LAJMI I FUNDIT:

Posta pret për shpërndarjen e ndihmave sociale

Posta pret për shpërndarjen e ndihmave sociale

Ministri i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, nuk i është përgjigjur ende ftesës së drejtuesve të Postës së Kosovës për një takim të përbashkët, shkruan sot Koha Ditore.

Këtë takim e ka kërkuar drejtori i Postës, Sejdi Hoxha, meqë më 4 maj, Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP), pas ankesës së Postës, e kishte anuluar tenderin për shpërndarje të ndihmave sociale, të shpallur nga kjo ministri.


OShP-ja në vendimin e vet kishte vlerësuar se Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale kishte shkelur Ligjin e Prokurimit, duke e përjashtuar Postën nga procedura tenderuese vetëm pse nuk e ka statusin e institucionit bankar.

Gjykata e tenderëve kishte vlerësuar se Posta e Kosovës ishte diskriminuar nga procesi tenderues dhe kishte vendosur për anulim të tenderit.

Njohës të ekonomisë kanë thënë se është e pakuptimtë që shpërndarjen e ndihmave sociale ta bëjë një institucion privat, kur këtë mund ta bëjë Posta e Kosovës që është institucion publik dhe mjetet e ndalura për transaksionet nëpërmes dividendit do të ktheheshin sërish në buxhetin e shtetit. /Telegrafi/