Publikohet renditja e shërbimeve të inteligjencës në Evropë

Media franceze L'Express ka publikuar një renditje të agjencive më të fuqishme të inteligjencës në Evropë, ku në krye të listës është vendosur shërbimi britanik MI6, me gjithsej 251 pikë.
Sipas kësaj renditjeje, në vendin e dytë është pozicionuar DGSE e Francës me 169 pikë, ndërsa vendin e tretë e mban AIVD e Holandës me 97 pikë.
Në pozitën e katërt janë renditur bashkë dy shërbimet ukrainase, SBU dhe HUR, me 77 pikë, ndërsa shërbimi gjerman BND ndodhet në vendin e pestë me 62 pikë.
Në mesin e dhjetë shërbimeve më të vlerësuara evropiane janë përfshirë gjithashtu agjencitë e inteligjencës nga Suedia, Norvegjia, Estonia, Polonia dhe Danimarka.
Sipas L'Express, kjo listë është përgatitur nga një juri prej 60 profesionistësh ndërkombëtarë të inteligjencës, të cilët kanë vlerësuar pesë shërbime të huaja secili, duke dhënë nga pesë pikë për shërbimin më të mirë deri në një pikë për të pestin. Vlerësimi është bazuar kryesisht në efikasitetin dhe besueshmërinë e këtyre institucioneve.
Pas dhjetëshes së parë, në listë janë përfshirë edhe shërbimet e inteligjencës nga Rumania, Spanja, Finlanda, Zvicra, Italia, Belgjika, Republika Çeke, Lituania, Portugalia, Austria dhe Letonia. /Telegrafi/









































