Përsëritet skena tronditëse, Eriksen rrëzohet sërish në fushë - ndërpritet ndeshja Danimarkë - Ukrainë

Skena tronditëse u panë mbrëmjen e së dielës në ndeshjen miqësore ndërmjet Danimarkës dhe Ukrainës, kur mesfushori danez Christian Eriksen u rrëzua papritur në fushë gjatë pjesës së dytë të takimit.
Momenti dramatik ndodhi në minutën e 65-të, kur 34-vjeçari humbi ekuilibrin dhe mbeti i shtrirë në fushë. Shokët e skuadrës e kuptuan menjëherë seriozitetin e situatës, ndërsa stafi mjekësor hyri me urgjencë për t’i ofruar ndihmën e nevojshme.
Lojtarët danezë formuan një rreth rreth Eriksenit për t’i dhënë privatësi ekipit mjekësor gjatë ndërhyrjes, ndërsa në stadium mbizotëroi heshtja dhe ankthi.
Sipas mediave daneze, atmosfera ishte jashtëzakonisht e rëndë. Disa futbollistë nuk i fshehën emocionet, ndërsa tifozët ndiqnin me shqetësim zhvillimet në fushë.
The moment Christian Eriksen suddenly went down on the pitch. https://t.co/ndX4ign4f1 pic.twitter.com/7sAWz0kpc0
— Futball Centa (@futballcenta) June 7, 2026
Pas disa minutash pasigurie, erdhën lajme më pozitive. Federata Daneze e Futbollit (DBU) konfirmoi se Eriksen ishte i vetëdijshëm, lajm që u prit me duartrokitje të gjata nga mijëra tifozët e pranishëm në stadium.
Ndeshja nuk vazhdoi më dhe u ndërpre para përfundimit të saj. Rezultati në ato momente ishte 2-1 në favor të Danimarkës, por futbolli kaloi në plan të dytë përballë shqetësimit për gjendjen e lojtarit.
Eriksen u largua nga stadiumi me ambulancë, i shoqëruar nga bashkëshortja dhe pjesëtarë të ekipit kombëtar, për t’iu nënshtruar ekzaminimeve të mëtejshme në spital.
🚨 Christian Eriksen collapsed again during the friendly between Denmark and Ukraine
Thoughts with Eriksen and his family 🙏❤️ pic.twitter.com/W6EP7ZCxjX
— Vfynn_🥷🏼 𐙚 (@Vfynn_) June 7, 2026
Ngjarja riktheu menjëherë kujtimet e dhimbshme të Euro 2020, kur Eriksen pësoi arrest kardiak gjatë ndeshjes mes Danimarkës dhe Finlandës. Pas një beteje të gjatë dhe rikuperimi të suksesshëm, ai u rikthye në futbollin profesionist në vitin 2022, duke u bërë një simbol i forcës dhe këmbënguljes në sport. /Telegrafi/




































