LAJMI I FUNDIT:

Propozohet ndalimi i importit të veturave më të vjetra se 10 vjet

Propozohet ndalimi i importit të veturave më të vjetra se 10 vjet

Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri i ka dhënë dritën jeshile projektligjit për automjete me disa rekomandime, ku njëra ndër to është që importimi i veturave që janë më të vjetra se dhjetë vjet të mos hyjnë në Kosovë prej 1 janarit të vitit 2018.

Ky propozim ka marrë unanimisht votat e të gjithë anëtarëve prezent dhe është përcjell për në Kuvend, raporton Ekonomia Online.


Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, ka thënë se ky vendim po merret për shkak se do të ketë efekte pozitive në mjedis.

“Kjo dispozitë me hy në fuqi prej 1 janarit të vitit 2018 për arsye se këto mjete janë të balancuara në buxhet për këtë vit dhe mund të them se nga Dogana, akciza dhe TVSh-ja, nga automjetet e përdorura është e rëndësishme për buxhetin e vendit. Sigurisht ky vendim i yni që ndalon importin e veturave më të vjetra se dhjetë vjet do të ketë efekte pozitive në mjedis, por do të reduktojë të hyrat buxhetore, për një masë mirëpo ne i kemi dhënë përparësi mjedisit për arsye të situatës alarmante që kemi pasur në disa nga qytetet e Kosovës edhe për shkak të veturave të vjetruara”, ka thënë ai.

Ndërsa, anëtari i Komisionit Fatmir Rexhepi, ka theksuar se e përkrah këtë propozim duke shtuar se nuk beson që dikush nga deputetët është i interesuar të cenoj planifikimin buxhetor brenda vitit.

“Propozimi në fjalë mendoj që nuk është humbje e madhe nëse ka qenë që disa vite janë importuar me modelin e vjetër, por mendoj se te shpjegimi i buxhetit Komisioni ka mbet borxh që nuk e ka dhënë edhe një pjesë shtesë në aneks që të shihet sa është pjesëmarrja e këtyre veturave mbi dhjetë vjet gjatë kohës së importimit të veturave për me tregu se këto 40 apo 50 milionë sa është pjesëmarrja a është dy, tre apo pesë milionë dhe në bazë të saj vlerësimin ta kemi më korrekt”, ka shtuar Rexhepi. /Telegrafi/