Pesë persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur sot rreth orës 15:50 në rrugën Gjilan-Kamenicë, në dalje të fshatit Koretin.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, ka deklaruar se në aksident janë përfshirë dy vetura.


“Sot, më 25.05.2026, rreth orës 15:50, Policia e Kosovës në Gjilan ka pranuar informacion për një aksident trafiku me lëndime në rrugën Gjilan-Kamenicë, në dalje të fshatit Koretin. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e Ndihmës së Shpejtë, Njësia Rajonale e Trafikut dhe hetuesit e aksidenteve”, ka thënë Hashani.

Sipas tij, pesë të lënduarit, fillimisht janë dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Gjilan për trajtim mjekësor.

“Më pas, njëri prej të lënduarve është transferuar në QKUK për trajtim të mëtejmë, ndërsa katër personat e tjerë janë liruar”, theksoi ai.

“Policia e Kosovës po vazhdon hetimet për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat që çuan deri te aksidenti”, shtoi Hashani.