Nga: David Quantick, skenarist dhe kritik filmi / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
E martë, 30 prill 1974. Atë ditë, Michael Palin shkroi në ditarin e vet: “Dita e parë e xhirimeve … Veshëm parzmoren dhe tunikën me kryq të kuq … Johni (Lanseloti) dhe unë (Galahadi) udhëtuam përmes Glenkos me një furgon të lirë të marrë me qira, tërësisht të mbuluar me parzmore … Kamera u prish gjatë xhirimeve të para”.
Kështu filloi realizimi i filmit Monti Pajtoni dhe Grali i Shenjtë [Monty Python and the Holy Grail], filmi i dytë i trupës Monty Python (pas filmit të vitit 1971, Dhe tani diçka krejt ndryshe / And Now for Something Completely Different), dhe i pari që u konceptua si film me një rrëfim të vetëm – jo me skeçe rasti – ndonëse me një strukturë të lirshme. Si sukses artistik dhe komercial, Grali i Shenjtë u bë një moment përcaktues në karrierën e trupës.
Lexo po ashtu:
– Katër jorkshajrmenët
– “The Life of Brian” (1979): Ai nuk është profet, por një djalë i prapë!
– Rrëfimi prapa filmit më komik e më kontrovers të historisë së kinematografisë: “Life of Brian”
– Koha kur George Harrison e shpëtoi kinemanë britanike
– Babai nevrik që frymëzoi Michael Palinin
– Tetëdhjetëvjeçari Eric Idle: Ende punoj – për të mbijetuar
Para premierës, Cirku fluturues i Monti Pajtonit [Monty Python’s Flying Circus] ishte thjesht një shfaqje e popullarizuar e humorit në BBC, me disa skeçe qesharake. Pas filmit Grali i Shenjtë, Python-ët u bënë komedianët më të famshëm dhe më me ndikim në Amerikë – dhe për rrjedhojë, në botë. Tani, 50 vjet më vonë, pavarësisht suksesit të veprave të tyre të mëvonshme, si në grup ashtu edhe individualisht, asgjë tjetër – as Jeta e Brajanit [Life of Brian], as Bujtina [Fawlty Towers], madje as udhëtimet televizive të Michael Palinit – nuk ka pasur një ndikim kulturor si Grali i Shenjtë.
Po aq qesharak sot sa ç’ishte gjysmë shekulli më parë, ky është një film që theu formatin tradicional të komedisë në ekran të madh. “Ishte qesharak, i freskët dhe i çmendur”, ka thënë John Cleese, “dhe vërtet nuk ngjante me asgjë tjetër”. Por, çfarë e bëri të jetë kaq ndryshe? Në fund të fundit, trupa Monty Python nuk e shpiku komedinë surrealiste: dramaturgu britanik N. F. Simpson, revyja skenike amerikane Kabareja e Ferrit [Hellzapoppin] dhe emisioni legjendar radiofonik i Spike Milliganit [The Goon Show] kishin ndodhur më parë.
As komeditë historike nuk ishin risi: që nga Bob Hope deri te Danny Kaye, shumë vetë kishin realizuar filma humoristikë të vendosur në të kaluarën, ndërsa romancierët britanikë Caryl Brahms dhe S. J. Simon e kishin çuar më tej këtë zhanër – në vitet ‘40 të shekullit XX – me histori që përzienin anakronizmin me mungesën e respektit ndaj gjërave serioze (si S’ka shtrat për proshutën / No Bed for Bacon dhe Mos, z. Dizraeli! / Don’t, Mr Disraeli!).
Ajo që e bëri vërtet të veçantë Gralin e Shenjtë ishte qasja që u testua fillimisht në televizion nga dy anëtarë të ardhshëm të trupës, pak para se Monty Python të formohej në vitin 1969. Në fillim të atij viti, Michael Palin dhe Terry Jones realizuan një seri të quajtur Historia e plotë dhe absolute e Britanisë [The Complete and Utter History of Britain]. Ajo përmbante parodi historike me një kthesë moderne – për shembull, agjenti i patundshmërive nga Epoka e Bronzit, i cili një çifti ia tregonte shtëpitë në Stounhenxh [Stonehenge], apo intervista me William Pushtuesin, menjëherë pas pushtimit të Britanisë – dhe përfaqësonte versionin e parë televiziv të asaj që shumë shpejt do të bëhej një markë dalluese e Python-ëve: personazhe të së kaluarës që silleshin si njerëz të shekullit XX, me futje të një dozë absurditeti. (Historia e plotë dhe absolute e Britanisë është gjithashtu e njohur për faktin se ishte shfaqja që frymëzoi John Cleesein të telefononte Palinin dhe t’i thoshte: “Nuk do të bësh më nga këto gjëra, apo jo”?)
Ka një ndjenjë të jashtëzakonshme dhe të lirshme krijimtarie që përshkon gjithë filmin Grali i Shenjtë, duke filluar me skenën krejtësisht absurde hapëse. Graham Chapman, në rolin e mbretit Artur, dhe shërbëtori i tij Petsi (i luajtur nga regjisori i ardhshëm i filmave të mëdhenj, Terry Gilliam), galopojnë zhurmshëm në skenë; dhe pothuaj menjëherë përfshihen në një debat me një ushtar tepër llafazan (i luajtur nga Eric Idle), i cili i kritikon sepse, në vend të kuajve, “keni dy gjysma të zbrazëta kokosi dhe po i përplasni ato”.
Pas kësaj, audienca ndjen se gjithçka mund të ndodhë – dhe shpesh ndodh. Për 90 minuta në vijim, Arturi dhe shokët e tij përballen me ngacmime nga një kalorës francez (Cleese, në formën e tij më thumbuese: “Unë bëj pordhë në drejtimin tuaj të përgjithshëm”), tundime nga zonjushat çapkëne (Carol Cleveland, shpeshherë e nënvlerësuar në rolin e saj si Zutja), dhunë nga Kalorësi i Zi (“Është vetëm një gërvishtje!”), tmerr nga Kalorësit që Thonë “Ni!”, dhe, në fund, në kundërshtim me tekstin origjinal të [shkrimtarit mesjetar] Thomas Malory, turpërimi i arrestimit nga policia për vrasje. Fundi i filmit gjithmonë ka shkaktuar polemika: nuk është i kënaqshëm nga ana dramatike, por është qesharak (dhe ndoshta pa qëllim pasqyron fundin e Shalave flakëruese / Blazing Saddles të Mel Brooksit, i dalë një vit më parë). Eric Idle pranoi disa vite më vonë: “Nuk dinim si ta përfundonim”.

