LAJMI I FUNDIT:

Përmbledhje rreth rastit Agani: Në dorë të kryeministrit (Video)

Përmbledhje rreth rastit Agani: Në dorë të kryeministrit (Video)
Foto: Arkiv

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, ka kërkuar nga kreu i Qeverisë që ta lirojë nga detyra deri në momentin e shpalljes së një vendimi që ministri beson se do të jetë “pafajësia e plotë”.

Dy ditë më herët, Prokuroria e Shtetit ka ngritur aktakuzë ndaj ministrit Ferid Agani.


Ai akuzohet se në kohën sa ka qenë ministër i Shëndetësisë, ka keqpërdorur detyrën zyrtare, duke e dëmtuar buxhetin e shtetit për më shumë se 4 milionë e gjysmë euro.

Bashkë me të, të akuzuar janë edhe sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani, dhe 62 persona të tjerë, kryesisht mjekë të QKUK-së.

Aktakuza ndaj Aganit dhe të tjerëve vjen pas gati dy vjetësh hetime.

Ndonëse ishin të dyshuar në fillim, Prokuroria nuk ka gjetur bazë për ngritje të aktakuzës edhe për 56 persona të tjerë.