LAJMI I FUNDIT:

Posta e Kosovës përmbyll vitin me rritje financiare

Posta e Kosovës përmbyll vitin me rritje financiare

Posta e Kosovës ka përmbyllur këtë vit me bilanc pozitiv financiar, përkatësisht me 14 për qind rritje në krahasim me vitin paraprak.

Gjatë një prezantimi të hollësishëm para anëtarëve të Bordit të Drejtorëve, menaxhmentit, zyrtarëve nga të gjitha regjionet dhe përfaqësuesve të sindikatave,
Kryeshefi Ekzekutiv Sejdi Hoxha ka theksuar se viti 2016 ka qenë më produktivi që nga ndarja e ndërmarrjes nga ish-PTK para katër vitesh.

Ndër të arriturat kryesore që kanë ndikuar në rritje financiare ka potencuar shërbimet e reja që janë lansuar sivjet, siç janë: Marrëveshja me ATK-në për grumbullimin e kuponëve fiskalë në zyra postare; Marrëveshja me Zone Mobile për shitje në zyra postare të telefonave mobilë, pajisjeve teknologjike si dhe aksesorëve të ndryshëm; Shpërndarja e kartelave bankare për konsumatorë të bankave komerciale; Shërbimet që ofrohen për fermerët dhe mundësia për pagesa të kësteve të kredive për institucione mikrofinanciare; Gjurmimi i dërgesave (track and trace) dhe shtypja e etiketave R në Postën Hibride – dy projekte të realizuara tërësisht nga ekspertë të Postës.

Gjithashtu, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe me Valën janë blerë motoçikleta, biçikleta si dhe uniforma verore dhe dimërore për postierë.

Muajin e kaluar Posta ka nënshkruar një marrëveshje shumë të rëndësishme me Ministrinë e Shëndetësisë që përfshinë pagesën e një kategorie të premiumeve të sigurimeve shëndetësore në të gjitha zyrat postare.

Kryeshefi Hoxha ka prezantuar edhe objektivat strategjike për vitin e ardhshëm të cilat Posta synon t’i realizojë.

Ai theksoi se përkundër sukseseve të arritura mbesin disa sfida me të cilat përballet Posta por nëse do të kishte mirëkuptim nga institucionet e Kosovës do të tejkaloheshin edhe ato.

Kryeshefi Ekzekutiv ka premtuar se cilësia e shërbimeve dhe produkteve që ofron Posta do të avancohet edhe më tej në vitin e ardhshëm.
Ai ka falënderuar të gjithë punonjësit e Postës për përkushtim dhe profesionalizëm në punë. /Telegrafi/