Mungesa e një përfundimi tradicional ishte thelbësore për mënyrën e të menduarit të trupës Monty Python. Pjesëtarët e grupit kishin punuar më parë në emisione të zakonshme humori (si The Frost Report; Cleese madje kishte shkruar për programin The Two Ronnies), ku ishin ndier të zhgënjyer nga kufizimet e formatit të skeçeve – veçanërisht nga konvencioni që çdo pjesë duhej të përfundonte me një konkluzion të zgjuar dhe të duhur. Por, pavarësisht përpjekjeve, ata nuk gjenin një alternativë – derisa, në vitin 1969, Terry Jones rastisi të shihte një emision të ri televiziv me një nga heronjtë e tyre të komedisë.
“Pashë shfaqjen Q5 të Spike Milliganit dhe mendova: ‘Ah, dreq! E bëri ai’”, ka pranuar më vonë Jones. “Ai e kishte thyer formatin klasik të shfaqjeve me skeçe. Kishte skeçe që nuk përfundonin fare dhe të tjera që thjesht shndërroheshin në diçka tjetër”.
Qarku u ndërpre, falë Milliganit – dhe gjithashtu Terry Gilliamit, animacionet e të cilit rridhnin në mënyrë të natyrshme nga njëra në tjetrën, me një logjikë unike. Python-ët nuk ishin më të lidhur me rregullat. Ashtu siç Milligani mund të mbyllte një skeç duke bërë që të gjithë të largoheshin duke brohoritur “Çfarë do të bëjmë tani?”, po ashtu pasuesit e tij mund të përfundonin një film me një antiklimaks të qëllimshëm.
Megjithatë, në vitin 1975, Monty Python po mendonin për një lloj tjetër përfundimi: fundin e vetë trupës. Në atë kohë, John Cleese veçse ishte larguar (për të realizuar Bujtinën me Connie Boothin), dhe pavarësisht një serie të katërt të afërt të Cirkut fluturues, shkruar me ndihmën e krijuesit të ardhshëm të Udhërrëfyesit të autostopistit për Galaktikën [The Hitchhiker’s Guide to the Galaxy], Douglas Adams, Python-ët po shkonin drejt një pezullimi.

