LAJMI I FUNDIT:

Përse heshtin Kuvendi dhe Gjykata Kushtetuese për fusnotën?

Me cilëndo kushtetutë të cilitdo shtet në Botë nuk ka mundësi që qeveria, që del nga republika parlamentare, të miratoj e zbatoj marrëveshje me shtete armike, pa ratifikimin e atyre marrëveshjeve nga parlamenti dhe pa u verifikua nga Gjykata Kushtetuese. Kjo është e mundur vetëm në Republikës të Kosovës, për fatin e të cilës vendos sundimi diktatorial i Brukselit! Andaj, në vend se Kuvendi i Republikës të Kosovës të nxjerr Rezolutë kundër fusnotës serbe, Kuvendi për të mashtruar opinionin, nxori një Rezolutë kundër zgjedhjeve të Serbisë në veri të Republikës të Kosovës, edhe pse me pranimin e fusnotës juridikisht Serbisë ju dha e drejta ta shtrijë sovranitetin mbi vendin ton. Pra, edhe të mbaj zgjedhjet e veta në Kosovë (pa Republikë) duke e konsideruar Kosovën krahinë të veten.

Një nga detyrat kryesore të parlamentit (në cilindo shtet) është edhe shqyrtimi, refuzimi apo miratimi (ratifikimi) i marrëveshjeve bilaterale dhe multilaterale që i realizon qeveria në marrëdhëniet ndërkombëtare.


Po shihet çart se me marrëveshjen e imponuar nga diktatura Brukselit mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, që solli fusnotën serbe, me Rezolutën 1244 brenda dhe me emrin e Republikës e Kosovës jashtë, ishte në kundërshtim edhe me ketë Kushtetutë çfarë është Kushtetuta e mjerë e Ahtisarit, e në të cilën bëjnë be e rrëfe qeveria dhe parlamenti i Republikës së Kosovës. Ky është çmimi i kolaboracionizmit që po quhet “partneritetit” me BE-në në sundimin kolonial e diktatorial të Brukselit mbi Republikën e Kosovës me te cilin janë pajtuar të gjitha partitë parlamentare pa përjashtim.

Miratimi i fusnotës serbe me 1244 brenda e me emrin e Republikës jashtë, juridikisht e kthen sovranitetin e Serbisë mbi Republikën e Kosovës. Me këtë faktikisht dhe juridikisht ju dha leja Serbisë që të mbaj edhe zgjedhjet e veta brenda Republikës së Kosovës. Kështu si u nxor pastaj rezoluta kundër zgjedhjeve në veri, jo vetëm se kjo është një farsë e mashtrim për opinionin, por dëshmon dhe për mos njohje elementare të rendit juridik dhe për paaftësi elementare për të udhëheq me shtetin.

Prandaj, nëse është dashur të pengohet mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë brenda Republikës së Kosovës, atëherë është dashur të nxirret Rezoluta mbi anulimin e tërë marrëveshjeve (duke e përfshirë edhe fusnotën) mes Grupit për Negociata me Serbinë (GNS) dhe shtetit armik serb nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës. Parlamenti i Republikës se Kosovës me aktin e shpalljes së pavarësisë me 17 shkurt 2008 do të duhej një herë e përgjithmonë ta shfuqizonte Rezolutën 1244 në territorin e Republikës se Kosovës, sepse pavarësia e asnjë shteti nuk vjen nga OKB, por vetëm nga vet popujt e atyre vendeve që krijojnë shtet e veta dhe që janë të aftë që vet t´ju dalin Zot atyre.

Por, Qeveria e Republikës se Kosovës me diletantizmin e Edita Tahirit e riktheu vet Rezolutën 1244 e cila e njohu sovranitetin e Serbisë mbi Kosovë. Parlamenti dhe Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës në vend se te reagojnë të hedhin posh në mënyrë kategorike këtë marrëveshje, ata i futën veshtë në lesh dhe tani merren me rezoluta për ndalimin e atyre zgjedhjeve që i kanë lejuar vet me fusnotë në Bruksel. Kjo nuk mund të arsyetohet me presion nga “miqtë ndërkombëtar”, sepse ata që juridikisht e kthejnë Republikën e Kosovës në vitin 1999 nuk janë miq tanët por janë miq të Serbisë. Po shihet çart se për Brukselin vendi i ynë është koloni e BE-së ku ata munden të vendosin diktaturën e vet ultra të djathtë dhe e cila nuk ka shumë dallim prej diktaturës ultra të majta te ish Bashkimit Sovjetik.

Kur Qeveria me mekanizmat e vet nuk parandalon apo nuk anulon arritjen e marrëveshjeve të dëmshme për vendin ton, nga ndonjë grup qeveritar apo të ndonjë pjesëtar i qeverisë, atëherë reagon Parlamenti dhe anulon marrëveshjet e tilla të dëmshme. Nëse parlamenti nuk reagon – si ndodhi në këtë rast – menjëherë duhet të reagoj Gjykata Kushtetuese, sepse këtu është fjala për shkelje fondamentale të sovranitetit të vendit. Kur të dështojnë tërë këta mekanizma shtetërorë, atëherë reagon opinioni. Ne kemi parë se si ndodhi me Marrëveshjen e Qeverisë të Sali Berishës me Greqinë në përcaktimin e kufijve detar mes të dy shteteve!

Opinioni reagon kështu si reagoi duke ju kundërvu në mënyre masive kësaj marrëveshjeje antikombëtare dhe antishtetërore, edhe përmes opinioneve publike, edhe përmes anketave të shumta, ku shihet se shumica absolute e popullatës është kundër kësaj marrëveshjeje me Serbinë. Në rastet kur behet fjalë për interesa vitale të vendit, pa tjetër duhet të organizohen Referendume. Kjo është rruga demokratike e vendosjes për fatin e vendit.

