017 i kemi produktet e çertifikuara organike. Kam marrë pjesë shumë herë nëpër panaire, por panairi e ka atë vlerën e vet për shkak se ne vazhdimisht krijojmë produkte të reja, kemi dëshirë me i prezantu produktet e reja, dhe ato produkte të tjera që i kemi, me u lidh me njerëz të rinj, me blerësa të rinj.... 99 Lule nga shteti asnjëherë nuk është përkrahur. Vetëm prej organizatave ndërkombëtare po, mos të ishin ato ndoshta edhe nuk kishim mund me ekzistu 99 Lule. Ne i kemi industrializu produktet bimore, bimët mjekësore, aromatike, i kemi kthyer në produkte finale Ne i kemi tre linja të përpunimit. E kemi linjën e përpunimit të çajrave dhe erëzave, linjën e fermentimit të uthullës dhe linjën e përpunimit të vajrave dhe kremave” tha ajo.

Sikurse Jakaj, edhe Bunjaku theksoi të njëjtin problem se si ministria nuk ju ka ofruar ndihma.

Panairi i Grave do të jetë i hapur deri më 5 gusht. /kp/