Të paktën kështu dukej. Në fakt, përtej Atlantikut, suksesi i shfaqjes në rrjetin publik televiziv PBS në ShBA dhe entuziazmi që gjeneroi në kampuset universitare, bënë që Monty Python-ët – të konsideruar tashmë si një forcë e shuar krijuese në atdhe – të fitonin një audiencë të re në Amerikë. Në vend që të shpërndaheshin, ata u rikthyen, realizuan filma dhe nisën një turne nëpër ShBA.
Ditë e diele, 27 prill 1975. Gati një vit pas nisjes së xhirimeve për Gralit të Shenjtë, Michael Palin ndodhej në Nju-Jork për premierën amerikane të filmit.
“Duhej të ishim në Kinemanë e Dytë të Avenysë së Tretë në orën 11:00, për të mirëpritur spektatorët e parë dhe për të shpërndarë kokos teksa dilnin nga salla”, shkroi ai në ditarin e vet. “Telefoni cingëroi … A mund të shkonim sa më shpejt në kinema; kishte njerëz që po prisnin në radhë që prej orës 5:30 të mëngjesit”!
Grali i Shenjtë shpëtoi Python-ët – dhe ua dha një të ardhme. (“Për herë të parë në jetën time”, ka thënë John Cleese, “ndjehej sikur njerëzit po ngjiteshin nëpër shkallët poshtë dritares sime dhe po më hidhnin të holla brenda”.) Pa të, nuk do të kishim Jetën e Brajanit as Kuptimin e jetës [The Meaning of Life]. Suksesi komercial i filmit gjithashtu bëri që dy regjisorët e tij – dy Terryt – të fitonin besimin dhe buxhetin për të realizuar projekte të vetat, duke na dhuruar filma të ndryshëm, si Banditët e kohës [Time Bandits], Dymbëdhjetë majmunët [12 Monkeys], Shërbimet personale [Personal Services], Vikingu Erik [Erik the Viking] dhe Nonsens [Jabberwocky]. Po ashtu, siguroi që John Cleese të realizonte filmin Peshku me emrin Vanda [A Fish Called Wanda] dhe Eric Idle të krijonte projektin me rok-grupin The Rutles.

