“Një burrë i fjalës, këmbëngulës në qëllimet e veta, modest, i drejtë e shumë punëtor”. Kështu e ka përshkruar autori i librit figurën e Mexhit Devajës në librin “Një jetë me hendbollin”, i cili u promovua dje në qytetin e lindjes së Devajës, në Gjilan.

Devaja ka thënë se ndihet krenar për punën të cilën e ka bërë për të mirën e hendbollit. Libri “Një jetë me hendbollin” sjell në një formë më ndryshe fakte, prapaskena interesante, opinione të atyre që e njohën punën dhe bashkëpunuan përgjatë rrugëtimit të tij me hendbollin.


Libri përmban momente interesante, zhvillime nga më të ndryshmet duke filluar nga lobimi, kontaktet, njohjet me delegacionet e huaja, angazhimi maksimal në ndërkombëtarizimin e hendbollit etj.

“Karakteri i fortë, morali brilant, guximi dhe trimëria e pashembullt e Mexhitit, bëri që ai dhe hendbolli i Kosovës të krijojë miq dhe përkrahës në gjithë Evropën dhe më gjerë. Prandaj, emri i Mexhitit do të mbetet i respektuar në analet e historisë jo vetëm të hendbollit, por në përgjithësi të sportit të Kosovës”, është thënë në hyrje të librit.

Kurse vet Mexhit Devaja ka thënë se “jam krenar për punën të cilën e kam bërë, për të mirën e hendbollit dhe shtetit tim. U trasua një rrugë shumë e mundimshme për gjeneratat e ardhshme që t’i bashkëngjiten familjes së madhe evropiane e botërore, sepse nëpërmjet sportit vlerësohet edukata e një shteti. Këtë mundësi tani e kanë hendbollistët e hendbollistet e Kosovës”. Ndryshe, në promovimin e librit kanë folur, Lutfi Haziri, Tarik Cengiz, Zoran Rodojqiq, Besim Hasani, Astrit Memia etj.

telegrafi sport app