LAJMI I FUNDIT:

Protestojnë ata që deshën të punësohen në ‘Trepçë’, thonë se u bënë padrejtësi

-->

Më shumë se 100 persona kanë protestuar sot para objektit të menaxhmentit të kombinatit “Trepça” në Mitrovicë, duke shprehur kështu pakënaqësitë e tyre me procesin e fundit të punësimit në këtë ndërmarrje.

Sipas tyre, ata mbetën jashtë listave të të pranuarve për shkak të dallavereve dhe pasi nuk kishin krah të fortë, ndërsa kërkuan shkarkimin e drejtorit, bordit dhe anulimin e konkursit.

Protestuesit bllokuan për disa minuta rrugën, duke pamundësuar kështu qarkullimin e automjeteve nga drejtimi i Prishtinës dhe Stantërgut për në qendër të qytetit të Mitrovicës, ndërsa pati edhe tensione mes tyre dhe pjesëtarëve të policisë, në përpjekje për të hyrë me forcë në objektin ku ndodhet menaxhmenti i kësaj ndërmarrje.

Përparim Mustafa, banor i veriut të Mitrovicës, njëri prej atyre që kishin konkurruar për punësim, tha se gjatë konkurrimit ka pasur shumë dallavere dhe ai s’ka mundur të pranohet për shkak se nuk ka pasur krah të fortë.

Edhe Agim Beqiri, ish-punëtor i “Trepçës”, ka bërë të ditur se konkursi që është shpallur është shpallur me dallavere prej ditës së parë.

Ndërkaq, pas takimit rreth 40 minutësh të disa protestuesve me menaxherin e “Trepçës”, në përpjekje për ta zgjidhur problemin, Arsim Musa nga këshilli protestues, ka thënë para gazetarëve se nuk është arritur ndonjë marrëveshje dhe se protesta do të vazhdojë edhe ditët në vijim.

Qytetarët e Shalës së Bajgorës protestojnë për punësimet në 'Trepçë', Ibrahimi: Nuk kemi mundësi të pranojmë më shumë punëtorë
Lexo po ashtu Qytetarët e Shalës së Bajgorës protestojnë për punësimet në 'Trepçë', Ibrahimi: Nuk kemi mundësi të pranojmë më shumë punëtorë

Sipas tij, kërkesat kryesore të protestuesve që u janë thënë menaxherit gjatë këtij takimi janë, shkarkimi i bordit, menaxherit dhe anulimi i konkursit.

Ai potencoi se në rast të eskalimit të protestave gjatë ditëve në vijim, përgjegjësia bie mbi menaxhmentin e kësaj ndërmarrje.

Në anën tjetër, menaxheri i “Trepçës”, Basri Ibrahimi, ka bërë të ditur se të gjitha procedurat e rekrutimit kanë qenë në përputhje me rregullativën juridike dhe janë pranuar personat për të cilët komisioni ka vlerësuar se kanë qenë më të mirët.

Ai shtoi se është i vetëdijshëm për gjendjen e rëndë sociale që mbretëron në regjionin e Mitrovicës dhe në Shalë, duke thënë se secili që është pranuar e ka merituar në këtë aspekt.

Ndryshe, në procesin e punësimit në këtë ndërmarrje kanë aplikuar mbi 1 mijë e 700 persona, prej të cilëve janë pranuar 144, ndërsa sipas drejtorit Ibrahimi, ditët në vijim pritet të punësohen edhe rreth 100 persona tjerë. /KP/Telegrafi/