Ky i fundit – parodia e parë rok në formë dokumentari, realizuar në vitin 1978 rreth një grupi me katër anëtarë të ngjashëm me Beatles – është me rëndësi të dyfishtë, sepse ndërsa Eric Idle e mbushi grupin The Rutles me talente britanike (përfshirë kompozitorin brilant Neil Innes, i cili kishte luajtur edhe në Gralin e Shenjtë, duke bërë një parodi të John Lennonit), ai gjithashtu përfshiu një sërë komedianësh amerikanë, si Bill Murray, Gilda Radner dhe John Belushi, të gjithë pjesë e një emisioni relativisht të ri amerikan, i cili, si Grali i Shenjtë, do të festojë 50-vjetorin në vitin 2025: Saturday Night Live (SNL).
Është pak të thuash që krijuesit e SNL-it – producenti Lorne Michaels dhe aktorët e tij – ishin të impresionuar nga trupa Monty Python. Ata e panë trupën në të njëjtën mënyrë siç Python-ët kishin parë veprën e Milliganit – si një çlirim të vërtetë artistik. Deri atëherë, me disa përjashtime (si surrealisti Ernie Kovacs), komedia televizive amerikane kishte qenë një përzierje sitkomeve (disa të shkëlqyeshme, disa të tjera aspak) dhe emisioneve të varieteteve. Por, koha po ndryshonte.
Në vitin 1975, presidenti i korruptuar Richard Nixon kishte dhënë dorëheqjen dhe Lufta e Vietnamit po merrte fund. Ishin zhdukur si konformizmi i viteve ’50 të shekullit të kaluar, ashtu edhe ideali i viteve ’60 të shekullit të kaluar, dhe në vend të tyre kishte ardhur një Amerikë e re më e ashpër.
Në këtë kontekst, SNL-i duhej të ofronte diçka ndryshe nga paraardhësit – dhe te trupa Monty Python gjeti atë që kërkoi. “Për mua ishte një mrekulli, një zbulesë”, ka thënë Michaels për përshtypjet e tij të para mbi Python-ët. “Më dukej sikur, edhe një herë, erërat e ndryshimit po frynin nga Anglia”.
Edhe pse formati i drejtpërdrejtë i SNL-it nuk i përshtatej stilit të Python-ëve, emisioni përqafoi një version të amerikanizuar të qëndrimit të grupit britanik. Me fjalë të tjera, adoptoi ashpërsinë e skeçeve të Cleeseit dhe Chapmanit, vëzhgimin karakterial të Jonesit dhe Palinit, humorin gjuhësor të Idleit dhe kaosin vizual të Gilliamit.
Për vite me radhë, disa anëtarë të trupës Monty Python ishin prezantues të SNL-it, me Eric Idlein dhe Michael Palinin secili prej të cilëve prezantoi shfaqjen katër herë. Popullariteti dhe ndikimi i Python-ëve në SNL përbënte një kontrast të hareshëm me paraqitjen e tyre të parë në televizionin amerikan në vitin 1973 [në The Tonight Show], kur u prezantuan nga Joey Bishop si “një grup humoristik nga Anglia, për të cilët kam dëgjuar se qenkan qesharak;”.
Nëse SNL-i e pa trupën Monty Python si frymëzim, atëherë Grali i Shenjtë ishte filmi që forcoi lidhjen mes Python-ëve dhe Amerikës. Duke krahasuar dy filmat më të famshëm të tyre, Cleese kishte vënë re: “Të gjithë amerikanët e duan Gralin e Shenjtë, ndërsa anglezët e duan Jetën e Brajanit”. Pavarësisht nëse kjo është e vërtetë ose jo, Grali i Shenjtë pushtoi Amerikën. Madje edhe Elvis Presley e pëlqeu filmin – e kishte parë katër herë rresht: skena e tij e preferuar ishte ajo me Kalorësit që Thonë “Ni!” …

