Barcelona nuk humbi kohë për sezonin e ardhshëm, duke lëvizur vetëm pak ditë pas përfundimit të La Ligës 2025/26 për të arritur marrëveshje me Newcastle United për Anthony Gordon.

Anësori i Anglisë pritet të bëhet lojtar i Barcelonës shumë shpejt, pasi klubet “shtrënguan duart” për një tarifë transferimi rreth 81.6 milionë dollarë (70 milionë euro). Raportohet se kushtet personale nuk kanë qenë problem dhe tashmë kanë mbetur vetëm formalitetet.


Një pasojë e drejtpërdrejtë e këtij transferimi është e ardhmja e Marcus Rashford. Sulmuesi i Manchester United e kaloi sezonin i huazuar te Barcelona dhe shpresonte që klubi ta aktivizonte opsionin e blerjes, i cili thuhet se e vlerësonte nën çmimin e tregut.

Megjithatë, prej kohësh ka pasur hezitim nga blaugranasit për ta bërë këtë hap. Vendimi për të shpenzuar më shumë se dyfishin e parave për Gordon — i cili vjen në të njëjtin pozicion — i ka befasuar shumë tifozë.

Gordon shihet si i përshtatshëm për futbollin më teknik evropian. Këtë sezon ai regjistroi 12 kontribute në gola në 12 paraqitje në Ligën e Kampionëve, krahasuar me vetëm tetë në 26 ndeshje të Ligës Premier. Ylli i lindur në Liverpool shënoi edhe kundër Barcelonës në fazën e ligës, në një nga tri ndeshjet që kishte ndaj klubit ku tani pritet të transferohet.

Sipas analizës, transferimi i Gordon ka edhe logjikë financiare, ku elementi kyç është amortizimi — pra shpërndarja e kostos së transferimit dhe pagës së lojtarit përgjatë gjithë kohëzgjatjes së kontratës.

Barcelona mund ta blinte Rashfordin për rreth 35 milionë dollarë, por paga vjetore më e lartë dhe një kontratë më e shkurtër mund të mos e bënin 28-vjeçarin realisht më të lirë për klubin në total. Marrëveshja për Gordon pritet ta paguajë atë pak më pak se sa besohet se ishte paga e Rashford gjatë huazimit dhe, po ashtu, e shpërndan tarifën e transferimit në dy vite më shumë.

Pikërisht për këtë arsye, Rashford raportohet se shpresonte që Barcelona t’i ofronte një kontratë pesëvjeçare me pagë më të ulët, në mënyrë që të ulej kostoja vjetore dhe ai të qëndronte në “Camp Nou”.

Aktualisht, shpenzimi vjetor për klubin nuk pritet të jetë shumë ndryshe, por tek Gordon, Barcelona merr një profil të ngjashëm, mbi tre vjet më të ri dhe me hapësirë për përmirësim. Ndërsa Rashford, afër 29 vjeç, mund të mos ketë më shumë rritje në nivel.

Katalanasit mund ta rishesin Gordon pas tre ose katër vitesh, ndërsa investimi te Rashford deri në 2029 mund të humbë pothuajse krejtësisht vlerën.

Megjithatë, transferimi i Rashford te Barcelona ende nuk është përjashtuar zyrtarisht. Lojtari thuhet se po mban shpresë, por një zyrtar anonim i klubit citohet të ketë thënë se marrëveshja tani është “më e komplikuar” se më parë, pas afrimit të Gordon.

Opsionet e Rashfordit duket se janë rikthimi te Manchester United ose një transferim te një klub tjetër, në Angli apo jashtë saj. Si destinacione të mundshme përmenden Aston Villa, Chelsea, Newcastle United, Bayern Munich dhe AC Milan./Telegrafi/

telegrafi sport app