Polymarket - vendi ku fitohet para nga lufta, kaosi dhe informacionet e privilegjuara

Kur do ta 'hakmerret' publikisht Donald Trump? A do t’i bashkohet Ukraina NATO-s deri në vitin 2027?
Këto janë vetëm disa nga 10800 rezultatet që aktualisht ofron Polymarket, tregu më i madh parashikues në botë, ku prej disa vitesh mund të fitohen pasuri brenda natës, por edhe të keqpërdoren informacione të privilegjuara.
Polymarket funksionon si një platformë online për baste mbi rezultatet e ngjarjeve të ndryshme.
Përdoruesit nuk luajnë kundër “shtëpisë”, si në bastoret klasike, por mes vete blejnë dhe shesin pozicione mbi pyetje që kanë vetëm dy përgjigje të mundshme: “po” ose “jo”.
Platforma përdor një kriptovalutë të lidhur me dollarin amerikan, ndërsa tregtimi zhvillohet përmes rrjetit blockchain Polygon, shkruajnë mediat.
Në Polymarket mund të bëhen parashikime për pothuajse çdo fushë të jetës publike: politikë, zgjedhje, sport, kriptovaluta, ekonomi, teknologji, argëtim, luftëra dhe marrëdhënie ndërkombëtare.
Kështu, përdoruesit mund të “vënë bast” për fituesin e zgjedhjeve, për mundësinë e një armëpushimi në një konflikt, apo për rezultatet financiare të një kompanie.
Çmimi i këtyre parashikimeve nuk caktohet nga platforma, por formohet nga oferta dhe kërkesa e përdoruesve. Nëse shumë njerëz besojnë se një ngjarje do të ndodhë, rritet çmimi i opsionit “po” (dhe bie fitimi i mundshëm). Nëse interesi bie, bie edhe çmimi, ndërsa rritet potenciali i fitimit. Përdoruesit nuk kanë nevojë të presin përfundimin e ngjarjes, sepse mund ta shesin pozicionin e tyre më herët, nëse gjejnë blerës.
Luftërat sjellin më shumë para, por edhe më shumë probleme

Është e rëndësishme të theksohet se përdoruesit nuk mund të krijojnë vetë tregje të reja, pra nuk mund të hapin vetë një ngjarje të re.
Pyetjet e reja i përcakton Polymarket, edhe pse përdoruesit mund të propozojnë ide. Që një propozim të pranohet, duhet të jetë i formuluar qartë, të ketë një burim të besueshëm mbi të cilin më vonë mund të verifikohet rezultati dhe të ekzistojë interes për atë temë.
Për shembull, në pyetjen nëse Ngushtica e Hormuzit do të jetë e hapur për qarkullim deri në fund të prillit, aktualisht përgjigjja “po” vlen 28 cent. Kjo do të thotë se një investim prej një dollari, në rast të parashikimit të saktë, sjell kthim prej 3.57 dollarësh (100 pjesëtuar me 28). Ndërsa përgjigjja “jo” vlen 73 cent, që nënkupton një kthim të mundshëm prej 1.37 dollarësh. Kush gabon rezultatin, e humb investimin.
Themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i Polymarket, Shayne Coplan, ka pranuar se për shkak të konflikteve të armatosura industria e tregjeve parashikuese po përballet me rreziqe në rritje dhe ka shtuar se rritja e dukshmërisë sjell “më shumë para, por edhe më shumë probleme”. Në javën e sulmit izraelito-amerikan ndaj Iranit, përdoruesit në Polymarket kanë investuar 425 milionë dollarë vetëm në çështje gjeopolitike, tre herë më shumë se java e mëparshme.
Vitalik Buterin, bashkëthemelues i kriptovalutës Ethereum dhe një nga investitorët në Polymarket, ka shprehur shqetësim për drejtimin që po marrin tregjet parashikuese. Ai ka paralajmëruar se ato po rrëshqasin gjithnjë e më shumë drejt basteve afatshkurtra në kriptovaluta, basteve sportive dhe produkteve të tjera që kanë vlerë “dopaminike”, por jo domosdoshmërisht vlerë reale shoqërore apo informative.
Ndërsa mbështetësit e Polymarket e shohin atë si një mjet të dobishëm për të ndjekur realitetin në kohë reale, kritikët paralajmërojnë se platforma po anon rrezikshëm drejt spekulimit dhe mundësisë së keqpërdorimit të informacionit konfidencial. Agjencia Axios kishte paralajmëruar në fillim të shkurtit se tregjet parashikuese, veçanërisht Polymarket, po shndërrohen në një motor të dezinformatave virale në rrjetet sociale.
