LAJMI I FUNDIT:

Publikohet projekti “Barazi në punësim për komunitetin LGBTIQ”

Publikohet projekti “Barazi në punësim për komunitetin LGBTIQ”

Për herë të parë në Kosovë publikohet  indeksi për barazi në punësim të komunitetit LGBTIQ, nga kompania e burimeve “The HeadHunter”.

Përmes këtij projekti kjo kompani ka për qëllim ngritjen e vetëdijes së kompanive private kundër diskriminimit në vendin e punës për këtë komunitet.


Menaxheri i “The HeadHunter”, Dren Xhema tha se ky komunitet ka shumë probleme për punësim dhe se qëllimi i tyre është që këta persona të trajtohen të barabartë si gjithë të tjerët nëpër vendet e punës.

“Komuniteti LGBTI ka shume probleme për punësim. Ky projekt ka për qëllim vetëdijesimin e kompanive që ta trajtojnë këtë komunitet me të drejta të barabarta si gjithë të tjerët”, ka thënë Xhema.

Ai po ashtu tha se në këtë pyetësor kanë pranuar të përgjigjen vetëm kompanitë deri në 100 punëtorë, ndërsa ato më të mëdha nuk kanë pranuar të përgjigjen në këtë pyetësorë.

“Kompanitë e mëdha nuk kanë pasur dëshirë të jenë pjesë e projektit”, ka thënë Xheme, raporton Telegrafi.

“The HeadHunter” duke u bazuar në rezultatet e pyetësorit të cilat i ka bërë me disa kompani private do të ndajë disa çmime për ato kompani të cilat kanë marrë parasysh të drejtat e barabarta për punësim  për komunitetin LGBTIQ.

Por asnjëra nga kompanitë nuk ka arritur të fitoj çmimin e parë dhe të dytë.

Megjithatë, sipas tij më 17 maj ku do të zhvillohet një Gala Event do të ndahen tri trofe kompanive më të mira në treg si dhe  certifikatë-mirënjohjeje për katër  kompani të tjera, të cilat mbështesin LGBTIQ.

Ndërsa, Rina Braimi nga Cel Kosovo tha se një numër shumë i vogël i kompanive kanë marr pjesë në këtë projekt dhe se është tregues i qartë se sa politika gjithëpërfshirëse për këtë komunitet kanë kompanitë në vend.

“Është shumë e rëndësishme që të kemi politika gjithëpërfshirëse nëpër kompani private. Sipas Kushtetutës duhet të kemi kujdes me këtë komunitete. Numri pjesëmarrës i kompanive tregon shumë se sa politika gjithëpërfshirëse kanë ato”, ka thënë Braimi.

Ndryshe, 65 kompani kanë marrë pjesë në këtë pyetësorin e projektit  “Barazi në punësim për komunitetit LGBTIQ”. /Telegrafi/