Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka njoftuar se një 14-vjeçare nga fshati Davidovc ka gjetur një portofol me para dhe dokumente identifikuese në Shtime, të cilin më pas e ka dorëzuar në stacionin policor.

Rasti ka ndodhur më 23 gusht 2026, rreth orës 10:00, në rrugën “Adem Jashari” në Shtime. E mitura E. Baftiu ka gjetur portofolin, brenda të cilit ndodheshin 260 euro dhe dokumente identifikuese.


Bazuar në dokumentet e gjetura, policia ka arritur të identifikojë pronarin e portofolit, E.M., 17-vjeçar nga fshati Reçak. Ai është njoftuar nga policia dhe është paraqitur në stacionin policor për ta tërhequr portofolin.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj e ka falënderuar 14-vjeçaren për ndershmërinë, përgjegjësinë dhe gjestin e saj shembullor qytetar. /Telegrafi/