LAJMI I FUNDIT:

Prokuroria në Mitrovicë ngritë aktakuzë ndaj personit që ka vdekur para 13 vjetësh

Prokuroria në Mitrovicë ngritë aktakuzë ndaj personit që ka vdekur para 13 vjetësh

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 25 prill të këtij viti, ka ngritur aktakuzë kundër Bedri Fazliut, duke e ngarkuar me veprën penale “vjedhja e shërbimeve komunale”.

Aktakuza e ngarkon Fazliun se veprën penale e ka kryer në qershor të vitit 2017, raporton “Betimi për Drejtësi”.


Por, nga dokumentet zyrtare, del se personi ndaj të cilit është ngritur aktakuzë, ka vdekur në vitin 2005.

Policia e Kosovës, përmes një shkrese e ka njoftuar Gjykatën Themelore në Mitrovicë, se i akuzuari në fjalë ka ndërruar jetë më 17 maj të vitit 2005, me ç’rast të njëjtit njoftim i kishin bashkëngjitur edhe certifikatën e vdekjes.

Tek të dhënat personale të të akuzuarit të cekura në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, përmendet vetëm se i akuzuar është Bedri Fazliu nga fshati Broboniq, Komuna e Mitrovicës, numri personal i tij dhe shtetësia, ndërkaq që nuk janë cekur të dhënat e tjera personale si, data dhe vendi i lindjes, profesioni, shkollimi i përfunduar dhe gjendja e tij ekonomike dhe të tjera detaje të cilat zakonisht ceken në aktakuzat e Prokurorisë.

Përmes kësaj aktakuze, prokuroria ka kërkuar që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Kësaj aktakuze, i kishte paraprirë kallëzimi penal i KEDS-it i 12 dhjetorit 2017, kundër të pandehurit Bedri Fazliu, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “vjedhja e shërbimeve komunale”.

Përveç kësaj, kjo kompani, në procesverbalin e kontrollit për konstatimin e vjedhjes së rrymës, më 15 korrik 2017, ku si konsumator kishin shënuar emrin e Bedri Fazliut, kishin cekur në fund të këtij procesverbali “pala prezent, refuzon”.

Pasi që Gjykata Themelore në Mitrovicë, ka filluar procedurën gjyqësore kundër tani të ndjerit Bedri Fazliu, e njëjta përmes një urdhërese kishte kërkuar nga Policia e Kosovës, dorëzimin e ftesës dhe aktakuzën e Prokurorisë për Bedri Fazliun, për seancën e caktuar më 23 tetor 2018, nga ora 09:30.

Më pas, kjo Gjykatë ishte njoftuar nga Stacioni Policor në jug të Mitrovicës, se pas shkuarjes në fshatin Broboniq, si adresë e cekur në aktakuzë, nga një fqinj aty janë njoftuar se Bedri Fazliu ka ndërruar jetë para disa vitesh e ku po ashtu është cekur se në shtëpinë e të akuzuarit nuk kishte qenë askush.

Sipas këtij njoftimi të Policisë, të 22 tetorit 2018, të njëjtit më pas janë drejtuar në sektorin e gjendjes civile në Mitrovicë, dhe kanë marrë konfirmimin për vdekjen e të akuzuarit të Prokurorisë, Bedri Fazliut, më 15 maj 2005, të cilit njoftim thuhet se i kanë bashkëngjitur edhe certifikatën e vdekjes.

Gjykatësi i rastit, Bekim Veliqi ka thënë për “Betimi për Drejtësi” se pas këtyre informatave ai e ka pushuar procedurën penale në këtë rast.