LAJMI I FUNDIT:

Prokuroria e Prizrenit ngritë tri aktakuza ndaj katër personave

Prokuroria e Prizrenit ngritë tri aktakuza ndaj katër personave

Prokuroria Themelore në Prizren–Departamenti i Krimeve të Rënda ka ngritur tri aktakuza ndaj katër personave për pesë vepra penale si: “Grabitje në tentativë”, “Blerja posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”, “Lëndimi i rëndë trupor” dhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës së parë-  i pandehuri S.M., si anëtar i grupit të armatosur, me kanosje serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër së bashku me të pandehurit B.B dhe Z.B tenton të përvetësojë pasurinë e luajtshme të personit tjetër me qëllim që t’i sjell vetës apo personit tjetër dobi pasurore të kundërligjshme, në atë mënyrë që më 19.05.2018, rreth orës 22:25 min., me veturë shkojnë tek shtëpia e të dëmtuarit S.M., në fshatin Gjinoc – Komuna e Suharekës, i vendosin maskat në fytyrë dhe duke përdorur armë të shkurta dhe të gjata futen në korridorin e shtëpisë së të dëmtuarit dhe në momentin e ballafaqimit me të dëmtuarin, të njëjtin e kërcënojnë duke i’a drejtuar armët dhe gjatë përleshjes dhe rezistencës së të dëmtuarit shkrepin me armë dhe më pas largohen nga vendi i ngjarjes.


Sipas aktakuzës së dytë – i akuzuari S.K., pa autorizim, në vazhdimësi ka ofruar për shitje dhe shpërndarje substanca apo preparate, në atë mënyrë që 08.08.2018, te objekti i Qendrës së Paraburgimit në Prizren, të paraburgosurve në brendi të objektit, u ka gjuajtur substanca narkotike të llojit “marihuanë” të paketuara në qese najloni të mbështjella me gur, ku katër qese në peshë prej 38.49 gr., kanë mbetur në kulmin e ndërtesës.

Po ashtu, më 30.10.2018, rreth orës 08:00, për qëllim të njëjtë, në shtëpinë e dhëndrit L.GJ., në Prizren, saktësisht në një valixhe të zezë, të motrës së tij – (bashkëshortes së L.GJ.), nën dyshek të shtratit të dhomës së fjetjes i ka fshehur 9 (nëntë) paketime substancë narkotike të llojit “marihuanë”.

Në anën tjetër i akuzuari L.GJ., ka ndihmuar në fshehjen e provave, për çka ekziston dyshimi i bazuar mirë për kryerje  të veprës penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”.

Sipas aktakuzës së tretë – i akuzuari D.B., personit tjetër i shkakton lëndim të rëndë trupor deri në atë masë që ka rezultuar me dëmtim të përkohshëm dhe serioz të shëndetit, ashtu që më datë 28.07.2018, rreth orës 22:46 min, në rrugë para dyerve të  shtëpisë së tij, në fshatin Zhur-Komuna e Prizrenit, pas një incidenti lidhur me drejtimin e rrezikshëm të automjetit që kishte pasur më herët me vëllanë e të dëmtuarit N.K., ky i fundit arrin me shpejtësi me automjet e pastaj po ashtu me shpejtësi zbret nga automjeti, shkon me vrull  në drejtim të të akuzuarit, e pastaj i akuzuari me pistoletën e tipit “Sig Sauer” shkrep në drejtim të pjesës së poshtme të trupit të të dëmtuarit N.K., të cilin e godet nën gju të këmbës së majtë, të cilit i shkakton plagë tejshkuese dhe thyerje të shumëfishtë kockore.

Po ashtu, i pandehuri D.B., akuzohet edhe për veprën penale ”Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzave, i ka propozuar Gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat u vihen në barrë. /Telegrafi/