Përkujtohen dëshmorët e kombit të rënë në Rahovicë të Gjilanit

Me rastin e përvjetorit të rënies së dëshmorëve të kombit, Shaban Ukshini (Komandant Terri), Sami Ukshini (Kingji), Bardhyl Osmani (Komandant Delta) dhe Kastriot Arifi (Petriti), në Gjilan janë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve.
Komuna e Gjilanit ka njoftuar se homazhet u zhvilluan nga përfaqësues komunalë, përfaqësues të shoqatave të familjeve të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve, si dhe qytetarë, për të kujtuar katër dëshmorët që, sipas njoftimit, ranë heroikisht në Rahovicë “për lirinë dhe bashkimin kombëtar”.
Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Gjilanit, Krenare Latifi Kçiku, tha se në Ditën e Dëshmorëve të Kombit, së bashku me përfaqësuesit e shoqatave, kanë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve.
“Përulemi me respektin më të madh për të kujtuar dhe nderuar bijtë më të mirë të kombit tonë: Shaban Ukshini (Komandant Terri), Sami Ukshini (Kingji), Bardhyl Osmani (Komandant Delta) dhe Kastriot Arifi (Petriti), të cilët ranë heroikisht në Rahovicë për lirinë dhe bashkimin kombëtar. Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit. Nderim dhe respekt për të gjithë ata që dhanë jetën për liri. Qoftë i përjetshëm kujtimi për ta”, ka thënë Latifi Kçiku.
Komuna e Gjilanit ka bërë të ditur se aktiviteti u mbajt në kuadër të shënimit të përvjetorit të rënies së dëshmorëve. /Telegrafi/




















































