LAJMI I FUNDIT:

Prijës fetarë e politikanë urojnë për Krishtlindje

Prijës fetarë e politikanë urojnë për Krishtlindje
Kosovo Catholics attend a Christmas mass at St. Anthony church in Pristina Tuesday, Dec. 25, 2012. (AP Photo / Visar Kryeziu)

Në pritjen solemne që u mbajt sonte në Ipeshkvinë e Kosovës, kryeipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji tha se duhet të gjejmë dashurinë dhe guximin për të ecur drejt të ardhmes.

Në ceremoninë, ku ishin të pranishëm shumë mysafirë si nga jeta politike dhe ajo civile, Imzot Dodë Gjergji theksoi se për të ecur drejtë së ardhmes duhet të rrisim dashurinë për Krishtin dhe për Kishën në mënyrë që të ecim drejt paqes, raporton kp.


“Sot na rrethojnë shumë gjëra, të cilat na trishtojnë, por siguria e brendshme e dashurisë dhe guximi për të ecur drejt të ardhmes dhe drejt paqes na mbajnë, andaj gëzuar për shumë vite viti i ri”, tha Dodë Gjergji.

Urime për këtë festë kanë dërguar edhe krerët shtetërorë. Kryeministri Isa Mustafa, përmes një postimi në Facebook, ka uruar qytetarët e Kosovës, trupin diplomatik në vend, pjesëtarët e KFOR-it dhe të misioneve tjera në Kosovë.

“Kjo festë e shenjtë përcjell te besimtarët anekënd mesazhet e dashurisë, paqes, mirësisë, optimizmit dhe të harmonisë ndërmjet njerëzve, virtyte që e karakterizojnë plotësisht popullin e Kosovës”, ka thënë Mustafa, raporton Koha.net.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në urimin e tij me rastin e festës së Krishtlindjeve, ka thënë se ky vit na solli gëzime të gjithëve.

“U shenjtërua Nënë Tereza, jeta dhe veprat e së cilës janë udhërrëfyes për ne, por u lumturuan edhe 38 martirë shqiptarë të Kishës Katolike. Në audiencë private me Atin e Shenjtë, si president i vendit i konfirmova sërish përkushtimin e Kosovës për vlerat e paqes, dialogut dhe solidaritetit, si dhe mora konfirmimin për ardhjen e tij në Kosovë, ditë të cilën po e presim me padurim. Nata e sotme është kohë kur u gëzohemi të mirave e begative që na sjell jeta dhe festojmë me njëri-tjetrin. Por, përveç festës, është kohë kur reflektojmë edhe për kujdesin ndaj njëri-tjetrit, ndaj familjes, miqve, shtetit dhe gjithë shoqërisë”, ka shkruar Thaçi.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, përmes një postimi në Facebook, ka uruar besimtarët katolikë e protestantë të Kosovës.

“Gëzuar Krishtlindjen për të gjithë bashkëqytetarët katolikë dhe protestantë të Republikës së Kosovës. Uroj që ta kaloni këtë festë të shënuar sa më bukur, në ngrohtësinë e shoqërisë së njerëzve më të dashur. Bekime dhe gjithë të mirat, për ju dhe familjet tuaja”, thuhet në urimin e Veselit.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje ka uruar qytetarët e krishterë me rastin e festës së Krishtlindjeve.

“Të dashur besimtarë të krishterë, Lëvizja Vetëvendosje ju uron kremtën e Krishtlindjeve. Të jeni sa më të lumtur e të gëzuar në familjet tuaja e ne shoqërinë tuaj. Të mos harrojmë në këto ditë festash se Krishti lindi në një stallë, e dëshmitarë në lindjen e tij ishin tre shtegtarë nga Lindja e Mesme, të cilët i përkisnin feve të tjera. Në këto kohë të vështira për qytetërimin, ta mbajmë zemrën dhe mendjen të hapur për të varfrit e të pastrehët, për shtegtarët e refugjatët e për personat e besimeve e kulturave të tjera. Tradita jonë kombëtare i ka bërë bashkë besimet e ndryshme, për një projekt të përbashkët. Ndaj i urojmë së bashku edhe festat e veçanta”, thuhet në urimin e Vetëvendosjes.

Edhe Ramush Haradinaj, president i AAK-së, ka uruar besimtarët katolikë me rastin e Krishtlindjeve.

“Besimtarëve katolikë, Klerit dhe Kishës, urimet më të përzemërta për Krishtlindje! Në këtë natë të madhe, u bashkohem lutjeve tuaja për dashuri, për paqe, për harmoni…!”, ka shkruar Haradinaj.

Urim me këtë rast ka dërguar edhe kreu u Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj.

“Të gjithë besimtarëve të krishterë, ju uroj festen e Krishtlindjeve, me shpresë që viti 2017 të jetë një vit me të gjitha të mirat. Të jemi të bashkuar e solidar në qëllimet tona, sepse gjithnjë kemi qenë të tillë”, ka uruar Limaj.

Në trend Lajme

Më shumë
Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Lajme
Kërkesat e shumta për dokumente personale, MPB zgjat orarin për ofrimin e shërbimeve - do të punohet edhe të shtunave

Kërkesat e shumta për dokumente personale, MPB zgjat orarin për ofrimin e shërbimeve - do të punohet edhe të shtunave

Lajme
Organizatori i protestave anti-Vuçiq në Beograd, Manojloviq: Unë jam gjallë falë besës së shqiptarit

Organizatori i protestave anti-Vuçiq në Beograd, Manojloviq: Unë jam gjallë falë besës së shqiptarit

Lajme
Djegia e shtëpisë dyshohet të jetë shkaktari i vrasjes së djeshme në Pejë – viktima dhe i dyshuari ishin miq

Djegia e shtëpisë dyshohet të jetë shkaktari i vrasjes së djeshme në Pejë – viktima dhe i dyshuari ishin miq

Jehona Hulaj
Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Lajme
KSHZ pas numërimit të 99.85% të votave, Osmani 13.36%, Taravari 9.21%

KSHZ pas numërimit të 99.85% të votave, Osmani 13.36%, Taravari 9.21%

Politikë
Kalo në kategori