Nëse institucionet nuk i korrigjojnë qëndrimet e veta duke e respektuar demokracinë, atëherë fillojnë demonstratat me kërkesa për shkarkimin e vendimeve të tilla dhe të këtyre Institucioneve diletante në rrugë demokratike, duke thirrur zgjedhje të reja, nga të cilat përjashtohet pjesëmarrja e atyre që kanë shkelur sovranitetin e vendit një herë dhe që kanë sjellë zgjedhjet e parakohshme. Ato subjekte që një herë shkelin sovranitetin e Republikës së Kosovës, atyre duhet ndaluar përgjithmonë pjesëmarrjen në zgjedhje, sepse ndryshe ndodh ajo që ata me vota të vjedhura sërish vazhdojnë të kthehen në pushtet dhe që serish ta rrezikojnë sovranitetin e Republikës së Kosovës.

Nëse as pas demonstratave paqësore këto institucione nuk organizojnë zgjedhje të reja, atëherë populli më nuk del në demonstrata dhe ai me këtë tregon se më nuk beson në zgjedhje demokratike të çështjes. Atëherë populli behet gati për mal. Keni kujdes pra, e mos e nxjerrni popullin ne mal, se atëherë më nuk ka zgjedhje paqësore të as një gabimi tuaj.

Kam drojë se këto Institucione aktuale (Parlamenti, Qeveria dhe Gjykata Kushtetuese) nuk do ta kuptojnë ketë apel. Ky dyshim i imi bazohet edhe në përvojën më të re me këto institucione kur ato deklarojnë se nuk i lëshojnë pe Serbisë, dhe nuk kalon as java dhe ata i hanë fjalët e veta. Rasti konkret është embargoja e reciprocitetit me Serbinë, emri i Republikës etj. Opinioni e di ketë ngjarje dhe nuk ka nevojë që ta përshkruaj. Por, mund të konstatoj se ato u treguan se kanë qëndrime pro serbe, sepse vepruan sipas interesave të Serbisë dhe në dëm të Republikës së Kosovës edhe me anulimin e reciprociteti me një Rezolutë pro serbe të këtij Kuvendi si dhe edhe me miratimin e fusnotës serbe.

Dihet se Qeveria as një herë nuk e përdori dhunën ndaj barrikadave serbe. Por, kur populli më 14 janar 2012 e mbylli kufirin me Serbinë me demonstrata, qeveria u përgjigj me mbylljen e kufirin me Shqipërinë dhe e hapen kufirin me Serbinë, duke përdorur dhunë brutale kundër popullit të vet. Kjo dhunë u zbatua me urdhra nga Brukseli. Në vend se qeveria dhe policia ta zbatojnë reciprocitetin, populli demonstruesit e zbatoi Rezolutën e Parlamentit të Republikës së Kosovës mbi reciprocitetin, duke i mbyll kufijtë me Serbinë për disa kohë. Por, Parlamenti në vend të shkarkos Qeverinë për grusht shtet, për shkelje të Kushtetutës dhe për shkeljen e Rezolutës mbi Reciprocitetin me Serbinë, ai shfuqizoi Rezolutën e vet dhe nxjerr një Rezolutë tjetër pro serbe të diktuar nga Brukseli. Po! Kuvendi i Kosovës e nxori një rezolutë pro serbe!

Me ketë rast vet Brukseli në meny të orkestruar filloi të akuzoi demonstruesit për “kufizimin e lirisë se lëvizjes” edhe pse Brukseli kufizimin e lirisë së lëvizjes për Republikën Kosovës, Kosovën e ka shndërrua ne Aushfic të vizave të tyre. Nuk ka vend në Botë të ketë liritë e lëvizjes me të kufizuara se sa Republika e Kosovës me anën e vizave të vendeve anëtare të BE-së. Andaj habit pafytyrësia e diplomatëve të BE-së në mbrojte të lëvizjes se lirë të njerëzve dhe të mallrave serbe në vendin tonë, kur ata vet ia kanë kufizuar që 12 vite të drejtat për lëvizje të lirë qytetarëve dhe mallrave nga Republika e Kosovës për në vendet e tyre. Ndërsa, ata vijnë edhe me tanke në vendin tonë pa i pyetur fare Institucionet e Republikës së Kosovës.

Këto Institucione vendore shpesh tregohen të pamëshirshme brenda llojit të vet (edhe mes partive të ndryshme edhe brenda vet partive të tyre) duke mos i lëshuar pe njeri-tjetrit në asnjë drejtim, por para ndërkombëtarëve sillen me përulje më të turpshme. Nga ana tjetër ndaj opozitarëve brenda e jashtë partive thurin gjithfarë intrigash e thashethemesh të pavërteta vetëm pse ata ua zbulojnë e publikojnë gabimet, me paramendime pozitive qe institucionet ato t’i korrigjojnë.

Me që partitë politike janë të pafta me e qeverisë vendin në mënyrë sovrane e dinjitoze, ato bëhen rob të mentalitetit autonomist dhe udhëhiqen me logjiken se duhet të veprojnë sipas diktatit të diktaturës së Brukselit. Paaftësinë e vet në drejtim të qeverisjes e kompensojnë me aftësinë e shkathtësinë e vet për komplote kundër personaliteteve opozitare dhe për krijimin e mjegullës politike me të cilën mbulohen dështimet e tyre. Këta burra i katandisën shqiptaret në ketë situatë pa rrugëdalje dhe ua dogjën idealin e rilindësve, gati në pashpresë, për një shtet shqiptar demokratik të bashkuar dhe të barabartë me shtete tjera.