Porta e mbyllur për rininë!

Do të rrëfej thjesht copëza historie të botës sonë shqiptare. E them botë, sepse duket një ishull i baraslarguar në kompleksitetin e vet. Një ishull sa mitologjik, aq edhe njerëzor, sa i mërzitshëm, aq edhe gëzimtar. Sido që të jetë, këtu prehen ditët tona, e ngrysim kohën duke menduar se pse kështu e pse ashtu. Si “analistët” e tjerë që rreken në mendime e përçmime, mu desh edhe mua të ndërmarrë këtë veprim, për të dhënë opinionin, se pse e gjitha kjo histori rrjedh si kjo e jona, për të cilët ne qytetarët modern veçanërisht ankohemi.
Folëm gjatë; shkuam larg në mendime. E di! Lexues të nderuar, kini pak durim sepse dua t’iu rrëfej thjesht një histori, që në fakt është historia e shoqërisë shqiptare. Duket e pa kapshme si histori, në këto pak rreshta. E di se është e vështirë për ta thënë të gjithën, sepse disa shkrimtarë me sa kam dëgjuar gjithmonë mbajnë diçka për vete për të mos mbetur bosh. Hile njerëzore!
Ju që po më lexoni e di se jeni shumica të rinj, e kjo mbase do t’iu shërbej se pse vendi Juaj është fare i pa rëndësishëm në këtë sistem të ndërlikuar demokratik, “paqedashës”, “hyjnor”, mbi të gjitha i dhënë pas lirisë. E megjithatë, ju ende jeni duke fantazuar se për çfarë bëhet fjalë. Është e thjeshtë! Për vendin që duhet të zërë gjithsecili nga Ju, në këtë baraspeshë sociale. Ju po luftoni me mish e me shpirt-siç thotë populli ynë-për të arritur majat e suksesit. Nëse më pyesni mua, mbase lodheni me tepri, sepse në të vërtetë Ju më shumë po luftoni për të pasur sukses, se sa për të ditur.
Këtë e vë re, por megjithatë nuk është shqetësimi im më i madh. Edhe pse bëtë të gjithë atë përpjekje, u lodhët shumë, u angazhuat për të qenë sfiduesit e së ardhmes, Ju ende nuk gjeni vendin e merituar në shoqërinë Tuaj që ju rriti me mitet më të mëdha, me urrejtje, me pangopshmërinë, e me gjithçka tjetër, që në fakt vetëm se ua ka rënduar edhe më presionin mbi Ju, për të qenë sfidues në fushën e re të jetës sonë demokratike.
Në komunizëm, me siguri që Ju të rinjve jua kanë thënë se si mundi i një shkolle orientohej nga “Prindi” i madh, Nëna Parti. Ju mendoni se ka ikur ajo kohë, me shembjen e bustit të zi të komunizmit. Mbase, jemi mashtruar kaq shumë, saqë mendja na është bërë ujë, e si robotë përplasemi nëpër zyra dhe ambiente fakultetesh për të kërkuar me çdo kusht SUKSESIN NË JETË. E pse jo! Megjithëse jam antimodernist, nuk po ju them që të ndaleni.
Përkundrazi! Ju takon të bëni përpjekjen Tuaj, për të çarë fuqishëm në këtë botë gjithnjë e më shumë në konkurrencë. Ju e shihni se sa e vështirë është ecja Juaj në karrierë. Mbase ju pushton ndjenja e inferioritetit në disa raste, e në të shumtën e kohës, mallkoni Shqipërinë Tuaj aq të dashur, e ku mbi të gjitha flasin shqip poetët. Urrejtja Juaj shpesh i kalon kufijtë. Ankoheni vazhdimisht. Flisni me vete rrugës; ankoheni për pagën Tuaj; ndiheni të pa vlerësuar! Sigurisht që jeta vazhdon, edhe kështu edhe ashtu. Po merreni me kohën Tuaj, për të harxhuar sado pak në përpjekje për të bërë gjëra të mëdha në jetë.
Suksesi s’ka ardhur ende! Mendjen e keni atje të pranishme, “lajm kryesor”. Mbase po e bëj botën homogjene me këtë që paraqes, por jua them ndershmërisht se edhe fetarët janë prekur nga një virus i tillë. Gara ka nisur prej motesh, por ndërkohë, sa vjen dhe ashpërsohet. Botën shqiptare nga ishull më duket se e bëra globale. Është e prekur gjithsesi, sepse dihet që ishujt sado të vetmuar të jenë, janë ujët e deteve që i bashkojnë. E kështu, vendi ynë nuk mund të jetë kaq shumë i veçuar, por sigurisht mbetet ishull nga brenda. Këtu është pjesa më e madhe e problemit tim.
Të rrekemi tek konkretja...
Fola përgjithësisht, e mbase shumë nga ju ndjetë pak lodhje. Tani po flasim për vendin Tuaj në historinë e re. Unë ua thashë se Ju ankoheni, sepse nuk gjeni vendin e merituar në shoqëri. E në fakt mirë bëni, sepse të nderuar lexues historia jonë për të cilën po flasim, jeton pak në të shkuarën e pak në të tashmen, në përpjekje për të gjetur veten në të ardhmen. Ju nuk mund të ecni në garën Tuaj të suksesit, sepse shoqëria ku jetoni është e angazhuar për të krijuar vazhdimisht pengesa ndaj Jush.
