Prezantohen 38 kandidatet për deputete nga LDK, Abdixhiku: Fuqizimi i grave është sfidë e përbashkët për të ardhmen e Kosovës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku e nisi ditën me tubimin e Forumit të Gruas, ku u prezantuan edhe 38 kandidatet e kësaj partie.
Abdixhiku përmes një postimi në rrjetin social në Facebook tha se nuk mund të paraqitej para të pranishmeve vetëm si kryetar i LDK-së apo kandidat për kryeministër, por si një njeri që vlerat më të rëndësishme të jetës i ka mësuar nga gratë që e kanë shoqëruar në rrugëtimin e tij.
Në fjalimin e tij, Abdixhiku kujtoi nënën e ndjerë, të cilën e përshkroi si gruan që i mësoi respektin për gratë përmes shembullit, sakrificës dhe dinjitetit. Po ashtu, ai foli për bashkëshorten e tij, Albina, duke vlerësuar rolin dhe barrën që gratë mbajnë çdo ditë në familje, shpesh pa u vënë re nga shoqëria.
Një pjesë e veçantë e fjalimit iu kushtua dy vajzave të tij, Era dhe Rozi. Abdixhiku tha se dëshiron që ato të rriten me bindjen se mund të realizojnë ëndrrat e tyre pa pasur nevojë të kërkojnë leje nga askush, duke qenë të pavarura, të zonjat dhe të forta.
“Çfarë Kosove po ua lëmë vajzave tona?” ishte pyetja që ai ngriti para të pranishmëve, duke theksuar se vendi vazhdon të përballet me sfida serioze sa i përket pozitës së grave në shoqëri.
Sipas tij, është e papranueshme që rreth 65 për qind e grave në Kosovë të mbeten joaktive në tregun e punës, ndërsa shumë prej tyre, edhe kur nuk janë të punësuara, mbajnë barrën e punëve familjare dhe kujdesit të përditshëm.
Abdixhiku kritikoi gjithashtu diskriminimin që gratë dhe vajzat përjetojnë gjatë punësimit, veçanërisht për shkak të planeve për martesë apo lindje, duke e cilësuar këtë si një pengesë të madhe për zhvillimin e tyre profesional dhe personal.
Në fjalën e tij ai ndaloi edhe te fenomeni i dhunës në familje, duke kërkuar reagim më të fortë institucional dhe mbrojtje më efektive për gratë që përballen me dhunë.
“Historia gjithmonë është formuar nga gra që refuzuan të pranojnë më pak. Gra që guxuan të ëndërrojnë më shumë për familjet dhe shoqëritë e tyre”, tha ai.
Në fund të adresimit, Abdixhiku u zotua se fuqizimi i grave dhe lufta kundër pabarazisë do të mbeten ndër prioritetet kryesore të angazhimit të tij politik.
“Si prind i dy vajzave, si bashkëshort i një gruaje, si djalë i një nëne, ju them këtu se sfida juaj është dhe sfidë e imja. Dhe në qoftë se kjo është sfida e fundit e imja, do ta bëj me gjithë forcën që kam”, përfundoi ai. /Telegrafi/










































