LAJMI I FUNDIT:

Presidenti kundër rrëmujës

Presidenti kundër rrëmujës

Sabine Kinkartz

Çfarë teatri për postin më të lartë shtetëror! Kanë kaluar më shumë se pesë muaj, qëkur presidenti federal, Joachim Gauck, bëri të ditur se nuk do të kandidojë për një mandat të dytë dhe e vuri kancelaren dhe kryetaren e CDU-së në një dilemë të fuqishme. Kërkimi i kandidatëve nuk është punë e preferuar për Angela Merkelin. Me zgjedhjen e Horst Köhlerit dhe të Christian Wulffit në vitin 2004 dhe 2010, ajo nuk pati fat. Presidenti aktual, Joachim Gauck iu imponua asaj në vitin 2012 nga FDP-ja.


Vetëm kundër dëshirës dhe me ngadalësi kancelarja nisi të merret sërish me këtë temë – dhe shpejt e pa veten të rrethuar nga frikët më të këqija që kishte. Megjithëse partitë unioniste janë grupi më i madh në Asamblenë Federale, pra CDU dhe CSU do të kishin pasur padyshim shanse të mira, për të dërguar në Pallatin Bellevue një kandidat të vetin, në kampin konservator nuk u gjet absolutisht asnjë person tërheqës për këtë post. Me javë, me muaj kaluan ku erdhën shumë refuzime për ta marrë përsipër postin dhe më në fund Angela Merkeli mbeti me duar bosh.

Për kryetarin e SPD-së ky ishte momenti për të dhënë një goditje politike. Pa paralajmërim, zëvendëskancelari futi në lojë shokun e partisë së tij, Frank-Walter Steinmeier. Një shans unikal, një shpim, i cili vajti në vend. Po të qe shpallur një profil i vendit të punës për Presidentin federal, ministri i Jashtëm do t’i plotësonte praktikisht të gjitha kërkesat: i arsyeshëm, i sofistikuar, diplomat, i afrueshëm me njerëzit. Ai vërtet që nuk është orator i lindur, retorika e tij normalisht kufizohet në turbullirë diplomatike. Por që edhe në gusht ai e quajti Donald Trumpin “predikues të urrejtjes” dhe që nuk pranoi ta urojë pas zgjedhjes, kjo të bën të shpresosh për një qartësi në rritje.

Edhe Angela Merkel e vlerëson Frank-Walter Steinmeierin. Si nga pikëpamja njerëzore, ashtu edhe në mendimin politik – sepse dy pragmatikët këtu i ngjajnë shumë njëri-tjetrit. Dilema e Merkelit: ky burrë për të ndodhet në partinë e gabuar. Duke pasur parasysh zgjedhjet parlamentare në shtator 2017, për kancelaren qe e pamundur që të vendoste për një kandidat socialdemokrat. Në fund ajo kaloi hapur nëpër mend idenë për të propozuar kryeministrin e Baden-Vyrttembergut, politikanin e gjelbër me ndikim, Winfried Kretschmann.

Por, këtë nuk donte ta pranonte CSU-ja. Atëherë më mirë Steinmeierin. Gjithsesi me të ajo mund të fitojë pikë në popull: Steinmeieri është kaq i preferuar në popull, sa asnjë politikan tjetër nuk i afrohet. Si kandidat të arsyes e përcaktoi tani ajo Steinmeierin – një formulim që mund të interpretohet në shumë drejtime.

Me siguri që Frank-Walter Steinmeier përfaqëson si asnjë kandidat tjetër stabilitet, vazhdimësi dhe pajtim. Një president kundër rrëmujës, kundër atij që ndihet si fund politik i botës. Një hije megjithatë mbetet: Steinmeieri do të mungojë si ministër i Jashtëm. Sepse në këtë post aftësitë diplomatike janë më të nevojshme se kurrë. Boshllëku që do të lerë Steinmeieri në kabinet për shkak të shpërnguljes në Kështjellën Bellevue duhet të mbyllet shpejt. Por të mbyllet si duhet. Lojëra politike fëmijësh kemi pasur boll deri tani.