Shembullin më të mirë ua jep udhëheqja Juaj, që vegjeton vitesh edhe në rastet kur humbja është e dukshme. E gjithsesi, ata nuk merakosen, sepse në mendjen e tyre është fiksuar se një ditë do të kenë pushtet. Këta janë të vjetrit, komunistët e reformuar. S’kam asnjë paragjykim ndaj tyre. Ata janë pjesë e historisë sonë, por megjithatë nuk iu falet që vijojnë të mbajnë peng Shqipërinë e ankesave të shumta. Një kryetar partie nuk jep dorëheqjen edhe pse ka humbur zgjedhjet, edhe pse dështon vazhdimisht, edhe pse akuzohet për korrupsion. Edhe pse-të nuk kanë të sosur.
Kjo është e para që transmeton përpjekjen e këtij njeriu (drejtuesi) për t’i mbyllur derën gjithçkaje që bie ndesh me të. Kjo derë mbyllet për Ju. Ju që po studioni në universitetet për të qenë robotët dhe shërbëtorët e së nesërmes. Ky është vetëm shembulli i parë dhe më i keqi për Ju. Por nuk është e gjitha. Dhimbja vjen më tej, pasi këta komunistë të reformuar kanë celulat e tyre të shpërndara në të gjitha mekanizmat e fabrikës së madhe të shtetit. Besnikë deri në vetëflijim. Këta ju duhen atyre. Ndërsa ne të tjerët, ne që kemi mbërritur në epokën e re, të konkurrencës nuk mund të jemi kurrsesi kështu.
Demokracia, me bazën e saj konkurrencën dhe lirinë, nuk mund të jetë kazermë ushtarësh. Të “vjetrit”, jetojnë ende me mendësi të tilla. Ata drejtojnë gjithandej dikastere. Shumica prej tyre nuk përdorin kompjuterin, por gjithsesi ju takon të jenë drejtor. Miti i Unit, është i pranishëm me shumë forcë në këtë shoqëri në krizë, e mbetur diku në të shkuarën dhe e hallakatur në të tashmen. Duke qenë se “Uni” i tyre është bërë prezent kaq fort, ata janë shndërruar në disa lloj përbindëshash që luftojnë dhe nuk lejojnë askënd tjetër, t’iu ofrohet fushës së pushtetit të tyre.
Kjo është pengesa e dytë për Ju, për të shkuar drejt suksesit. Nuk është aspak tragjedi kur shefi ka mësuar se në jetë, duhet të ecet me pazare dhe jo me dije. Ju nuk e keni këtë ide në mendje. Por, prezenca Juaj me dije, vjen shumë më vonë se sa pazari. Pazaret bëhen shpejt, sepse janë kompromise sa hap e mbyll sytë. Këto i bëjnë ata që kanë zënë vend herët. Por mos mendoni se Ju të rinjtë, do të bëni ndryshimin. Jo! Kurrsesi jo! Sepse Ju jeni vijimësi e të parëve Tuaj.
Zakonit i jeni nënshtruar edhe Ju, edhe pse nuk mendoni si ata. Pozitiv është fakti se Ju jetoni në një kohë tjetër, teksa ndodheni vazhdimisht nën presionin e zhvleftësimit të së shkuarës. Edhe pse nuk jeni në pozicione të rëndësishme, ju as nuk vlerësoheni atje ku ndodheni. Shpesh herë më Ju, ironikisht shoqëria tallet deri në skaje. Ironia më e madhe është paga Juaj modeste, teksa dhuroni kohën e çmuar dhe mendjen gjithashtu. Në Shqipëri mendjet dhe idetë nuk blihen. Kjo është vërtetë fatkeqësi! Shoqëria bëhet e padrejtë dhe vrastare, ndërsa mentaliteti i Unit qëndron i pa thyeshëm.
Një kronikë...
Një ditë, më qëlloi të takohem me një drejtor spitali në Tiranë. (s’po e përmend emrin për arsye etike). Shkova për t’u vizituar. Trokita në derë dhe hyra brenda. Foli pa fund për veten. M’i tregoi të gjitha sukseset e jetës së tij. Në nxori librat që kishte botuar, sipas të cilit kishin bërë revolucion në mjekësi. Pasi kaloi një gjysmë ore, u përpoqa t’i flisja për shqetësimin tim.
Sërish nuk me lejoi, teksa shtoi se më kuptonte. Pa pritur, dera trokiti. Një paciente tjetër që kërkonte një mjek tjetër. “Eja zonjë, sepse unë jam i pari këtu”-ia ktheu drejtori. “Të gjithë të tjerët janë nxënësit e mi”-vijoi. Në fund, e pyeta sa i kushtonte vizita. Si gjithmonë, më orientoi tek betimi i Hipokratit, por gjithsesi nuk i refuzoi paratë që dhashë. Profesor në krizë, teksa Uni është bërë hyjni për të. I vjetër në moshë, e me një urrejtje të madhe ndaj demokracisë. Pasqyrë e një realiteti kontradiktë. Ai jeton ende me të shkuarën, teksa gjendet në të tashmen.






































