Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka bërë të ditur se kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, në kuadër të kompetencave ligjore, ka parashtruar sot në KPK kërkesë për inicim të procedurës disiplinore ndaj një prokurori të kësaj prokurorie që ka të bëjë me audio-incizimet e publikuara në media.

Në një njoftim për media thuhet se KPK, në kuadër të kompetencave ligjore, do ta trajtojë këtë kërkesë të kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, duke themeluar panelin hetimor i cili është kompetent për të trajtuar shkeljet e pretenduara.

KPK thotë se do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për ta trajtuar këtë rast dhe njëherësh njofton tërë opinionin publik dhe institucionet e pushtetit ekzekutiv se nuk do t’i nënshtrohet asnjë lloj presioni apo tentim-ndikimi nga jashtë, por veprimet e veta gjithnjë do të jenë në përputhje me kompetencat që ia garanton Kushtetuta dhe ligji.

Ndryshe, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar sot se publikimi i përgjimeve në disa media, ku pretendohet se një prokurore e krimeve të rënda tenton të shtrij ndikimin e saj në një rast të një personi, është cenimi më i rëndë dhe skandali më i madh në sistemin e drejtësisë.

Haxhiu për audio-incizimet e publikuara në media: Po ndodh një skandal shumë i madh, vettingu i pashmangshëm Haxhiu për audio-incizimet e publikuara në media: Po ndodh një skandal shumë i madh, vettingu i pashmangshëm

Tutje ka kërkuar që të ketë reagim shoqëror për këtë rast, derisa nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial ka kërkuar që të ndërmarrin masa adekuate përbrenda kompetencave të tyre ndaj këtij rasti.

Më tej theksoi se publikimi i përgjimeve të tilla dëshmon se nuk është i përfshirë vetëm i shkarkuari i djeshëm, ish-drejtori i Njësisë për Inteligjencë Financiare, por tha se bëhet fjalë edhe për prokuror të departamentit të krimeve të rënda përbrenda Prokurorisë Themelore në Prishtinë, gjyqtar të Gjykatës së Apelit të departamentit për krime të rënda, e flitet për emra duke nisur edhe nga kryeprokurori i shtetit./Telegrafi.