E frymëzuar nga një prej skenave më të famshme të filmit romantik, kjo pite me mollë është krokante, aromatike dhe ideale për ditët e verës

Billy Crystal dhe Meg Ryan u bënë të pavdekshëm në rolet e Harry-t dhe Sally-t në komedinë romantike kult Kur Harry takoi Sally. Filmi mbahet mend për shumë skena ikonike, përfshirë edhe atë në restorant, ku Sally bën një porosi shumë specifike të pites me mollë.


E frymëzuar nga kjo skenë, ju sjellim recetën e kësaj ëmbëlsire klasike.

Përbërësit për brumin

  • 2 gota miell
  • ¾ lugë çaji kripë
  • 115 g gjalpë i ftohtë
  • 1 vezë e madhe
  • 2 lugë çaji ujë të ftohtë
  • 1 lugë çaji uthull

Përbërësit për mbushjen

  • 60 g gjalpë
  • 1 kg mollë
  • 1 lugë çaji lëng limoni
  • ¼ gotë miell
  • ½ lugë çaji kripë
  • ¾ gotë sheqer i bardhë
  • ½ gotë sheqer kaf
  • 1 bisht vaniljeje

Për lyerje

  • pak ujë
  • 1 vezë e rrahur
  • sheqer për spërkatje

Përgatitja

Përzieni miellin, kripën dhe gjalpin e prerë në kubikë derisa të krijohet një masë e thërrmuar. Shtoni vezën, ujin e ftohtë dhe uthullën, më pas punojeni brumin derisa të bashkohet.

Ndajeni në dy pjesë të barabarta, formoni dy disqe, mbështillini me qese plastike dhe vendosini në frigorifer për të paktën 30 minuta.

Për mbushjen, shkrini gjalpin në temperaturë mesatare derisa të marrë ngjyrë të artë. Qëroni mollët, pritini në copa të mëdha dhe përziejini me lëngun e limonit.

Në një enë tjetër bashkoni miellin, kripën, sheqerin e bardhë, sheqerin kaf dhe farat e vaniljes. Hidhni mbi mollë gjalpin e skuqur dhe përzierjen e thatë, më pas përziejini me kujdes.

Hapni pjesën e parë të brumit dhe shtrijeni në tavën e pites. Shtoni mbushjen me mollë dhe lagni lehtë skajet me ujë.

Hapni pjesën tjetër të brumit, mbulojeni piten dhe bashkoni mirë skajet. Me një thikë bëni disa prerje të vogla në sipërfaqe dhe vendoseni piten në ngrirje për rreth 30 minuta.

Ngrohni furrën në 200°C. Lyejeni piten me vezën e rrahur, spërkateni me pak sheqer dhe piqeni 15 minuta. Më pas ulni temperaturën në 180°C dhe vazhdoni pjekjen edhe për rreth 60 minuta.

Lëreni të ftohet plotësisht para se ta shërbeni. Për shijen më të mirë, përgatiteni një ditë më parë.

Ju bëftë mirë, - transmeton Telegrafi.