LAJMI I FUNDIT:

Pse testimi është i rëndësishëm për të rrafshuar lakoren e COVID-19?

Pse testimi është i rëndësishëm për të rrafshuar lakoren e COVID-19?

Kyç në frenimin e pandemisë së coronavirusit, që po e rrënon globin, mund të jetë një shkop i gjatë 15 centimetra, i bërë nga plastika ose druri, me një pambuk të vogël në fund.

I futur në hundën tuaj, derisa arrin pjesën e pasme, tamponi mund të përdoret për të mbledhur qeliza, ADN-ja e të cilave mund të analizohet dhe testohet për prani të SARS-CoV-2.


SARS-CoV-2 është emri shkencor i sëmundjes që gjerësisht njihet si coronavirus.

Tamponi nuk është ndjesia më e këndshme. Sidoqoftë, është një nga mënyrat më efikase për të testuar numër të madh njerëzish, thonë ekspertët, dhe për të kuptuar se kush duhet të vihet në karantinë, ku është duke goditur rëndë virusi dhe kush mund të jetë imun.

Disa vende, si Koreja e Jugut, janë vlerësuar për testime masive të popullatave të tyre dhe për frenimin e coronavirusit, por të tjerat kanë ngecur.

Këto të fundit përfshijnë Italinë dhe Spanjën, dy vendet e goditura më së keqi, dhe Shtetet e Bashkuara.

Si bëhen testet?

Ekzistojnë dy teste që janë aktualisht në përdorim. Ai që njihet më pak përfshin nxjerrjen e gjakut dhe më pas testimin e anti-trupave për coronavirus.

Anti-trupat janë proteinat në trupin e një personi që aktivizohen në përgjigje të një sëmundjeje, qoftë ajo bakteriale – pneumoni për shembull – ose virale, si gripi.

Testet e bazuara në anti-trupa, të njohura edhe si teste serologjike, përcaktojnë nëse një person ka pasur një sëmundje të caktuar.

Kjo zakonisht ndodh vetëm disa ditë pasi një person të jetë infektuar, pavarësisht nëse ka shfaqur simptoma ose jo.

Kjo edhe i bën këto teste më pak të dobishme për identifikimin e rasteve kur një sëmundje përhapet shpejt në mesin e popullatës.

Për këtë arsye, testi më i rëndësishëm për coronavirusin aktualisht është ai me tamponin e hundës.

Këto teste shpërndahen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë ose Qendra Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Testi kryhet duke futur një tampon me pambuk në hundë, derisa të arrijë pjesën e prapme të fytit. Për shumë njerëz, kjo është një ndjesi e pakëndshme që shpesh i bën të vjellin.

Pasi qelizat të mblidhen në majën e pambukut, tamponi futet pastaj në një enë dhe dërgohet në laborator.

Në laborator, punëtorët kryejnë një test molekular që identifikon pjesë të gjenit të coronavirusit. Nëse virusi është i pranishëm në sasi të mëdha, ai mund të zbulohet shpejt.

Pse testimi i shpejtë për coronavirus është i rëndësishëm?

Një nga arsyet e përhapjes së shpejtë të coronavirusit është se ju mund ta keni atë për disa ditë pa shfaqur ndonjë simptomë dhe, gjatë kësaj kohe, ju mund ta transferoni atë, pa dijeninë tuaj, te shumë njerëz të tjerë.

Problemi është se coronavirusi është i ri dhe shpërndahet aq shpejt saqë nuk ka teste të mjaftueshme dhe vende të mjaftueshme për t’i verifikuar testet.

Shpërthimi i rasteve – në Itali, Spanjë, Britani dhe Shtetet e Bashkuara – i ka cunguar shpejt kapacitetet e sistemeve shëndetësore të këtyre vendeve për të testuar virusin.

Situata mund të merret me mend në vendet që e kanë nisur pandeminë me sisteme të dobëta shëndetësore: Irani, për shembull.

“Një nga problemet që kemi me këtë virus është se ne ende nuk e kemi një mënyrë eksploruese, për të ditur se kush është i infektuar dhe kush jo”, thotë Andrew Preston, profesor i biologjisë dhe biokimisë në Universitetin Bath, në Angli.

“Nuk mund të mbështetemi vetëm në simptoma, sepse duhet kohë që ato simptoma të fillojnë të shfaqen”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Epidemiologët dhe ekspertët mjekësorë thonë se mungesa e testimeve të shpejta e ka përkeqësuar situatën në disa vende.

Deri më 29 mars, Shtetet e Bashkuara – me 330 milionë banorë – kanë testuar një në 366 njerëz. Për krahasim, Italia – me 60 milionë banorë, njëherësh njëri nga vendet e goditura më së keqi – ka testuar një në 133 njerëz.

