Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka njoftuar se Njësia e Motoçikletave, në kuadër të Njësisë së Komunikacionit Rrugor, gjatë javës së kaluar ka shqiptuar gjithsej 61 tiketa për kundërvajtje në trafik.

Kjo njësi vepron në tërë territorin e Rajonit të Ferizajt, përfshirë komunat Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Hani i Elezit, me qëllim të rritjes së sigurisë në trafikun rrugor.


Sipas policisë, nga 61 masat e shqiptuara: 12 janë për mosrespektim të shenjave të trafikut, 8 për përdorim të telefonit gjatë drejtimit të automjetit, 7 për mosmbajtje të distancës së sigurisë, 5 për shkelje të rregullave të peshores nga shoferët e kamionëve, 29 për kundërvajtje të tjera.

Policia Rajonale e Ferizajt u ka bërë apel të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat dhe shenjat e komunikacionit, të mbajnë distancën e sigurisë dhe të shmangin përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të automjetit.

“Kujdesi, përqendrimi dhe respektimi i rregullave të trafikut shpëtojnë jetë. Udhëtoni me përgjegjësi dhe kontribuoni për një trafik më të sigurt për të gjithë”, thuhet në apelin e policisë. /Telegrafi/