LAJMI I FUNDIT:

Financimi mbi 200 milionësh i MCC-së amerikane – cilat janë tri projektet energjetike që do të realizohen në Kosovë?

Financimi mbi 200 milionësh i MCC-së amerikane – cilat janë tri projektet energjetike që do të realizohen në Kosovë?

Instalimi i baterive që do të shërbejnë për rezerva të energjisë, përfshirja më e madhe e grave në sektorin e energjetikës dhe nxitja për financimin e sektorit privat janë pikat kryesore të Marrëveshjes së Kompaktit të arritur ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Zyrës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).

Bordi i drejtorëve të MCC-së në mbledhjen e fundit ka miratuar programin 5-vjecar prej 202 milionë dollarësh, shkruan Telegrafi.


“Vendimi i Bordit përfaqëson fazën tjetër në partneritetin e Shteteve të Bashkuara me Qeverinë e Kosovës dhe vazhdimin e përpjekjeve tona të përbashkëta për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për afro 2 milionë kosovarë”, ka thënë kryeshefja ekzekutiv i MCC-së, Alice Albright.

Sipas saj, programi pritet të integroj energjinë e ripërtrishme duke punësuar të rinjtë gratë në këtë sektor.

“Projekti bazohet në programin e pragut të vazhdueshëm të MCC-së në Kosovë, duke mbajtur fokusin në një politikë ambicioze dhe të prirur përpara dhe agjendën e reformave institucionale, ndërkohë që investon në infrastrukturën inovative të energjisë, duke përfshirë ruajtjen e energjisë për të rritur efikasitetin dhe sigurinë energjetike, për të lehtësuar tranzicionin dhe integrimi i energjisë së rinovueshme duke siguruar rrugën drejt punësimit të të rinjve dhe grave në sektorin e energjisë”, ka shtuar tutje ajo.

Për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti ky projekt do të ndihmojë në vendosjen e themeleve të tranzicionit energjetik.

“Do të ndihmojë në vendosjen e themeleve për tranzicionin tonë energjetik. Falënderime të veçanta për të dy ekipet tona për punën e shkëlqyer, miqtë, partnerët dhe aleatët”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Ndërsa, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka theksuar se ky është investimi më i madh energjetik në vend.

“Lajm fantastik nga MCC sot. Bordi i drejtorëve sapo miratoi Kompaktin me vlerë 236.7 milion dollarë – investimi më i madh në sektorin energjetik të Kosovës, një gur themel në tranzicionin tonë energjetik”, ka njoftuar Rizvanolli në Twitter.

Ndryshe, ky program do të jetë projekti më i madh energjetik në Kosovë, i cili parasheh ndërtimin e sistemeve akumuluese të energjisë.

Nga ky financim 200 milionë dollarësh do të vijë në formë granti nga SHBA-ja përmes MCC-së, rreth 35 milionë dollarë do të jetë kontribut nga Qeveria e Kosovës, ndërsa 2 milionë do të jenë fonde nga Institucioni Amerikan i Katalizatorit për Zhvillim (ACFD).

Programi do të përfshijë tri projekte rezerva dhe arbitrazh të energjisë (bateritë me kapacitet 170MW, që ofrojnë rezervë 340 MWh), zhvillimi i fuqisë punëtore dhe përfshirja e grave në sektor të energjisë, dhe projekti i ACFD-së. /Telegrafi/