LAJMI I FUNDIT:

Programi Kompakt i MCC-së, Olmstead: Qeveria e Kosovës duhet të përshpejtojë që t’i nxjerr përfitimet e projektit

Programi Kompakt i MCC-së, Olmstead: Qeveria e Kosovës duhet të përshpejtojë që t’i nxjerr përfitimet e projektit

Të gjithë akterët politikë të Qeverisë së Kosovës duhet të përshpejtojnë në nxjerrjen e përfitimeve të programit Kompakt të Zyrës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).

Kështu është shprehur shefja e MCC-së për Kosovë, Sarah Olmstead në diskutimin e fundit me akterët e përfshirë në këtë program.

“Inkurajomë që të gjithë të punojnë së bashku, jo vetëm njerëzit në këtë dhomë, por edhe njerëzit e politikës nga Qeveria e Kosovës duhet të punojnë që të përshpejtojnë përfitimet për vetë popullin e Kosovës. Pres që marrëveshja të nënshkruhet në muajin korrik e pastaj të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës”, tha Olmstead, shkruan Telegrafi.

Sipas saj, programi duhet të krijoj mjedis të barabartë për gratë.

“Kemi kënaqësinë që të krijojmë një mjedis të rëndësishëm për investime në bateri, që ta mbështesim Kosovën që ta arrijë energjinë e ripërtrishme dhe synimet e energjisë në përgjithësi e të kemi synimet e barabarta për minoritetet dhe për gratë në këtë program”, shtoi ajo.

Olmstead ka theksuar se ky program është shumë i rëndësishëm në krijimin e energjisë së pastër në Kosovë.

Financimi mbi 200 milionësh i MCC-së amerikane – cilat janë tri projektet energjetike që do të realizohen në Kosovë?
Lexo po ashtu Financimi mbi 200 milionësh i MCC-së amerikane – cilat janë tri projektet energjetike që do të realizohen në Kosovë?

“Kjo është shumë e rëndësishme që të gjithë të përfitojnë nga sektori i energjisë në Kosovë dhe në rajon. Të gjithë akterët kanë qenë entuziastë për këtë program. Kam dëgjuar nga të gjithë akterët se si programi është i rëndësishëm për Kosovën në energjinë e pastër. Nga dimri i fundit u pa që Kosova nuk duhet të humb kohë që të marrë programin”, theksoi Olmstead.

Ndërsa, ministra e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se ky investim është më i madhi në historinë e Kosovës për këtë sektor.

“Ky do të jetë investimi më i madh në energji në historinë e Kosovës dhe është një shtyllë e fortë e përkrahjes nga aleati ynë, pra Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga 236.7 milionë dollarë, 202 milionë dollarë vijnë si grant, pa pasur nevojë të kthehen, ndërsa pjesa tjetër do të investohet nga Qeveria e Kosovës. Mbi 70 për qind e kësaj vlere është kapital direkt”, tha Rizvanolli.

Ajo ka sqaruar përfitimet këtij programi që është në vlerë prej 236.7 milionë dollarësh.

“Ky program do sjellë në Kosovë rezerva të energjisë përmes baterive të kualitetit të lartë, pra 347MW/h rezerva që do të kryejnë funksionin e stabilizimit të rezervave të rrjetit si dhe rezervat e energjisë së ruajtur gjatë natës, që do të thotë ulje e importit të shtrenjtë të energjisë. Do të jetë investimi i parë në rajon”, sqaroi ajo.

“Po ashtu, programi do të zhvilloj shkathtësitë e fuqisë punëtore, që tenton të përfshijë sa më shumë gra në sektorin e energjisë, i cili ka qenë përjashtues ndaj grave. Në fund, programi do të lehtësoj bashkëpunimin me sektorin privat për investimet tjera në energji”, ka shtuar Rizvanolli.

Në fund, ministrja Rizvanolli tregoi se shumë shpejtë Marrëveshja do të dërgohet për ratifikim në Kuvendin e Kosovës.

“Programi Kompakt do të mundësoj një tranzicion të shpejtë dhe të drejt energjetik me energjitë e ripërtrishme. Ditëve në vijim do të nisim sa më parë procedurat e ratifikimit të Marrëveshjes në Kuvend, në mënyrë që të nisim sa më parë periudhën përgatitore e që na sjell sa më shpejtë te zbatimi i projektit”, përfundoi ajo.

Instalimi i baterive që do të shërbejnë për rezerva të energjisë, përfshirja më e madhe e grave në sektorin e energjetikës dhe nxitja për financimin e sektorit privat janë pikat kryesore të Marrëveshjes së Kompaktit.

Nga ky financim prej 202 milionë dollarësh do të vijë në formë granti, rreth 35 milionë dollarë do të jetë kontribut nga Qeveria e Kosovës, ndërsa 2 milionë do të jenë fonde nga Institucioni Amerikan i Katalizatorit për Zhvillim (ACFD). /Telegrafi/