LAJMI I FUNDIT:

Putini i nënvlerësuar nga demokracitë liberale

Putini i nënvlerësuar nga demokracitë liberale
Ilustrim

Nga: Federico Rampini / Corriere della Sera
Përktheu: Eugjen Merlika    

Përse Vladimir Putini ka vendosur që ky është çasti i përshtatshëm për të shpërthyer një luftë në zemër të Evropës? Çfarë bashkon vizionin e tij me analizën e botës që bën Xi Jinping-u? Përse Perëndimi ka arritur i papërgatitur në një bejleg kaq të llahtarshëm? Një fill i kuq bashkon përgjigjet e këtyre pyetjeve: është rënia e vetëvlerësimit të demokracive liberale, të rrethuara në brendësi të tyre, më parë se nga kundërshtarë të fuqishëm të jashtëm. Mbas nënvleftësimit të kërcënimeve të Putinit në vitet e shkuara e tani mbas hipokrites “As me Rusinë as me NATO-n” del në pah ky problem më i përgjithshëm, që ka dhënë ndihmesën e vet në shpejtimin e agresionit kundër Ukrainës. Dhe, çmobilizimi ideologjik i Perëndimit: prej kohësh i përqendruar në procedimin e vetvetes, në kriminalizimin e historisë së tij, në fajësimin për tmerret e imperializmit. Vetëm t’atij të tijit, kuptohet: imperializmat ruse ose kineze nuk kanë rëndësi. Nëse e gjithë e keqja e botës vjen prej nesh, përse do të duhej të mbikëqyrnim atë që don të na gjunjëzojë? Për çfarë arsye do të duhej të fuqizonim mbrojtjen në kufijtë lindorë të NATO-s, nëse i vetmi militarizëm që ka mbjellë planetin me dhimbje është i yni?


Kjo sindromë vetëshkatërruese është e mprehtë n’Amerikë. Atentati demokracisë amerikane ka qenë mjaft i dukshëm në presidencën filo-putiniane të Trumpit. Ende disa ditë më parë, para se të arrinin n’ekranet tona pamjet e llahtarshme të bombave e të vdekjes në Ukrainë, ish presidenti amerikan mendonte ta përcaktonte “Putini një gjeni, Bideni një i paaftë”. Tashmë partia republikane po e ndryshon shënjestrën e saj dhe rryma e saj filoruse është në vështirësi, por për shumë kohë kjo e djathtë e ka përshkruar Amerikën si një demokraci të rreme, ku të tjerët fitojnë vetëm në sajë të dallavereve zgjedhore. Në ballin e kundërt, përçmimi për liberal-demokracinë amerikane është pasqyror dhe i ngjashëm. Lëvizja radikale e kundër-racizmit, Black Lives Matter, prej vitesh padit Shtetet e Bashkuara si Perandorinë e së Keqes. Përimtimet dhe parullat e saj shfrytëzohen rregullisht nga propaganda ruse e kineze. Emisionet në gjuhën angleze të RT (Russian TV) e Radio Sputnik, dy organet më të mëdha të propagandës putiniane, ishin të mbushur me të ftuar të së majtës radikale amerikane: veprimtarë të Black Lives Matter dhe docentë vetero-marksistë me katedra në universitete ku zotëron politically correct.

I vetmi gjenocid për të cilin flitet në shkollat amerikane nuk është ai që Putini do të donte të kryente kundër popullit ukrainas, simbas Zhelenskit: është ai që vetëm raca e bardhë ka kryer në dëm të indigjenëve. Racizmi, simbas Critical Race Theory të mësuar në shkollat publike, është një faj i përbashkët që vetëm të bardhët duhet ta pranojnë e ta shlyejnë. Ndërmjet së djathtës shkatërruese që kreu dhe ligjësoi sulmin mbi Campidolio më 6 janar 2021 dhe së majtës shkatërruese që ka predikuar urrejtjen kundrejt forcave të rendit, Amerika ishte shumë e shqyer nga luftërat e saj të brndëshme fetare, për të përshquar nga larg një sulm të jashtëm tashmë t’afërt.

Putini e Xi Jinping kanë strategji të ndryshme por bien n’ujdi mbi një diagnozë: Perëndimi është në një rënie të pakthyeshme, të vërtetuar nga shembja e jonë e vetëvlerësimit. Kur patriarku ortodoks merr në mbrojtje Putinin, nuk është trashëgimtari i një aleance historike ndërmjet fesë dhe Carit, është edhe kreu shpirtëror i një bote që na quan një shoqëri të squllur sepse tashmë është pa siguri. Përimtimet e Pekinit janë të njëjtë. Kur administrata Biden kritikon dhunimet e të drejtave njerëzore në Hsinkiang apo Hong Kong, përgjigja kineze citon Black Lives Matter ose aktakuzat e së majtës ”no border” të Aleksandra Ocasio-Cortez që padit Amerikën për të gjitha padrejtësitë planetare.

Tashmë Putini duket se ka arritur përfundimin e kundërt me dëshirat e tij: duket se ka zgjuar vërtetë bashkimin e Perëndimit, sedrën tonë dhe vullnetin për të mbrojtur demokracinë. Lidhja ndërmjet Evropës dhe Shteteve të Bashkuara i ka befasuar të gjithë. Mali i sanksioneve ekonomike të vëna në fushë është i pashembullt. Gjermanët fillojnë të marrin me seriozitet mbrojtjen dhe projekti i ushtrisë së përbashkët evropiane mund të dalë nga një letargji tridhjetëvjeçar. Ndihen të lajmërohen kthesa energjetike të vendosura për të pakësuar vartësinë e pambrojtshme nga Rusia. Ndoshta agresioni kundër Ukrainës ka qënë një goditje e shëndetshme, fillimi i një ndërgjegjësimi, madje i një ringjalljeje.

Putini e Xi venë bast kundër këtij skenari. Befason gjuha e Kinës, që ka shumë për të humbur në shpejtimin e një lufte që çekuilibron ekonominë globale. “Nuk ka rëndësi sa është e pasigurt dhe e rrezikshme gjendja ndërkombëtare – thotë ministri i Jashtëm Wang Yi – Kina e Rusia do të ruajnë përqendrimin strategjik dhe bashkëpunimin për epokën e re”. Moska e Pekini duken të bindur se mbas këtij bashkimi të dukshëm, oportunizmi i biznesit nga një anë dhe tarafet tona kundër-perëndimore nga tjetra, do të kthehen të na ndajnë.