Raketa prototip e SpaceX, Starship Mark 1 shpërtheu pjesërisht gjatë një prove presioni në Boca Chica, Texas.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, incidenti ndodhi pasditen e së mërkurës dhe u kap nga pamjet e transmetuara Live.

Gjatë provës, pjesa e sipërme e raketës shpërtheu dhe nga automjeti dilte tym.

“Qëllimi i testit të sotëm ishte presionizimi i sistemeve në maksimum, kështu që rezultati nuk ishte plotësisht i papritur”, ka thënë një zëdhënës i SpaceX për The Verge, duke shtuar: “Nuk pati lëndime dhe as kjo nuk është një pengesë serioze”.

Elon Musk ka thënë më parë SpaceX do të ndërtojë disa versione të Starship, duke përfshirë një prototip Mark 2 dhe Mark 3.

I pyetur në Twitter nëse SpaceX do të vazhdonte me përsëritjen e Mark 3, Musk dukej se ishte dakord: “Absolutisht, por për të kaluar në modelin Mk3. Kjo kishte një vlerë si një shteg prodhues, por dizajni i fluturimit është krejt i ndryshëm”.

SpaceX ka zhvilluar sistemin Starship në vendin e saj të lansimit në Texasin Jugor. /Telegrafi/