Ndikimi i filmit nuk u kufizua vetëm në ShBA. Lista e shkrimtarëve, aktorëve, regjisorëve dhe artistëve që janë frymëzuar veçanërisht nga përzierja unike e Gralit të Shenjtë – midis surrealizmit, historisë dhe komedisë anakronike – është e gjatë dhe mbresëlënëse. Ajo përfshin Terry Pratchettin, i cili u mbështet në mënyrën si Python-ët trajtuan botën mesjetare për të krijuar versionin e tij të komedisë frymëzuar nga Tolkieni; Richard Curtis, krijuesi i Nepërkës së zezë [Blackadder], dhe bashkëpunëtori i tij, Ben Elton, i cili vazhdon të eksplorojë komedinë historike me sitkomin për Shekspirin [Upstart Crow]; si dhe Taika Waititi, i cili jo vetëm që realizoi komedinë e errët historike Lepuri Xhoxho [Jojo Rabbit], por gjithashtu riktheu në mënyrë të shkëlqyer Banditët e kohës të Gilliamit – në Apple TV+ në vitin e kaluar. Dhe, natyrisht, nuk mund të mungojë gjurma e dukshme e ADN-së së Gralit të Shenjtë në serialin Historitë e tmerrshme [Horrible Histories] të BBC-së, që mori librat e autorit Terry Deary dhe i shndërroi në homazhin më jetëgjatë ndaj Python-ëve të transmetuar ndonjëherë.
Mund të argumentohet se, më shumë se çdo gjë tjetër që kanë bërë – më shumë se komedia ekstreme e Z. Kreosoti në Kuptimi i jetës, më shumë se skeçi i famshëm Papagalli i ngordhur që adhurohet nga studentët kudo, më shumë se shfaqjet në skenë apo LP-të, madje edhe më shumë se filmi kontrovers Jeta e Brajanit – Grali i Shenjtë përfaqëson shprehjen më të pastër dhe më të mirë të trupës Monty Python. Narrativa e lirshme i jep liri të jashtëzakonshme për të qenë thjesht vazhdimisht qesharak. Ambienti fabulist mesjetar bën që ai të mos plaket kurrë (ndihmon gjithashtu fakti se është ndoshta projekti i vetëm Python-ëve ku shumica e roleve femërore luhen nga gratë e vërteta). Dhe, tematika e tij historike e bëri atë model për shumë nga veprat e mëvonshme të Python-ëve, si të përbashkëta ashtu edhe solo – nga Nuk ka mit pa marrëzi [Ripping Yarns] deri te Aventurat e baronit Minhauzen [The Adventures of Baron Munchausen].
Edhe pas gjysmë shekulli, prania e tij në psikikën globale nuk zbutet aspak. Si një vezë ndërkulturore pashke, Grali i Shenjtë shfaqet ende kudo, në çdo medium. Ndoshta referenca më e famshme e kohëve të fundit ndodhi në një nga serialet më jokomike të HBO-së, Loja e Froneve [Game of Thrones], i cili jo vetëm që përfshiu skena të xhiruara në Kështjellën e Dunit në Skoci (lokacioni i Gralit të Shenjtë), por edhe një moment ku Kampioni i Mirinit tall Deneris Targarienin: “Nëna jote është një brejtëse dhe babai yt kutërbon si rrushi i qenit”. Vështirë të gjesh një homazh më të denjë për ndikimin e qëndrueshëm të Gralit të Shenjtë. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Enver Hoxha punonte katër orë në ditë, pushonte dy herë në vit nga tre muaj

Shqiptarët në Mesjetë mbanin "dy emra"

Aforizma brilante nga Winston Churchill

Kur shkrimi i dorës zbërthen karakterin

Edhe një vilë historike, më pak në Tiranë: Shembet ndërtesa e vjetër, e motrave të Zogut

“Vëllezërit Karamazov” dhe pasaktësitë e një përkthimi

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Për vetëm 29.95€ me Telegrafi Deals dhe Melodia PX, këto patika bëhen tuajat!

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Më të lexuarat

Vdes njëri nga të plagosurit nga gjuajtja me armë në Prishtinë

Të shtëna me armë zjarri në Prishtinë, lëndohen dy persona

Gjesti shpërthen në kujtime të hidhura: Kam pirë substanca narkotike në moshën 12-vjeçare

“Pazar i madh”, Canaj: Abdixhiku po kërkon postin e kryeministrit dhe tetë ministri

Reagon gazetari që u përfshi aksidentalisht në bisedën konfidenciale të administratës Trump

Çfarë do të thotë për Evropën, armëpushimi në Ukrainë?