Flandra Marmullaku, CEO dhe bashkëthemeluese e Data4x, është fituese e çmimit ICT Women of the Year nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal.

Në episodin e gjashtë të podcastit “Rrugëtimi”, Marmullaku foli për emocionet pas marrjes së këtij çmimi dhe rëndësinë që ai ka jo vetëm për të personalisht, por edhe për Kosovën.


- YouTube www.youtube.com

“Me të vërtetë ka qenë një emocion shumë i madh kur e kam pranuar njoftimin se unë jam zgjedhë për vitin 2026 Gruaja e vitit për Teknologji, për të gjitha shtetet e rajonit, këto gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, është privilegj jo vetëm për mu si individ, po edhe për vendin që po përfaqësohemi me këtë çmim”, tha Marmullaku.

Ajo tregoi se konkurrenca për këtë çmim ishte e madhe, me dhjetëra gra dhe ndërmarrëse të suksesshme nga rajoni.

“Në mesin e shteteve të rajonit, ku dihet se ka konkurrencë, vetëm në këtë nominim, për këtë vit kemi qenë diku 180 të nominuara”, deklaroi ajo.

Sipas Marmullakut, çmimi është një dëshmi e ndikimit që Data4x po krijon në ekonomi, si në Kosovë ashtu edhe në rajon.

“Do të thotë ka pas konkurrencë besoj se ka pas kompani të suksesshme dhe gra ndërmarrëse që kanë pas ndikim në ekonomi, por që këtë vit Data4x ka arritë me marrë këtë çmim, që e dëshmon edhe ndikimin që jemi tu e pasë në ekonominë si në vend, po ashtu edhe në rajon”, u shpreh ajo.

Për Marmullakun, ky vlerësim është edhe një moment reflektimi për punën, vendosmërinë dhe sakrificën gjatë rrugëtimit profesional.

“Për mua personalisht, ndoshta është një moment reflektimi kur ndalem dhe mendoj gjatë krejt rrugës, zakonisht unë punoj shumë, nuk flas shumë për atë çka e bëj, jam shumë e përkushtuar, e di ku po du me arrit gjithmonë kam pasë ambicie”, tha ajo.

Ajo shtoi se ky çmim është edhe motivim për atë që Data4x synon të arrijë në të ardhmen.

“Edhe kjo është ndoshta vetëm fillimi i asaj çka ne kemi me arritë me krejt këtë zgjidhje që e kemi bo, këtë zgjidhje teknologjike”, tha Marmullaku. /Telegrafi/