Prokuroria nis hetimin e palëve të përfshira në rastin e 5 vjeçarit nga Lipjani

Pasi ministri për Punë dhe Familje, Andin Hoti, pranoi pasditen e së mërkurës raportin final për trajtimin e rastit të familjes së pesëvjeçarit nga Janjeva e Lipjanit nga ana e Qendrës për Punë Sociale ka thënë se në gjetjet e këtij raporti, konstatohet se në këtë rast është fajtore QPS-ja, por edhe institucione të tjera, andaj paralajmëroi masa ndëshkuese për të gjithë që janë evidentuar për mostrajtim të duhur të rastit.
Lidhur me këtë në një prononcim për Telegrafin zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala ka thënë se Prokurori i Shtetit ka lëshuar autorizim Policisë, me qëllim të mbledhjes dhe grumbullimit të provave dhe intervistimin e palëve, të përfshirë në këtë rast.
“Ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka lëshuar autorizim Policisë, me qëllim të mbledhjes dhe grumbullimit të provave dhe intervistimin e palëve, të përfshirë në këtë rast. Aktualisht, ende nuk kemi pranuar raport nga Policia. Për çdo zhvillim të mëtejmë lidhur me këtë çështje, do të njoftoheni me kohë”, ka thënë Shala.
Ndërkaq, sot ministri për Punë dhe Familje, Andin Hoti, e ka pranuar raportin final për trajtimin e rastit të familjes së pesëvjeçarit nga Janjeva e Lipjanit nga ana e Qendrës për Punë Sociale.
Ky raport është pranuar, vonë pasditen e së mërkurës nga Divizioni për Inspektimin e Shërbimeve Sociale dhe Familjare.
Ministri Hoti e konfirmoi për KosovaPress se në gjetjet e këtij raporti, konstatohet se në këtë rast është fajtore QPS-ja, por edhe institucione të tjera, andaj paralajmëroi masa ndëshkuese për të gjithë që janë evidentuar për mostrajtim të duhur të rastit.
“Raportin çuditërisht e kam pranuar sot. Njëra prej të gjeturave të raportit thotë që në vendimin e Gjykatës të vitit 2023 i ka obliguar Qendrën për Punë Sociale për monitorimin e familjes në raport me fëmijët. Pra, e ka obliguar Qendrën për Punë Sociale në raport edhe me prindërit për shëndetin mendor të tyre, që QPS-të nuk merren me shëndetin mendor, janë Qendrat për Shëndetin Mendor që merren me shëndetin mendor, jo QPS-së. Sidoqoftë, është nën hetim prej Prokurorisë. Çka mund të ndërmarrim tjetër ne është një propozim ndaj kryetarit të komunës së Lipjanit që me i qit në masa disiplinore të gjithë stafin e Qendrës për Punë Sociale që është në Lipjan dhe këtë do ta bëjmë nesër, sepse sot është jashtë afatit të punës dhe të shqyrtohen nëse ata vërtetë i kanë ndjekur masat”, shtoi ai. /Telegrafi/




















































