Punësimet familjare, provimi i Jurisprudencës, e i noterisë kanë shkaktuar debat të ashpër ndërmjet ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu në njërën anë dhe deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu dhe Abelard Tahirit në anën tjetër.

Ministrja Haxhiu tha se në të kaluarën ka pasur ndërhyrje tek Komisioni për provimin e Jurisprudencës dhe disa anëtarëve u ka shkuar lista me emrat që duhet ta kalojnë provimin.

“Nuk po më vjen mirë që po e them, por kjo ka ndodhur”, tha Haxhiu.

Sipas saj, kësaj radhe askush nga anëtarët e Komisionit s’ka pasur listë se kush duhet të kalojë provimin.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetes së PDK-së, Blerta Deliu.

“Do të ndalem te deklarata e Haxhiut që përfaqëson pozitë të rëndësishme.. si deputete kisha pas dëshirë të shoh pozicionin e saj të ndarë si ministre e Drejtësisë në raport me partinë politike që përfaqëson.

…Tha se është bërë manipulim në kalimin e provimit të Jurisprudencës, mund ta kuptojë këtë deklaratë politike… mund ta kuptojë edhe një deklaratë të tillë edhe nga zonja Haxhiu po për besë është pak ofenduese për ata gjyqtarë, prokurorë e avokatë të denjë..

Pajtohem se ka pasur raste të tilla… fundja kemi parë rastin e Bislimit ku në Agjencinë e Akreditimit është emëruar nipi i tij… Nuk do të hyjë në emra të përveçëm por konsideroj se do të duhej të jetë më e matur… dua ta shoh ministren time më të matur sepse po flasim për një proces shumë të rëndësishëm”, tha ajo.

Më pas, ka folur sërish ministrja Haxhiu duke thënë se edhe provimi i Noterisë është shembulli më i keq në Kosovë.

“Shembull të keq kemi edhe me provimin e Noterisë…. procesi më i kompromentuar… militantë, teze, dajë, reja, veç gjyshërit e gjyshet që se kanë kaluar atë…”.

Pas kësaj deklarate ka reaguar deputeti Abelard Tahiri, i cili theksoi se procesi i noterisë ishte transparent dhe i organizuar mirë.

Më tej, Tahiri i tha ministres Haxhiu se zëvendësministri i Drejtësisë e ka vëllanë të involvuar në fajde.

“Ki zëvendësministër ku vëllanë e ka të involvuar në fajde…..vëllanë e ka të dënuar për fajde”, tha Tahiri.

Pas kësaj, ka reaguar sërish ministrja Haxhiu duke i thënë “Sa i përket zëvendësministrit të Drejtësisë, e di ku e ke hallin ti. Zëvendësministri Sallahu t’i ka ndal grupet kriminale brenda Shërbimit korrektues… këtu është sikleti yt”.

Pas debateve të ashpra, Haxhiu e ka pyetur deputeten e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, lidhur me punësimin e motrës së saj në prokurim të Kuvendit.

“Nëse flas me gjuhën e Abelard Tahirit atëherë zonja Deliu duhet të të pyes a keni ndikuar në punësimin e motrës tuaj në prokurim të Kuvendit… ose me ua përmend që dhëndri juaj është arrestuar në OSHP”, pyeti Haxhiu.

Deliu Kodra më pas reagoi, duke thënë se këto janë shpifje.

Më tej, deputetja Deliu-Kodra tha se kunati i ministres Haxhiu është i arrestuar për terrorizëm në Maqedoninë e Veriut.

“Si takohesh me një ministre të Drejtësisë së Gjermanisë kur në CV-në tënde shkruan se kunatin e keni të arrestuar për terrorizëm në Maqedoni”, tha Deliu-Kodra.

Por edhe për këtë reagoi ministrja Haxhiu.

“Zonja Deliu kur bën akuza të tilla duhet të rrijë në Kuvend e jo të ikë nga Kuvendi, se kur ka akuza të tilla ish dasht me qëndru. Për ata që nuk e dinë është fjala për rastin e Kumanovës, lë ta vlerësojnë institucionet e drejtësisë se di ka ndodh ai rast. Ndoshta Blerta Deliu e din. Le t’ju tregoj Blerta Deliu institucioneve të Kosovës, si ka ndodh rasti i Kumanovës. Pra, është mirë me tregu sepse është shumë e rëndësishme me ditë për Kosovën që shtetasit tanë që i kemi në Maqedoni ta dimë se çfarë ka ndodh me ta, kush qëndron prapa tyre”, tha Haxhiu. /Telegrafi/