LAJMI I FUNDIT:

Policia demanton prokurorinë: Djalit të Shpend Maxhunit nuk i janë gjetur drogë dhe armë

Policia demanton prokurorinë: Djalit të Shpend Maxhunit nuk i janë gjetur drogë dhe armë

Policia e Kosovës ka dalë me një komunikatë, pas raportimit në media, duke iu referuar prokurorisë, se ndaj djalit të Shpend Maxhunit, ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe shefit aktual të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, është ngritur kallëzim penal për shkak të posedimit të lëndëve narkotike dhe armës. 

Në sqarimin e Policisë së Kosovës (PK), thuhet se Policia është institucion i zbatimit të ligjit dhe në të gjitha rastet vepron konform autorizimeve ligjore që ka, duke përfshirë konsultimin dhe koordinimin me organet e drejtësisë, njësoj siç ka vepruar edhe në rastin konkret të datës 12.10.2018 të cilësuar “Mbajtje në pronësi, kontroll, posedim i paautorizuar i armës (municionit)”.

“Siç u potencua me datë 12.10.2018, njësia policore  gjatë patrullimit rutinor në fshatin Zllatar, kishte ndaluar  veturën Golf IV me targa vendore, ku gjatë kontrollimit të tre personave që gjendeshin në veturë, duke përfshirë të apostrofuarin në media (Sh. M), ishte gjetur një revole e llojit “Zastava”, me një karikator dhe katër fishek të kalibrit 6. 35 mm”, thuhet në sqarimin e Policisë, njofton Telegrafi.

Kallëzim penal ndaj djalit të Shpend Maxhunit, kapet me drogë e armë
Lexo po ashtu Kallëzim penal ndaj djalit të Shpend Maxhunit, kapet me drogë e armë

“Gjatë vazhdimit të kontrollit të automjetit, në një pjesë të veturës është gjetur një thikë, si dhe një cigare e mbështjellë e cila dyshohej të jetë substancë narkotike, një mulli i bluarjes grinder ndaj të cilave janë duke u kryer hetime”.

Më tej Policia thotë se “personi i dyshuar ( A. K. ), i cili ka qenë në veturë ka deklaruar se cigarja e mbështjellë e gjetur brenda në veturë, si dhe mulliri i bluarjes grinder i përkasin atij”.

“Si rezultat i vazhdimit të hetimeve, nga njësitet policore është intervistuar edhe personi i katërt i dyshuari ( R. M ), i cili ka deklaruar se arma është e tij dhe se i njëjti e ka harruar në veturën e apostrofuar dhe se nuk i përket të dyshuarit (Sh. M)”.

“Lidhur me të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori kompetent, me rekomandim të të cilit rasti është proceduar në procedurë të rregullt”.

“Andaj ritheksojmë se PK-ja është institucion i zbatimit të ligjit dhe mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore, duke përfshirë angazhimet e saja profesionale edhe në rastin konkret, për të cilin ka ngrit kallëzim penal”, thuhet në sqarim. /Telegrafi/