Bastet për sulme ku disa prej tyre edhe morën pjesë
- YouTube www.youtube.com
Shembujt e keqpërdorimit të informacioneve të brendshme për të investuar në Polymarket po shfaqen pothuajse çdo ditë në mediat ndërkombëtare. Gazeta izraelite Haaretz raportoi së fundmi se dy oficerë të Forcave Ajrore izraelite kishin fituar 244 mijë dollarë në Polymarket duke parashikuar një sulm ndaj Iranit, në të cilin edhe vetë kishin marrë pjesë.
Ndaj dy oficerëve është ngritur aktakuzë, por jo për përfitim financiar, por për zbulim dhe shkëmbim të informacionit konfidencial mbi operacionet e forcave të armatosura izraelite.
Vëmendje të madhe mori edhe një rast tjetër i basteve për konfliktin SHBA–Iran në fund të shkurtit të këtij viti. Bloomberg raportoi se gjashtë llogari të reja në Polymarket kishin fituar rreth një milion dollarë duke vënë bast se SHBA do ta sulmonte Iranin deri më 28 shkurt.
Shumica e investimeve u blenë vetëm disa orë para shpërthimeve të para në Teheran, ndërsa të gjitha llogaritë e përdoruesve ishin hapur gjatë shkurtit dhe merreshin ekskluzivisht me këto rezultate.
Në fund, edhe Polymarket u detyrua të reagojë dhe në mars ndaloi shprehimisht investimin bazuar në informacione të vjedhura konfidenciale dhe njoftime të paligjshme, si dhe investimin nga persona që mund të ndikojnë në rezultatin e ngjarjeve.
“Bastet ilegale në Polymarket po ngrenë shqetësime për trajtimin e papërshtatshëm të informacioneve konfidenciale të sigurisë kombëtare dhe për lojën e fatit me çështje jete dhe vdekjeje. Tregjet parashikuese kanë mbyllur sytë ose madje kanë nxitur përdorimin e informacioneve të brendshme për përfitime financiare”, ka shkruar së fundmi senatori amerikan nga Connecticut, Richard Blumenthal.
Platformë me vlerë 20 miliardë dollarë
Coplan e themeloi Polymarket në vitin 2020 në New York. Për një kohë platforma qëndroi në kufirin mes një bastore dhe një produkti financiar, por me kalimin e kohës u shndërrua në një treg global parashikues. Struktura e pronësisë së Polymarket nuk është publike, pasi bëhet fjalë për një kompani private.
Sot kompania vlerësohet rreth 20 miliardë dollarë, ndërsa vetë Coplan thotë se e kuptoi çfarë kishte krijuar kur përdorues nga Lindja e Mesme i thanë se çdo mbrëmje kontrollojnë Polymarket për të vendosur nëse duhet të flenë në strehimore.
Popullariteti i Polymarketit shihet edhe në shifra. Vëllimi i tregtimit në të gjitha tregjet parashikuese (Polymarket nuk është i vetmi) është rritur 130 herë mes fillimit të vitit 2024 dhe fundit të vitit 2025, duke tejkaluar 13 miliardë dollarë në muaj.
Vetëm Polymarket ka pasur më shumë se 22 miliardë dollarë qarkullim gjatë 11 muajve të parë të vitit 2025. Platforma tani numëron rreth 462600 përdorues aktivë mujorë.
Duhet theksuar se versioni ndërkombëtar i Polymarket është i ndaluar në 33 vende, mes tyre SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Italia dhe Australia, kryesisht sepse platforma konsiderohet si një bastore e parregulluar ose si një produkt i ngjashëm me derivatet financiare, për të cilin kërkohen licenca të veçanta.
Pavarësisht rritjes së popullaritetit, jo të gjithë po fitojnë. Një analizë e 2.5 milionë llogarive të përdoruesve në Polymarket në fillim të prillit tregon se 84 për qind e tyre janë në humbje.
Vetëm 2 për qind e përdoruesve kanë fituar më shumë se 1000 dollarë gjatë gjithë historisë së tregtimit, ndërsa vetëm 840 llogari, ose 0.033 për qind e totalit, kanë kaluar 100 mijë dollarë fitim kumulativ. /Telegrafi/



















