Rusia, ndërkaq, ka kryer 343,500 teste deri më 30 mars. Me një popullsi prej 144 milionë banorësh, kjo do të thotë se vetëm një në 419 njerëz është testuar.

Pse disa vende mund t’i kryejnë më shpejt testet e të tjerat jo?

Edhe pse konsiderohet mjaft i saktë, testi me tamponin e hundës merr kohë për t’u kryer: prej momentit kur tamponi futet në hundë deri te koha kur laboratori mund ta kryejë testin.

Disa vende kanë nisur t’i përshpejtojnë protokollet e testimit. Koreja e Jugut, për shembull, i fut njerëzit në kabina qelqi, ku i teston shpejt dhe në mënyrë të sigurt. Kjo gjithashtu e minimizon mundësinë e një punonjësi mjekësor që të infektohet gjatë kryerjes së testit.

Preston thotë se Koreja e Jugut, e cila ka testuar 1 në 250 vetë, ka përfituar edhe nga përvoja e mëparshme me SARS-in, sëmundjen e frymëmarrjes, e cila po ashtu është shfaqur në Kinë, në fillim të viteve 2000.

Kjo sëmundje, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ka infektuar më pak se 8,500 njerëz dhe ka vrarë 774.

“Kam përshtypjen se [Koreja e Jugut] ka kapacitet më të mirë për testimet e hershme”, thotë Preston.

Me një sistem të madh dhe të financuar mirë të kujdesit shëndetësor dhe me disa nga universitetet mjekësore më të mira në botë, Shtetet e Bashkuara është dashur të jenë në pozitë më të mirë për të testuar shpejt dhe shumë.

Kjo, sipas ekspertëve, nuk ka ndodhur për disa arsye, përfshirë vonesat në rregullator dhe mesazhet e përziera për seriozitetin e problemit nga Shtëpia e Bardhë dhe gjetkë.

“Testimi është problemi më i madh me të cilin po përballemi”, thotë Peter Slavin, shef i Spitalit të Përgjithshëm në Masaçusets, në Boston.

Disa kompani private në botë po nxitojnë të shkurtojnë kohën që duhet për të marrë rezultatin nga një laborator.

Kompania amerikane Abbott Laboratories, javën e kaluar, ka fituar miratimin për një sistem të testimit të coronavirusit, që mund të tregojë nëse dikush është i infektuar në më pak sa pesë minuta. Sistemi është i vogël dhe i lëvizshëm.

Gjiganti farmaceutik zviceran, Roche, gjithashtu ka fituar miratimin e SHBA-së javën e kaluar, për një test që jep rezultate brenda tri orësh.

Testimi i gabuar është shfaqur gjithashtu si problem. Spanja, Gjeorgjia dhe Turqia janë në mesin e vendeve që kanë siguruar teste për coronavirus nga një kompani kineze, por që më vonë është zbuluar se kanë shkallë të lartë të gabimit.

“Ka shumë pyetje për atë se në cilin nivel jemi të përgatitur për të mbrojtur veten tonë. Mendoj se duhet të rimendojmë infrastrukturën tonë globale për trajtimin e pandemive”, thotë Preston. /REL/

Në trend Botë

Më shumë
Aeroplanët luftarakë amerikanë do të qëndrojnë në Lindjen e Mesme - sulmi i Iranit ndaj Izraelit, të gjitha zhvillimet, minutë pas minute

Aeroplanët luftarakë amerikanë do të qëndrojnë në Lindjen e Mesme - sulmi i Iranit ndaj Izraelit, të gjitha zhvillimet, minutë pas minute

Botë
Si shtetet arabe 'e ndihmuan befas Izraelin të zmbrapsë sulmin e Iranit'

Si shtetet arabe 'e ndihmuan befas Izraelin të zmbrapsë sulmin e Iranit'

Botë
Bomba dhe viruse: Historia e 'sulmeve të Izraelit' në tokën iraniane

Bomba dhe viruse: Historia e 'sulmeve të Izraelit' në tokën iraniane

Botë
Turqia ka një mesazh për Iranin

Turqia ka një mesazh për Iranin

Botë
“400 vjet trashëgimi kulturore daneze në flakë” - një zjarr përfshin një nga ndërtesat më të vjetra të Kopenhagës

“400 vjet trashëgimi kulturore daneze në flakë” - një zjarr përfshin një nga ndërtesat më të vjetra të Kopenhagës

Evropa
SHBA me mesazh të qartë për Izraelin, nëse Tel Avivi vendos për një “kundërofensivë” kundër Iranit

SHBA me mesazh të qartë për Izraelin, nëse Tel Avivi vendos për një “kundërofensivë” kundër Iranit

Botë
Kalo në kategori