eksperti-banner

Vetëm një ditë pasi publikoi mini-albumin (EP-në) e tij me pesë këngë të reja, Luiz Ejlli ka paralajmëruar një tjetër projekt muzikor.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, këngëtari ka ndarë një fragment nga videoklipi i ri, duke bërë të ditur se kënga vjen si një reagim ndaj protestave të qytetarëve.


“Secili proteston në mënyrën e vet, ju zgjodhët rrugën, unë zgjodha muzikën. Mendova se zëri im do të dëgjohej më mirë përmes një kënge sesa mes turmës. M’u desh pak kohë për tekstin, muzikën dhe videoklipin. Më vjen keq për ata që dyshuan dhe ma sollën kurrizin (nuk është hera e parë, jam mësuar)”, ka shkruar Luizi.

Lëvizja e Luizit vjen në një kohë kur gjithnjë e më shumë artistë po përdorin muzikën dhe artin si formë reagimi ndaj çështjeve sociale dhe zhvillimeve që po ngjallin debat në opinionin publik.

Vetëm një ditë më parë, edhe reperi i njohur Taste 2 publikoi një këngë të re kushtuar zhvillimeve në Zvërnec dhe protestave të qytetarëve, duke iu bashkuar zërave që po shprehin qëndrimet e tyre përmes artit.

Tashmë mbetet të shihet se kur do të publikohet kënga e re e Luiz Ejllit, e cila pritet të tërheqë vëmendje të madhe, duke pasur parasysh tematikën e ndjeshme që trajton dhe interesimin e madh që po shoqëron protestat e ditëve të fundit. /Telegrafi/