Shqipëria në betejë me flakët nga toka dhe ajri
Situata e zjarreve në territorin e Shqipërisë vijon të monitorohet dhe të menaxhohet përmes një operacioni të gjerë të koordinuar nga strukturat e emergjencave civile.
Sipas përditësimit më të fundit zyrtar nga Ministria e Mbrojtjes, deri në orën 20:00 janë regjistruar gjithsej 31 vatra zjarri, nga të cilat 11 mbeten ende aktive dhe 2 të tjera ndodhen nën monitorim të vazhdueshëm.
Për përballimin e situatës në terren janë mobilizuar kapacitete të shtuara njerëzore dhe logjistike. Në operacionet e shuarjes po marrin pjesë 396 forca operacionale të shoqëruara nga 41 automjete zjarrfikëse. Mbështetja nga ajri dhe me mjete ushtarake po luan një rol kyç në izolimin e flakëve. “Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 120 efektivë, 2 mjete zjarrfikëse, 2 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor,” bën me dije Ministria e Mbrojtjes.
Ndër frontet kryesore, operacioni vijon në Malin e Dajtit me mbështetjen e 50 efektivëve të Ushtrisë dhe dy helikopterëve, ndërsa vatra e Priskë–Gurrë e Madhe–Farkë–Lundër është vënë nën kontroll. Një angazhim masiv po kryhet edhe në Gurë-Lurë të Dibrës, ku forcat bashkiake, policore dhe ato të FA-së, të ndihmuara nga dy avionë “Air Tractor”, kanë hapur korridore mbrojtëse për të parandaluar avancimin e zjarrit.
Vatra të tjera aktive po përballohen në Qafë Helmes (Dibër/Bulqizë), Abazaj (Krujë), Lufaj (Mirditë), Fushë-Lajë (Pukë), Dardhë (Librazhd), si dhe në disa pika në qarkun e Gjirokastrës (Sotirë, Libohovë, Krahës) dhe Selenicë. Në të gjitha këto zona, terreni i thyer përbën sfidën kryesore për efektivët e shërbimit mbrojtës.
Pavarësisht shtrirjes gjeografike të vatrave, autoritetet konfirmojnë se masat e marra kanë shmangur pasojat në zonat e banuara.
“Në të gjitha rastet nuk raportohet rrezik për zonat e banuara,” nënvizojnë burimet zyrtare, duke konfirmuar se Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) po vijon koordinimin e situatës në nivel kombëtar./RTSH




























