Pse vazhdojmë të takohemi me njerëz që nuk duam më t’i shohim?

E presim fshehurazi mesazhin e anulimit, por sërish themi “po” – pas këtij zakoni që na lodh fshihet një ndjenjë shumë më e fortë nga sa mendojmë
A ju ka ndodhur ndonjëherë të ndiheni në siklet ta shtyni ose ta anuloni një takim, sepse e dini se personi tjetër po e pret me shumë entuziazëm ose, edhe më keq, se përveç planit me ju nuk ka ndonjë marrëveshje tjetër?
Të vetëdijshëm se sa shumë rëndësi ka ai takim për personin tjetër, përgatitemi pa dëshirë, duke shpresuar deri në çastin e fundit se ndoshta do të vijë një mesazh që e anulon marrëveshjen.
Gjatë takimit mezi gjejmë tema të përbashkëta. Biseda reduktohet në rrëfime për disa njerëz që i njohim nga rrethet e përbashkëta ose nga një periudhë e mëparshme e jetës. Nuk ndajmë të njëjtat pikëpamje, nuk kemi përvoja të ngjashme dhe shpesh përmbahemi që të mos nisim debat ose të mos themi diçka që mund ta lëndojë tjetrin.
Megjithatë, ndjenja e detyrimit na shtyn të caktojmë edhe një kafe ose drekë tjetër.
Ky lloj raporti, i njohur për shumë njerëz dhe që shkakton rëndesë e faj, ka marrë tashmë një emër: “guilt-lunch syndrome”, apo sindroma e drekës nga ndjenja e fajit, transmeton Telegrafi.

Pse shoqërohemi nga keqardhja?
Në këtë sindromë biem kur vazhdojmë të ruajmë kontaktin me dikë për arsye të gabuara. Shoqërimi me atë person nuk na sjell lumturi dhe kënaqësi, as nuk na frymëzon apo pasuron emocionalisht. E vazhdojmë marrëdhënien vetëm për shkak të fajit që do të ndienim po ta largonim nga jeta jonë.
Në anën tjetër zakonisht është një person të cilin nuk e konsiderojmë më mik të afërt, por thjesht njohje ose mik të vjetër, me të cilin prej kohësh kemi marrë drejtime të ndryshme.
Megjithatë, shpesh ndiejmë keqardhje për shkak të situatës së tij jetësore, të cilën ai mund ta përmendë vazhdimisht: ka humbur punën, ka probleme në vendin e punës, partneri e tradhton ose po kalon krizë martesore.
Pa e kuptuar as vetë pse, bëhemi për të një lloj shpëtimi dhe një krah ku mund të qajë. Për këtë arsye, ndihemi të detyruar t’i kushtojmë pak nga koha jonë.
Problemi është se pala tjetër mund ta marrë marrëdhënien shumë më seriozisht, ndërsa ndjenja jonë e fajit na mban pranë njerëzve me të cilët, në rrethana të tjera, ndoshta nuk do të ishim miqësuar fare.
Nëse përballë kemi dikë që di ta nxisë dhe ta ushqejë me mjeshtëri ndjenjën tonë të fajit për të përfituar, durimi ynë mund të vihet seriozisht në provë. Sepse shpesh jemi tepër të sjellshëm për të thënë të vërtetën dhe nganjëherë thjesht nuk kemi forcë ta refuzojmë ftesën.
Si të refuzoni me mirësjellje
Gjatë rritjes na kanë mësuar se duhet të jemi gjithmonë pranë të tjerëve dhe t’i dëgjojmë me durim problemet e tyre. Por shpesh harrohet të na thuhet se kjo nuk do të thotë se duhet të veprojmë kundër vetes dhe ta vendosim veten gjithmonë në fund.
Një dozë e shëndetshme egoizmi nuk është mangësi karakteri. Është mënyrë për ta mbrojtur kohën, energjinë dhe qetësinë tonë.
Nëse nuk dëshirojmë të takohemi me dikë, është krejtësisht në rregull ta refuzojmë ftesën, edhe kur kjo na bën të ndihemi në siklet. Ndonjëherë është më mirë të veprojmë si kur heqim një leukoplast: shpejt dhe qartë.
Sigurisht, nuk është e nevojshme t’i themi çdo personi drejtpërdrejt se nuk na pëlqen shoqëria e tij. Nganjëherë mjafton një refuzim i sjellshëm, por i qartë, që nuk lë hapësirë për këmbëngulje të mëtejshme.
Në vend të arsyetimeve të ndërlikuara dhe historive të sajuara, në të cilat mund të ngatërrohemi edhe vetë, mjafton të themi se nuk kemi kohë, se ajo ditë nuk na përshtatet ose se për momentin kemi nevojë për pak hapësirë për veten.
Sa më e thjeshtë të jetë porosia, aq më e vështirë është të keqinterpretohet.
Është gjithashtu e rëndësishme të dalim nga roli i personit që duhet të jetë gjithmonë i mirë, i gatshëm dhe i disponueshëm për këdo.
Nuk kemi pse të jemi krah për të qarë në çdo orë të ditës dhe as nuk jemi të detyruar t’ua zgjidhim problemet të tjerëve vetëm sepse këtë e kemi bërë deri tani.
Është plotësisht në rregull të pranojmë se disa njerëz thjesht nuk na përshtaten dhe të vendosim se nuk duam t’ua kushtojmë më kohën tonë të çmuar të lirë, të cilën edhe ashtu e kemi të kufizuar. /Telegrafi/



































