138 km/h në zonën 50 km/h, policia ndëshkon 19-vjeçarin në Ferizaj

Një 19-vjeçar është ndëshkuar nga Policia e Kosovës pasi është kapur duke drejtuar automjetin me shpejtësi 138 km/h, në një zonë ku kufizimi i shpejtësisë është 50 km/h.
Rasti ka ndodhur në fshatin Lloshkobare të Ferizajt, gjatë kontrolleve të shtuara të Njësisë së Komunikacionit Rrugor. Shoferi, me inicialet A.B., ishte duke drejtuar një automjet VW Golf me targa vendore.
Sipas Policisë, shpejtësia është matur përmes radarit të veturës policore.
Për këtë kundërvajtje, ndaj shoferit është shqiptuar gjobë prej 300 eurosh, 3 pikë negative, si dhe masa mbrojtëse e heqjes së patentë-shoferit për tre muaj.
Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet e rregullta dhe aktivitetet e intensifikuara në trafik, me qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe zbatimin e ligjit.
Policia ka apeluar te qytetarët që të bashkëpunojnë dhe të raportojnë çdo shkelje apo rrezik në trafikun rrugor. /Telegrafi/





































