Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka njoftuar se gjatë javës së kaluar, nga 17 deri më 23 gusht 2026, janë shqiptuar 1,785 gjoba kundërvajtëse për shkelje në komunikacion.

Sipas Policisë, gjatë së njëjtës periudhë janë pezulluar edhe 28 patentë shoferë ndaj drejtuesve të mjeteve që kanë kryer shkelje të rënda në trafik.


Ndërsa, në rajonin e Ferizajt janë regjistruar gjithsej 56 aksidente. Prej tyre, 25 kanë qenë aksidente me lëndime, ku janë lënduar 35 persona, ndërsa 31 aksidente kanë përfunduar me dëme materiale.

Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se do të vazhdojë me aktivitete të shtuara për parandalimin e aksidenteve dhe u ka bërë apel shoferëve që të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë rregullat e komunikacionit.

Qytetarët janë ftuar që të bashkëpunojnë me Policinë dhe të raportojnë kundërvajtjet në trafik në stacionin më të afërt policor, përmes aplikacionit “Lajmëro policinë” ose në numrin 192. /Telegrafi/